Ekzekutimi i Aleksandër Ndokës, shoqërohen në polici 12 persona
12 persona janë shoqëruar në polici në lidhje me atentatin ku mbeti i vrarë, Aleksandër Ndoka, vëllai i ish-deputetit socialist, Arben Ndoka.
Sipas policisë këta persona kanë pasur më parë konflikte me Ndokën, ose kanë pasur dijeni për to. Tvklan mësoi se deklaratat e tyre nuk e kanë ndihmuar grupin hetimor.
Për këtë arsye prokurorët nuk po anashkalojnë asnjë konflikt që Ndoka dhe familjarët e tij mund të ketë patur në Lezhë apo jashtë vendit. Burime të Prokurorisë bëjnë me dije se po hetohet pista e konflikteve personale apo anëtarëve të tjerë të familjes.
Hetuesit thonë së autorët e këtij atentati kanë patur informacion të saktë mbi levizjet që kryente Aleksandër Ndoka ose e kanë ndjekur atë.
Rruga në afërsi të banesës është parë si vendi më i përshtatshëm, për shkak se është ngushtë dhe viktima nuk ka patur mundësi largimi.
Sipas ekspertëve te kriminalistikes, Aleksandër Ndoka ka qënë duke kthyer makinën për të hyrë në banesë dhe është qëlluar teksa po ecte mbrapsht. 14 plumba u qëlluan ndaj tij dhe 9 prej tyre e kanë prekur në trup, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.