Ibrahim Vasjari: Një dert i gjyshit
Bie bunacë. Gjithkund gjallesa hesht.
Nuk pipëtin asgjë.
Nën fshat, u qet dhe lumi.
Hedhur një mjegull si velenxë të leshtë,
Gërhin e flë.
Është kohë e bulkthit,
Koha kur zgjohen thellë zëra të fshehtë,
Kur ndien afër fërfëllima flatrash,
Dihatje shpirtrash të paqetë.
Bobo, imgjysh, që diç do ketë harruar,
Kur iku atë natë dimri të rreptë!
Po vjen me gulç.
Të lodhshëm e ka kthimin.
Të enjtur zemrën nga një dert.
Duket e zhduket,
Ecën në të mugët.
Me hapin inatçor që ia di unë.
Dhe kur diku një mjegull i zë rrugën,
Përpiqet ta përzërë me bastun.
Për mua kish gjithnjë merak, i ngrati!
S’ia mbushja synë ashtu fidan i brishtë.
Unë lozja… ai ulur te sofati,
S’m’i ndante sytë dhe hiqte thelle ne shpirt.
Vjen e më thotë: ashtu shtatvogël mbete,
Ç’të duket vetja, sikur botën ndreq.
S’shikon më larg se përtej hundës sate.
Sa isha unë, të ngrihja kalapeç.
Ngjitu, o bir, te rrap i lashtë i fshatit,
Aty ku syri hedh vështrimin larg!
Nga brezat kalakiç mbi njëri tjtrin,
Ky rrap është rritur lart.
Aty vrojton besëlidhjet dhe pusitë,
Si vdes diku një rrugë e lind një shteg.
Dhe kur diçka ta fshehin retë e fatit,
Ta thonë me këngë bilbilat nëpër degë.
S’pati më kohë.
U nis për rrugë sërish…
U bëra mik me rrapin, siç më tha.
Dhe, për çudi, ndër breza bredh magjisht
Një trumë bilbilash më ngrehin mbi krahë.
E di, o gjysh, të mençur e ke fjalën,
Paçka se je i sertë e hijerëndë.
Aty nën rrap u ndjeva rrënjëthellë.
M’u mbush shpirti me këngë.
Tani, o gjysh, më kot pse të mundohem?
Ç’të hipi lart, me vete thashë.
Këtu me hoje këngësh mjaltëzohem.
Rritem nga brenda.
Siç më do, të madh.