Albspirit

Media/News/Publishing

Frank Shkreli: In memoriam, ambasadori Lublin Dilja

 

Me 10-Tetor të këtij viti, ish-ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Washington do i kishte mbushur 60-vjeç.  Fatkeqësisht, një sëmundje e rëndë e ndau para kohe nga kjo jetë, në vitin 2009, kur ai ishte në moshën 51-vjeçare — në kulmin e jetës dhe të veprimtarisë së tij diplomatike.  Ishte një vdekje e rëndë për të gjithë ata që patën fatin ta njihnin, pasi ndërroi jetë kur ishte në kulmin e fuqive mendore, profesionale, diplomatike dhe shoqërore.  Ishte kjo një vdekje e rëndë sidomos për familjen e të ndjerit Lublin, për Shqipërinë dhe për trupin diplomatik të saj.  Njëkohësisht, ishte një humbje e rëndë edhe për komunitetin shqiptaro-amerikan, me të cilin Ambasadori Lublin Dilja pothuaj menjëherë pasi kishte filluar nga detyra në Washington – dhe pothuaj si asnjë ambasador tjetër i Shqipërisë në SHBA, si atëherë dhe sot — kishte lidhur marrëdhënie të ngushta me komunitetin shqiptaro-amerikan, në përgjithësi, dhe me individë të komunitetit, në veçanti.

Unë e kam njohur Lublin Diljen për herë të parë, një ditë pasi kishte arritur në Washington në Nëntor të vitit 1993, si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara, i akredituar gjithashtu edhe në Meksikë dhe Kanada.  Ai qëndroi në këtë detyrë deri në tetor të vitit 1977.

Më kujtohet sikur të ishte dje, në shtëpinë time në Folls Çërç të shtetit Virxhinia, nja 10-kilometra jashtë Uashingtonit,  atë natë të nëntorit 1993 kisha disa mysafirë, pjesëtarë të një delegacioni të Partisë Demokratike nga Shkodra, edhe ata në vizitën e tyre të parë në Shtetet e Bashkuara.  Unë nuk e njihja Ambasadorin e ri shqiptar në Uashington, por vizitorët nga Shkodra më njoftuan se një ditë më parë kishte ardhur ambasadori i ri shqiptar të cilin ata e njihnin, në personin e Lublin Diljes dhe më sugjeruan që t’a ftoja edhe atë për darkë me qëllim që të njiheshim me njëri tjetrit.  Në atë kohë mezi prisnim të takonim njerëz të ardhur nga Shqipëria, e lere më ambasadorin e parë të rregullt të Shqipërisë në Washington. E pranova me kënaqsi propozimin e vizitorëve nga Shqipëria sepse — ndonëse kam qenë dëshmitar i nënshkrimit të protokollit për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Tiranës dhe Uashingtonit në Mars të vitit 1991– ardhja e ambasadorit të ri shqiptar në Uashington – përfaqsues i një qeverie post-komuniste të Shqipërisë –  më dukej gjithnjë si një ëndërr që ishte vështirë të merrej me mend si realitet.  Ishte diçka që në të vërtetë e kishim pritur dhe shpresonim për aq shume vite, por që pothuaj se kishim humbur edhe shpresën se do të ndodhte ndonjëherë – përball armiqësisë së regjimit komunist të Enver Hoxhës ndaj Shteteve të Bashkuara.

Sidoqoftë, Ambasador Dilja e pranoi ftesën për të ardhdur tek shtëpia ime pa asnjë hesitim, megjithëse ishte i lodhur nga rruga e gjatë ardhur nga Shqipëria vetëm një ditë më parë.  Ndejtëm deri vonë atë natë duke biseduar për Shqipërinë dhe ëndërrat e popullit shqiptar për liri demokraci pas pothuaj një gjysëm shekulli, nën njërin prej regjimeve më të egëra komuniste që ka njohur bota.  Natyrisht, ishte i interesuar për të mësuar sa më shumë për jetën dhe zhvillimet politike në Uashington si dhe për misionin e tij të ri diplomatik që e priste në kryeqyttein amerikan.

Ambasadori Dilja ka lënë pas gjurmë të pashlyeshme kujtimesh ndër të gjithë ata persona me të cilët është takuar shoqërisht dhe me të cilët ka punuar profesionalisht, jo vetëm në fushën diplomatike por dhe në fusha të tjera të veprimtarisë së tij dhe me të gjithë ata miqë e dashamirë shqiptarë dhe amerikanë, që e njohën.  Jo vetëm gjatë shërbimit të tij diplomatik, si përfaqsues i denjë i Republikës së Shqipërisë në Uashington, por më vonë edhe si Ministër-Fuqi-Plotë i Republikës së Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara, si deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe si pedagog në fushën e arsimit shqiptar.  Për mua personalisht, përshtypjet e mia shumë të mira për Ambasadorin Lublin Dilja si njeri dhe si përfaqsues i denjë diplomatik i Shqipërisë, u çimentuan atë natë në shtëpinë time në Virgxhinia jashtë Uashingtonit dhe nuk kanë ndryshuar atë ditë e sot.  Ndryshe nga shumë diplomatë të tjerë, gjatë viteve, Lublini të lente përshtypjen si njeri i thjeshtë dhe pa pretendime, posedonte shumë cilësi të larta njerëzore.   Megjith sfidat shëndetsore, ai e përballoi situatën me kurajo të thellë dhe me një ndjenjë të lartë përgjegjësie në punën e tij prej diplomati dhe në jetën e përditshme.   Ishte tepër i urtë, me sjellje të një zotënie, por serioz në punën e tij dhe i vetdijshëm se përfaqësonte Shqipërinë.  Si i tillë, gjatë shërbimit të tij diplomatik në Uashington dhe në Nju Jork, ai i solli nder Shqipërisë, si në qarqet diplomatike amerikane dhe ndërkombëtare, po ashtu edhe në radhët e komunitetit shqiptaro-amerikan, pjesë e pandarë e të cilit ishte bërë ndërkohë që nuk mungonte kurrë në aktivitetet e tija, megjith sëmundjen e rëndë që e kishte lodhur shumë gjatë viteve të fundit të jetës së tij, ndërsa shërbente në Misionin e Përherëshëm të Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Jam dëshmitar se si diplomat i ri, ai përfaqësoi vendin e tij në kryeqytetin amerikan gjatë një periudhe shumë të vështirë për Shqipërinë dhe për ‘të personalisht.  Megjithë këto vështirsi përfshirë sfidat financiare dhe politike me të cilat përballej ambasada shqiptare në Uashington dhe vet Ambasadori Dilja     përfshirë krizën e mallëkuar që kishte pllakosur Shqipërinë në atë kohë, ai shërbeu me dinjitet dhe u këthye në atdhe, megjithse mund të rrinte dhe të vendosej në Amerikë në mënyrë permamente, ashtu siç bënë shumë diplomatë të tjerë shqiptarë gjatë viteve.  Me sjelljet e tija dhe bazuar në bisedat me ‘të gjatë asaj periudhe të vështirë për Shqipërinë dhe për marrëdhëniet amerikano-shqiptare, kurrë nuk u dëgjua t’i hidhte baltë Atdheut që përfaqësonte, të cilin e donte aq shumë, por ndjehej i privilegjuar që i ishte dhënë mundësia ta përfaqësonte atë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Madje edhe në biseda private, Ambasador Dilja nuk shfryhej kurrë si disa të tjerë për problemet personale ose institucionale në të cilat hasnin, por si përfaqsues i vërtetë dhe i denjë i vendit të tij, të lënte përshtypjen se ai ishte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në shërbim të Shqipërisë dhe jo domosdo në shërbim ose si përfaqsues i ndonjë partie ose individi të veçantë.

Puna e tij e zellshme dhe e palodhshme, megjith sfidat serioze shëndetësore me të cilat përballej trimërisht çdo ditë të viteve të fundit të jetës së tij – të pakën në publik, ashtu në heshtje dhe pa bujë vuante – si dhe dashuria e tij për Atdheun dhe interesat e tija, sidomos në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, e stolisin Ambasadorin Lublin Dilja me merita të veçanta dhe e bën atë shëmbull, të një diplomati të denjë dhe të respektuar të Shqipërisë, për brezat e ardhëshëm të diplomacisë shqiptare.

Për këtë arsye e kujtoj në këtë 60-vjetor të lindjes me respekt, jo vetëm për punën e tij si diplomat, por edhe si mik e dashamir i komunitetit shqiptaro-amerikan, pjesë e pandarë e të cilit ishte gjatë periudhës që përfaqësoi Shqipërinë në Uashington dhe në Nju Jork të Shtetet e Bashkuara.

Please follow and like us: