Albspirit

Media/News/Publishing

Rama: Rrugëtim i vështirë dhe i dhimbshëm drejt integrimit në BE

Në pritjen e fund vitit me ambasadorët e vendeve të huaja në Shqipëri, kryeministri Rama ka bërë edhe një herë tjetër thirrje se e ardhmja e vendit është vetëm hyrja në familjen evropiane.

Ai tha se e nesërmja e Shqipërisë do të jetë më e mirë se e sotmja dhe falënderoi ambasadorët për ndihmën e tyre në arritjen e zhbllokimit të ngërçit politik që kulmoi me marrëveshjen e 21q8 majit.

“Shqipëria është një vend që s’të lë kurrë të mërzitesh, një vend me të papritura, një vend me momente të gëzueshme e surpriza, sepse në këtë fazë të historisë saj po përjeton rrugëtimin e vështirë e të dhimbshëm drejt një rilindje përfundimtare si një pjesë integrale e familjes së bashkuar evropiane, – u shpreh Rama nga selia e kryeministrisë. – Viti 2017 ishte një vit interesant, me një proces zgjedhor që u zhvillua me shumë qetësi, larg polarizimeve por që erdhi pas një krize disa mujore, një konflikti jo të lehtë, edhe pse goxha artificial që e cenoi debatin politik, ritmin normal të ecurisë së jetës parlamentare e ekonomike të vendit. Megjithatë tregoi edhe disa anë pozitive që nga toleranca ndaj manifestimit dhe një dialog që u duk i pamundur dhe që u arrit me një marrëveshjeje falë ndihmës së partnerëve”.

Rama më pas deklaroi se zbatimi i reformës në drejtësi është vonuar, por procesi sipas tij është i pakthyeshëm.

“Ky vit na tregoi sa i vështirë është zbatimi i reformës në drejtësi, por zbatimi i saj do të jetë një proces i pakthyeshëm. Nevoja jetike e këtij populli është për të mos humbur më kohë në aspiratën që të bëhemi pjesë e familjes në BE. Edhe pse po përjetojmë një rrugëtim të vështirë, ne jemi shumë panë çeljes së bisedimeve me Bashkimin Evropian në 6 mujorin e parë të vitit të ardhshëm”.

Kryeministri deklaroi se politika shqiptare ka shumë arsye për të debatuar me njëra-tjetrën, por integrimi dhe çelja e negociatave nuk bën pjesë tek këto arsye. Ai ftoi sërish për dialog opozitën për reformën në drejtësi në shërbim të integrimit.

“Nuk është se e meritoj unë ose opozita, por të gjithë shqiptarët, ata që jetojnë, këtu e ata që jetojnë kudo tjtër, edhe pse kjo varet nga ne që i përfaqësojmë shqiptarët”.

Please follow and like us: