Albspirit

Media/News/Publishing

Historia e panjohur e Aleksandër Kondo, premierë në një dokumentar televiziv

Një projekt i ideuar nga zyra e prezencës së OSBE-së në Tiranë, në bashkëpunim me Radio-Televizionin Publik Shqiptar, do sjellin para teleshikuesve në ditët dhe muajt në vijim, një cikël të gjatë dokumentarësh televizivë, prodhimi i të cilëve ka filluar që në muajin shtator të këtij viti.
Sipas ideatorëve dhe organizatorëve të këtij projekti, ky cikël dokumentarësh ka si synim kryesor “Formësimin e Kujtesës Kolektive” dhe tenton të hedhë dritë e të ndriçoj disa nga ngjarjet e panjohura apo dhe ato më të bujshme të ndodhura gjatë periudhës afro 45-vjeçare të regjimit komunist të Enver Hoxhës në Shqipëri, duke sensibilizuar shoqërinë tonë mbi atë ç’ka kaluar për afro 45 vjet nën atë sistem diktatorial.
Projekti i mbështetur nga OSBE-ja dhe i shpallur për aplikim që në muajin korrik, titullohet “Përballje me të kaluarën” dhe realizohet nën kujdesin direkt të drejtorit të Përgjithshëm të Radio-Televizionit Publik Shqiptar, Thoma Gëllçi.
Fitues të këtij aplikimi ku kanë konkurruar një numër jo i vogël gazetarësh, skenaristësh, regjisorësh, producentësh etj., janë dy gazetarët e njohur, Dashnor Kaloçi dhe Monika Shoshori Stafa, të cilët prej vitesh, si në median e shkruar dhe atë vizive, në fokus të punës së tyre kanë pasur shkrime, emisione dhe dokumentarë të ndryshme, që i përkasin kryesisht periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe zbardhjes së krimeve të atij regjimi.
Sipas Dashnor Kaloçit dhe Monika Shoshori Stafa, dy bashkëautorëve që së bashku me stafin e tyre po realizojnë këtë projket, nga ky cikël dokumentarësh, i pari që do startojë transmetimin nga Radio Televizioni Publik Shqiptar, titullohet, “Aleksandër Kondo, fati i trishtë i një ëndrre”, i cili u transmetua dje nwe mbrëmje në ora 20.30, në kanalin RTSH 1.
Ky është një dokumentar i cili bën fjalë mbi jetën dhe karrierën e ish-sportistit të talentuar dhe legjendës së peshëngritjes shqiptare të viteve ’80-të, Aleksandër Kondo, i cili në vitin 1985, shfrytëzoi kampionatin Evropian të Peshëngritjes që po zhvillohej në Poloni, dhe gjatë kthimit me ekipin, u arratis në ish-Jugosllavi dhe më pas në SHBA, ku dhe humbi jetën dy vjet më pas, në rrethana ende të paqarta.
Sipas dy bashkëautorëve të projektit në fjalë, Kaloçi dhe Stafa, pas këtij dokumentari, do të vijoj transmetimi edhe me dokumentarët e tjerë si p. sh.:, “Shpella e lirisë” (kushtuar ish-kolonelit dhe deputetit Haxhi Hajdar Mani, i cili me urdhër të Mehmet Shehut, u ekzekutua me artileri në marsin e vitit 1963 në Shpellën e Rrjollit ku ishte ngujuar), “Shpëtim Gina, misteret e një ikje të koduar“ (kushtuar dramaturgut, skenaristit, libretistit dhe shkrimtarit Shpëtim Gina, i cili u mbyt në lumin e Drojës afër Mamurrasit në vitin 1974, në rrethana të paqarta ende), “Trazirat e një kohe të vrazhdë” (kushtuar të ashtuquajturit “Grupi armiqësor në Ekonomi” me Avdyl Këllezin, Koço Theodhosin, Kiço Ngjelën, Vasil Katin, etj, ku u pushkatuan dy zv/kryeministra dhe vdiqën në tortura dy bashkëpunëtorë të tyre, “Dritëhijet e ngjarjes së Baldushkut” (kushtuar të ashtuquajturit “Grupi armiqësor i lopëve të Baldushkut” në vitin 1977, ku u pushkatuan dy persona dhe një vdiq në tortura), “Tre ditët e lirisë”, (Kushtuar revoltës së Spaçit në vitin 1973, ku u pushkatuan katër të dënuar), “Elez Isufi dhe fati tragjik i familjes Ndreu”(kushtuar familjes Ndreu nga Sllova e Dibrës, e cila u masakrua nga regjimi komunist i Enver Hoxhës).
Po kështu nga ky staf realizues, janë edhe disa dokumentarë të tjerë që janë prodhuar apo janë në proces, ku përveç filmimeve, dëshmive, fakteve, intervistave e të dhënave para kamerave, të gjithë, janë mbështetur edhe mbi dokumente arkivore.

Please follow and like us: