Bardh Spahia: Jeni banda që grindeni për plaçkën që ju solli droga
Ka shumë kohë që vendimet e Kuvendit të Rilindjes më shumë se të tilla, janë akte për të ndryshuar çfarë është vendosur më parë. Nëse është mungesë vizioni, nëse është mungesë dijesh e vullneti për të punuar, kjo nuk ka shumë rëndësi. Parlamenti në epokën e “tepsia është e imja” ka shumë gjëra të tjera për t’u skuqur përpara se ta përvëlojë turpi ngaqë nuk di të kryejë funksionin e tij themelor. Natyrisht jo vetëm për faj të tij, por edhe të qeverisë dhe kryesisht për shkak të saj, që ende nuk ka kuptuar se të ndërtosh shtet nuk është si të vizatosh letra; të bësh ligje, nuk është si të prodhosh skica dhe të ndërtosh themele të sigurta për zhvillim e progres, nuk është njëlloj si të lyesh mure, të suvatosh apo dhe të vesh stola në parqet që ekzistojnë vetëm të vizatuar në letra.
Ligji për përfundimin e procedurave të kalimit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve është miratuar në vitin 2014. Tri vite më pas e sillni sërish për të bërë ca ndryshime në të. Edhe dy palë këmisha do të kishin jetë më të gjatë se kaq, mund t’ju thotë secili prej përfituesve që keni gëzuar njëherë në 2014-ën.
Megjithatë, unë nuk do t’i hyj thelbit të ligjit. Do ta diskutojmë sërish mbas një viti, nëse do të jeni ende këtu dhe në këto pozicione. Toka bujqësore ka një rëndësi të posaçme në një vend të vogël si Shqipëria, e cila është bërë gjithmonë e më e vogël për shkak të abuzimeve, ndërtimeve kuturu, ecjes pa plan, fshatrave që lindin vetëm anës së rrugëve nacionale dhe vdesin bashkë me rrugën.
Eshtë e qartë tashmë që juve jeni peng i padijes, përtacisë dhe babezisë shembullore që keni. Jeni peng i fjalëve të shumta, duke e lënë popullin gjithmonë e më tepër peng të paaftësisë suaj për të qeverisur. Duke thënë këtë, në fakt kam thënë termin më të butë. Paaftësia është diçka e keqe, por që ndreqet lehtësisht. Ju ikni dhe u lini vendin atyre që dinë më shumë. Problemi është se gjërat në Shqipëri janë ndërlikuar shumë më shumë. Sepse në dorë vallen e ka marrë dhe po e udhëheq krimi.
Flisni për tokën bujqësore? Por çfarë mund të thuhet për faktin se një e treta e saj, pra, një metër në tre të tillë të disponueshëm, në vitin 2016 është përdorur për mbjelljen dhe kultivimin e kanabisit? A ka ku të shkoje më thellë dhe më larg, më shumë dhe më lart akuza? Ka qenë një e treta e Shqipërisë tërësisht jashtë kontrollit të shtetit, apo vetë shteti ishte marrë nën kontroll nga krimi dhe banditët, njëlloj siç është marrë nën kontroll ky parlament nga vota e vjedhur?
Për katër vite rresht opozita denoncoi fenomenin. Kundër saj ishit të gjithë ju. Ishte parlamenti që dominohej në shumicë nga ju, një pjesë e opinionit që e kishte droguar makineria juaj e propagandës, mediat tuaja dhe gazetarët e luksit që i bënin fresk qeverisjes dhe godisnin opozitën. Sapo ne thoshim kanabisi, na përmendnit Lazaratin. Sapo ne thoshim avionët e drogës, ju na kujtonit gjithfarë historish të vjetra a thua se gabimi i vjetër është shpëtim për mëkatin e ri.
Ne ju thoshim sesa i zhytur në krim e drogë ishte Saimiri si ministër i Brendshëm, ju e shpallnit kampion. Sepse po punonte që ju të blinit mandatin tuaj të dytë.
Por ne e bëmë këtë betejë dhe mundëm të fitojmë. Duke treguar me gisht se rilindësit po drogonin të gjithë vendin dhe se po rrezikonin të gjithë rajonin e më gjere. Më shumë akoma, bashkë me drogën që mbillej këtu e çohej andej, këtu përfundonin një pjesë e parave të krimit, ndërsa andej nisi të bëhej më e fortë frika se krimi shqiptar mund të bëhej edhe më i rrezikshëm duke u fuqizuar financiarisht. Se krimi shqiptar mund të shfrytëzonte kanalet e trafikut për të eksportuar nëpër Evropë mjete dhe logjistikë në favor të terrorizmit.
U shkundët vetëm kur jua thanë me ultimatum partnerët. Shumë pak dihet në publik sesi janë sjellë me ju. Për ta ditur një gjë të tillë, mjaft të shihet fati i Saimirit vetë. Kampioni juaj nuk është më me ju. E hodhët poshtë të shtrydhur, edhe pse e mbrojtët me të gjitha forcat, duke treguar se herët a vonë fundi i tij do t’ju shoqërojë të gjithëve.
Drejtësia vonon, por nuk harron. Donit shembuj dhe shembujt po ju vijnë nga të katërta anët. Policia po ju del më fajtore se banditët. 30%-shi i saj është i faktuar. Asnjë biznes tjetër nuk ka një normë të tillë fitimi. Të fitosh 30 për qind të së tërës pa bërë asgjë, këtë vetëm policët e Edvinit mund ta bëjnë.
Tre kryepolicë u larguan nga ndjekja penale. Njëlloj si të thonë dhe të pranojnë se kanë qenë pjesë e bandës. Por më shumë se një akt personal, ky ishte një veprim i detyruar. Ata ikën sepse ata nuk i donte Rilindja e Edit nëpër këmbë.
Sepse i kishte pasur në tavolinat e drekave dhe në tryezat e darkave kur ndaheshin paratë e trafikut të drogës dhe lihej veç pjesa që duhej për të blerë zgjedhjet. Sepse do të vinte sërish sezoni tjetër i mbjelljes së krimit.
Tani vini dhe flisni për një ndryshim në ligj për tokën bujqësore. Dhe kush e bën? Ju që ndryshuat dhe deformuat deri edhe strukturën e tregut të punës në fshatra. Që e shndërruat çdo fermer në një mëditës të krimit.
Flisni dhe për buxhetin e vitit të ardhshëm. Mburreni sesi do të shpenzoni paratë publike. Ju them, hidhini një sy, qoftë dhe të shpejtë amendamenteve të opozitës. Ato nuk e shpëtojnë dot buxhetin e hartuar nga padija juaj, por së paku e korrigjojnë. Bëjeni këtë vit se me siguri, vitin tjetër do të flasim nga të tjera pozita. E ndoshta atëherë as pendesa nuk do t’ju bëjë punë. Do të shkoni drejt fundit tuaj politik, por pa tërhequr në këtë fund shqiptarët që tashmë ju shohin siç jeni. Qesharakë dhe dështake.