Pëllumb Kulla: Ç’na gjeti me këto data!
Nuk mjaftonte Njëzeteteta me Njëzetenëntën e nëntorit, që kanë 27 vjet që e kanë zënë njëra tjetrën për leshrash dhe nuk po arrijnë ta ndajnë kur e kapërceu kufirin e vendit nazisti i fundit.
Kufiri ka rëndësi, kufiri!
Ja tani edhe dy data të dhjetorit! Është sherri për formimin e Partisë Demokratike!
Nacionalistët, si Saliu me Tritanin, ata që bashkëpunuan me armikun (Ramiz Alinë, Hysni Kapon dhe Simon Stefanin me shokë) ngulin këmbë dhe festojnë 11 dhjetorin si datë themelimi.
Grupi më progresiv, Meksi, Selami, Topalli, Bodja dhe të gjithë ata që përjashtoi Basha nga radhët, e festuan formimin e PD , më 12 dhjetor!
Po mirë, dreqi ta hajë, po përse e gjithë kjo mospërputhje?!
Nuk kanë kaluar aq vjet sa të rrjedhë kujtesa!
Është pa dyshim një datë madhore, se formimi i PD shënon vërtet edhe ai një ditë çlirimtare, një kufi.
Është një kufi i madh historik, sepse na solli kalimin nga diktatura në Demokraci, dhe një marrëveshje mes dy palëve duhet të arrihet.
Le ta vendosin dhe le t’i lenë të qetë shqiptarët dhe sidomos demokratët e gjorë.
Se do të ndahen më dysh dhe ata, dhe sherri do mbetet sherr, pastaj!
Hajde pra, ju përgjërohemi, vendoseni:
Kur e kaloi kufirin nga PPSH në PD komunisti i fundit?