Altin Basha sjell “Rojat e Taxhit” në Teatrin Eksperimental
Historia komike dhe e trishtuar e një miqësie të thellë që testohet e thyhet nga rrethana ekstreme e brutale, rrëfyer aq bukur tek vepra “Rojat e Taxhit”, shkruar nga Rajiv Joseph, do të ngjitet më 15 dhjetor premierë në skenën e Teatrit Eksperimental Kujtim Spahivogli nën regjinë e Altin Bashës.
E quajtur si komedi e zezë, me këtë vepër Basha rikthen në skenë pas kaq vitesh aktorin Gazmend Gjoka, i cili do të interpretoj përkrah Lulzim Zeqjës. Skena dhe kostumet janë nga Iliriana Basha ndërsa kompozitor i pjesës është Enri Sina, koreografia nga Gjergj Prevazi, ndërsa vidiot nga Florian Çanga. Vepra tregon historinë e Humaxhunit dhe Baburit dy miqve të ngushtë dhe roje në ushtrinë perandorake të
mbretit të Hindustanit Shah Xhahanit. Ndërsa bëjnë roje ata qeshin e fantazojnë me historitë e tyre të fëmijërisë dhe arratisjet në xhungël. Ata kanë privilegjin e çuditshëm të jenë roje të Taxh Mahalit, dedikimi epik që mbreti Shah Xhahani i bëri gruas se tij të vdekur Mumtaz Mahal.
Kjo ndodh një natë para se ky monument ti shfaqet botës si personifikimi më i fuqishëm dhe mbresëlënës i bukurisë. Humaxhuni, ushtar i gjeneratës së dytë thellësisht besnik, është i kënaqur që zbaton urdhrat edhe atëherë kur Perandori, i vendosur që asgjë më e bukur se Taj Mahali nuk ndërtohet ndonjëherë, i jep rojeve të tij një mision të tmerrshëm. Baburi i ndjeshëm dhe romantik e përballon këtë mision duke ju kundërvënë shkatërrimit të së bukurës si mburojë njerëzore. “Rojet e Taxhit” eksploron bukurinë, pushtetin, autokracinë, rezistencën dhe besnikërinë e verbër. Vepra do të ketë premierë në skenën e Teatrit Eksperimental më 15 Dhjetor ora 19:00 e do të shfaqet çdo te enjte, te premte, te shtune dhe te diele deri me datë 29 dhjetor.