Albspirit

Media/News/Publishing

Prof.Dr. Andrea GUDHA: Muzika dhe “Ora biologjike” e trupit

Sot, gjatë kohës së përgatitjes së këtij shkrimi, në TV5-Francë nga kisha ‘Madeleine’, Paris transmetohej drejtpërdrejt ceremonia zyrtare e përcjelljes të Yllit të muzikës franceze Johnny Holliday për në banesën e fundit në ishullin e Shën Bartolomisë (St Barth, në Indi Perëndimore).

Një ceremoni madhështore, me një organizim të shkëlqyer e tepër impresionues, nën tingujt e kuartetit të kitarave. Ndjehej respekti dhe dashuria njerëzore për artistin. Në Champs Elysee me qindra mijra njerëz, qeveritarë e politikanë.

Shumë lotë e shumë duartrokitje në respekt të karrierrës së tij artistike 60 vjeçare si këngëtar rrebel i muzikës Rock e Bluz, të pas viteve 1960. E këto ceremoni njerëzore e mbresëlënëse ndodhin vetëm në ato shtete ku ka kulturë e civilizim shekullor, ku ekzistojnë standarde mirënjohjeje e vlerësimi për artistin e veprën e tij…
Me këto mbresa e respekt për muzikantët, që me krijimtarinë e tyre japin një kontribut të vyer “Bio” në ndihmë të mirëqënies shëndetësore të njeriut, po e vazhdoj shkrimin.

Le të jetë një këshillë shëndetësore për lexuesit në prag të festave të fundvitit.
***
Kur dëgjojmë një muzikë, që na pëlqen, ne ndiejmë kënaqësi. Zemra rreh më shpejt, frymëmarrja bëhet më e shpeshtë, pëllëmbët e duarve djersiten, koka tundet dhe i gjithë trupi dridhet…

Në qoftë se, në këto çaste do të maten disa funksione të organizmit si: rrahjet e pulsit, presioni i gjakut etj, do të vëmë re ndryshime bio-mjekësore të organeve në organizmin e Njeriut.

Ç’është muzika?

Muzika është arti i të shprehurit të ndjenjave dhe të emocioneve (shpirtit) të njeriut me anë të tingujve.
Elementet bazë të Muzikës janë:

Harmonia është një grup tingujsh muzikorë ose bashkëtingëllim zërash, që na pëlqejnë kur i dëgjojmë dhe Ritmi: tregon një lëvizje të njëtrajtshme dhe të rregullt. Ritmin njeriu e konstaton në vetë trupin e tij: zemra e njeriut rreh me një ritëm të caktuar, që mund të shprehet muzikalisht me kohën muzikore ¾.

Diskutim: Muzika dhe Shpirti

Në historinë njerëzore ka ekzistuar dhe ende ekziston një raport misterioz, që lidh Muzikën, Shpirtin dhe Trupin e njeriut me harmoninë dhe me ritmin e jetës. Ky mister është i lidhur në veçanti me pa aftësinë ende shkencore të mjekësisë në njohjen tërësore të organizmit të Njeriut si individ, por dhe në marrëdhëniet e Njeriut me Mjedisin rrethues.
Në Kinën e lashtë, Muzika krijonte lidhjen e Harmonisë së Njeriut në mes të Qiellit dhe Tokës. Kinezët përdornin 100 lloje të Muzikoterapisë. Një tingull muzikor ndikon në një organ të caktuar në trupin e Njeriut. P.sh Nota ‘Do’ ndikon tek Zemra, Nota ‘Re’ tek Mëlçia, Nota ‘Mi’ tek Shpretka, Nota ‘La’ tek Veshka, Nota ‘Sol’ tek Mushkëria.
Në Antikitetin grek shek.VII-V p.e.s. koncepti filozofik i paraprinë Mjekësisë. Trupi, Mendja dhe Shpirti. Harmonia dhe Ritmi.
Përkrahësit e kësaj doktrine në Athinë quheshin “Filozofë”si: Pitagora, Platoni, Aristoteli, etj. Pitagora e aplikoi muzikën për qëllime mjekësore dhe thoshte se:“Çdo sëmundje ka melodinë e saj”. Ai hartoi librin e recetave të bazuar tek muzika. Platoni  dhe Aristoteli zhvilluan teorinë e ndikimit të muzikës mbi shpirtin, pasionet dhe moralin e njeriu, duke u bazuar tek Harmonia dhe Ritmi.
Evropa në Mesjetë. Muzika & Feja. Jeta shpirtërore e Njeriut!

Kënga Aleluja, Ave Maria etj. Muzika filloi të shkruhej me nota…
Periudha e Humanizmit. Figura njerëzore dhe anatomia e njeriut (pamja fizike) ishin në qendër të artistëve të kohës si Leonardo Davinçi, Mikelanxhelo etj.
Parisi në shek.XIX. Qendra Botërore e hulumtimeve mjekësore. Mjekësia u shndërrua në Shkencë! Trupi (organizmi) i njeriut u njoh nga brenda: Si është i ndërtuar? nga qeliza, inde, organe… Si funksionon? Proceset kimike, fizike, biologjike.
Mendja e Njeriut (Instiktet)?
Në periudhën e Iluminizmit në qendër të diskutimit filozofik e mjekësor ishte: Mendja e Njeriut dhe Trupi. Lametri shkroi librin “Njeriu makinë”. Bazohet tek Filozofia moderne (Metafizika). Filozofë: Descartes,Spinoza, Kanti, etj. Funksionimi dhe raporti i Mendjes së njeriut me trupin ishin tepër të diskutueshme për zgjidhje. Ndaj, u desh që filozofia moderne të ndahej dhe u krijua Psikologjia si shkencë më vete. Zigmund Frojd përshkroi Psikoanalizën dhe shpjegoi se, simptomat psikologjike vijnë si pasojë e shtypjes së mendimeve dhe dëshirave seksuale nga ana e individit.
Pesimizmi i Schopenhauer për shoqërinë njerëzore nisur nga Instinktet intime të Njeriut: Egoizmi, zilia,ligësia, dinakëria, grabitqar, mizor…”Homo homini lupus”, “Njeriu është ujku për njeriun”. Proverb latin.
Debat filozofësh. Niçe thoshte: “Para se të kishte filozofë, e veçanta i përket muzikës e ritmit, që kanë aftësinë për të shkarkuar pasionet, pastrojë shpirtin, zbusë acarimin e tensionin shpirtëror”.
Shek.20. Natyra e Njeriut?! Korrespodencë midis gjenive të shkencës, të dy me origjinë hebreike e të përndjekur nga Hitleri, 1932.
Ajshtajn: “ Përse luftë? Ka ndonjë mënyrë për ta shmangur njerëzimin nga rreziku i luftës”?
Frojd: “Këto janë zhvillime që ne bëjmë si njerëz. Po të isha në Mesjetë ata(njerëzit) do të më kishin djegur dhe mua, kurse tani kënaqen me djegien e librave të mia”.
Ç’është Muzikoterapia?
Muzikoterapia është një shkencë multidisiplinare midis Shkencës së Mjekësisë, Psikologjisë dhe Muzikologjisë. Ajo është pjesë e Mjekësisë Alternative, e çertifikuar nga OBSH.
Futja e Terapisë Muzikore në sektorin e shëndetësisë filloi pas Luftës së Parë Botërore. Muzikantët ofruan Muzikën në spitale për të lehtësuar dhimbjet e plagëve fizike të mbetura nga lufta.
Terapia Muzikore moderne filloi pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe ishte rezultat i përdorimit të Muzikës në trajtimin e Neurozave të luftës tek ushtarët (Bomba atomike). Në vitin 1944 për herë të parë u themelua klasa e Muzikoterapisë në Universitetin e Miçiganit, SHBA. Shkencëtarët filluan të studionin efektin pozitiv të muzikës mbi trupin e njeriut.
Sot, Mjekësia ka pësuar progres të jashtzakonshëm deri në imtësitë e ndërtimit, funksionimit dhe riprodhimit të Qelizës. Kemi njohje më të thellë të trurit, në saje të Neuroshkencës.
Argumenti shkencor
Muzika, nga aparati i dëgjimit, nga veshi, përcillet në tru. Truri, muzikën e asimilon shumë shpejt dhe prodhon hormonin Endrophin “hormon i lumturisë”, i cili shkakton tek njeriu ndjenjën e kënaqësisë.
Pas viteve 1950, u ngritën Institute Shkencor si në Francë,Gjermani, Austri etj. për efektet e Muzikoterapisë. I njohur është Instituti ‘Karajan’ (Dirigjenti Herbert von Karajan) në Salzburg, që studion fuqinë fiziologjike të muzikës në organizmin e njeriut.
Në vitin 1974, në Spitalin Salpetriere, në Paris mbahet Kongresi i Parë Botëror i Terapisë Muzikore. U konstatua se, Muzika ndikon jo vetëm tek Shpirti, por dhe në organet e Trupit të Njeriut,p.sh: ndihmon në funksionimin normal të zemrës, të frymëmarrjes, të qarkullimit të gjakut dhe në shëndetin mendor.
Echo Sante, 19 fevrier 2017
Diametri i enëve të gjakut zgjerohet 26% me dëgjimin e muzikës të pëlqyeshme.Diametri i enëve të gjakut me të qeshurën zgjerohet 19%. Kujdes! Dëgjimi i një muzike JO të pëlqyeshme ngushton enët e gjakut në 6%.
Sot, me mijëra terapeutë muzikorë ushtrojnë aktivitetin e tyre në spitale, klinika, në shkolla, në burgje, në qendra riaftësimi.
Shek. 21 Dilemat e Mjekësisë dhe Muzika
Ende, ngelet enigmë: Funksionimi në “tërësi” i Organizmit të Njeriut në raport me: Trupin, Mendjen dhe Shpirtin…!? Sot, 80% e popullatës së Planetit vuan nga Shëndeti Mendor…
***
Tetor 2017. “Ora biologjike” e trupit. Çmimi Nobel në Mjekësi. Jeffrey C. Hall, Michael Rosbash e Michael W. Young.
Jeta në Tokë përshtatet me rrotullimin e planetit tonë. Organizmat e gjallë, duke përfshirë edhe njerëzit, kanë një orë të brendshme biologjike, që i ndihmon ata të parashikojnë dhe të përshtaten me ritmin e rregullt të ditës.
Laureatët e këtij çmimi zbuluan një gjen që kontrollon ritmin normal biologjik ditor. Ata treguan se ky gjen është një proteinë që grumbullohet në qelizë gjatë natës dhe pastaj degradohet gjatë ditës.  Më pas, ata identifikuan përbërës shtesë të proteinave, që vet rregullojnë mekanizmin e “orës biologjike” brenda qelizës.
“Ora biologjike” e trupit me “tik-takun” e saj, 24 orësh,ndikon në Ritmin ditor të njeriut si: në gjumin, në zgjimin, në TA, në sjelljen, në ushqyerjen, në metabolizmin, në hormonet,etj. Çakordimi i “Orës biologjike sjell sëmundje në organizmin e Njeriut .Shpesh vdekjet e pa pritura ndodhin në gjumë, në orët e para të mengjesit.

Infarct Miocardi ndodh tek njerëzit me shpesh në orët e para të mengjesit, sepse “ora biologjike” në orët e para të mëngjesit është duke u “karrikuar” për t’i dhënë trupit të njeriut energji pozitive për fillimin e ritmit të ditës.
Sipas OBSH: Shëndeti nuk është thjesht mungesë e sëmundjes, por është gjendja e mirëqënies së përgjithshme trupore, mendore dhe psiko-sociale e Njeriut.

P.S. Sot,është në diskutim dhe gjendja shpirtërore dhe emocionale. Sipas këtij koncepti, “Trupi”, “Mendja”dhe “Shpirti” duhet të funksionojnë në Harmoni të plotë, si “një e tërë”, si një orkestër. Mirëqenia shëndetësore e individit ndikohet kur ekziston një mospërputhje e përkohshme mes mjedisit të jashtëm dhe “orës biologjike” të individit,
Kush mund të jetë një akordues universal i “Orës biologjike” të trupit të Njeriut ? Në ndihmë të shëndetit vjen Muzika!
Prespektivë!
Mjeku, në vend të recetës me ilaçe, do të rekomandojë Disqe muzikore!
Konkluzion
Muzika është element integral i Shëndetit Publik
Koncepti holistik i Shëndetit. Akordues universal i “Orës biologjike” të trupit të Njeriut është Muzika.
Në aspektin Mjekësor. Mjekësia të kuron, por me kosto të lartë, kurse, Muzika të shëron e me kosto shumë të ulët!
Në aspektin psiko-social. Muzika shoqërinë e civilizon, kurse Njeriun e socializon dhe e fisnikëron!
Në aspektin e Jetës. Muzika edhe pleqërinë e rinon…!

9 Dhjetor 2017

.

Please follow and like us: