Spartak Ngjela: Një turp historik… Ja provat e korrupsionit…
Shiu që sjell përmbytje dhe shkatërrim autostradash me shkarje masive dherash e gurësh; provon çdo ditë vjedhjen e madhe që iu është bërë shqiptarëve.
l.
Ky është në fakt korrupsioni i provuar i Berishës për të gjitha rrugët, është prova e kapjes nga FBI-a, vetëm në bankat e Qipros, të 150 milionë dollarëve të ministrave të Berishës dhe të familjes së tij.
Por përmbytja e madhe e para disa ditëve, provoi saktë turpin korruptiv të qeverisë Rama që kishte futur nëpër xhepa 2/3-tat e fondit të kanaleve kulluese, hidrovorëve dhe riparimit të kolektorëve: gjithësej 40 milionë Euro.
Ky është një turp historik, por që, në fakt, e vuajnë shqiptarët.
Shumë shpejt shqiptarët do t’i dëgjojnë të gjithë “bëmat e mëdha” të vjedhësve të tyre të bashkuar në vjedhjen e tyre masive, por që çirren në sallën e Parlamentit në konflikte banale, dhe me sharje kalamajsh për të gënjyer shqiptarët.
Po, a e gënjejnë dot FBI-në që tani i ka provat kundër tyre?
Il.
Dje ambasadori amerikan, Donald Lu, foli ashpër kundër korrupsionit dhe i bëri thirrje rinisë shqiptare të ngrihet kundër tij.
Sigurisht që ka të drejtë.
Në fakt ky është një hap i ri amerikan kundër korrupsionit primitiv dhe barbar shqiptar.
Por nuk mjafton. Rinia, që të ngrihet; por edhe adultët shqiptarë po ashtu, duan provat.
Sot ka ardhur tamam koha që politika amerikanë të ekspozojë provat që ka për korrupsionin shqiptar të të gjithë ministrave e kryeministrave të të gjitha ngjyrave politike në Shqipëri.
Duhet të fillojë të deklarohen faktet që ka mbledhur FBI.
Por të mos harrohet se sot, kundërshtari më i madh i Reformës Antikorrupsion është kryeministri shqiptar, Rama.
lll.
Kjo duhet bërë patjetër, se ka një bashkim underground të Ramës me Berishën dhe Bashën; për të frenuar Reformën në Drejtësi.
Terapia më e mirë kundër kësaj sëmundjeje është “hapja e thesit” dokumentar të FBI-së.
Nuk heq dorë Rama nga “pakti” i tij antireformë me Bashën. Në fakt është krejt i paaftë; por në këtë rrugë pa krye e fut frika e tij.
Po në post pse rri ende kur e di që është i kapur?
Ka dy arsye të mundshme që Rama nuk tërhiqet nga posti i kryeministrit : ose e përplas frika në këtë pikë, e cila e detyron që të shfaqet edhe si një kolloun panairesh; ose e shtyn mëndjelehtësia se me mashtrime fëmijësh mund të bllokojë politikën amerikane në Shqipëri.
Prandaj; e vetmja rrugë e politikës së Uashingtonit dhe Brukselit është denoncimi botërisht i fakteve që janë kundër tij.