Albspirit

Media/News/Publishing

Spartak Ngjela: Presioni Lu-Vlahutin ndaj korrupsionit të jetë edhe më i madh

Spartak Ngjela

Edhe më i madh duhet të jetë presioni Lu dhe Vlahutin kundrejt korrupsionit shqiptar.

Është në panik i gjithë korrupsioni; se deri tani e dinte ligjin antikorrupsion një lojë…

l.

Reforma në Drejtësi i ka trembur të gjithë – janë të gjithë kundër; i gjithë lidershipi politik, disa pronarë të mediave të mëdha; e gjithë klientela e 12 kompanive vip të Shqipërisë.

Kurse Rama vjen vërdallë si “kali në lëmë” ; me një pakt në dorë se, me gjykimin e tij fëminor që ka, mendon ndoshta të bëjë sërish atë manovrën e prillit.

Por Saliu nuk e përfill fare se e kuptoi që Rama është një pafille që niset për në Romë dhe përfundon në Konstandinopojë.

“Lerëm në hallin që kam”, i thotë Saliu, i cili pret shpronësimin.

Kurse të dy ambasadorët, Uashington – Bruksel, janë në nivelin e duhur; por duhet të vijojnë edhe më rreptë kundër korrupsionit të niveleve të larta.

Të shqetësuar i shoh dhe analistët antiamerikanë që, nga niveli i dobët i gjykimit që kanë, dhe pasioni antiamerikan, po flasin në panik dhe i bëjnë thirrje Saliut të qëndrojë.

ll.

Tan ka filluar në Shqipëri realisht komedia e frikës.

Rrini e shikoni!

Por Lu dhe Vlahutin duhet të jenë në lartësinë e presionit, më shumë ndaj Ramës se ndaj Saliut, se Saliu nuk ka gjë në dorë. Gjithsesi të dy këta dolën tamam në kohë sot për të thënë se moraliteti në Shqipëri do të vendoset, duan apo nuk duan ministrat dhe kryeministrat e korruptuar.

Shqipëria është në pragun e suksesit të saj 150 vjeçar, që kur filloi gjymtimi i territoreve shqiptare dhe racizmi antishqiptar në Ballkan nga Rusia, Serbia dhe Greqia.

Por tani duhet të nisë edhe ekspozimi i dokumentacionit historik për rezistencën dhe mbijetesën shqiptare në ruajtjen e pacenuar të gjuhës shqipe.

Rezistenca shqiptare në funksion të gjuhës shqipe, do ta shihni që do jetë një nga çështjet më të studiuara të historisë së Europës; dhe shumë shpejt ajo do të gjejë vendin e saj.

Sot janë të lidhura organikisht për historinë e Shqipërisë: varrosja e korrupsionit shqiptar dhe triumfi i historisë reale të shqiptarëve në Ballkan.

Pas njëqind vjetesh; shqiptarët më në fund do ta varrosin përfundimisht keqbërjen historike që u ka ardhur vazhdimisht nga krerët e tyre të korruptuar.

Please follow and like us: