Klodiana Vata: Emocionet që ndjeva para trajnerit të Lara Fabian
Pamela ALIAJ
Ajo është një nga zërat më të rinj të skenës së muzikës, e cila ka spikatur që në vogëli. Klodiana Vata është 15-vjeçarja nga Shkodra, që na ka bërë krenarë dhe ka arritur të mahnitë me performancën dhe vokalin e saj jurinë e “Le Voix de la Scene” në Francë, ku ka performuar përpara një jurie me kryetar Pierre Yves Duchan, trajnerin e Lara Fabianit, këngëtares së madhe franceze. Në një intervistë ekskluzive për “Vip Pages” të “Gazeta Shqiptare”, Klodiana ka folur për emocionet e asaj performance. Ajo na ka shpalosur gjithashtu se çfarë projektesh priten të sjellë së shpejti, si edhe propozimi që i është bërë nga një studio diskografike e mirënjohur në Francë.
Jeni vetëm 15 vjeçe dhe keni arritur një sukses të madh në kaq pak kohë. Si u ndjetë kur performuat në skenë përballë trajnerit Pierre Yves Duchan?
Rritja ime si këngëtare ka ardhur pasi kam 9 vite që marr pjesë në të gjitha konkurset dhe aktivitetet që janë zhvilluar në Shqipëri dhe jashtë saj. Të këndoja në skenën e “Le Voix de la Scene” përpara një jurie, ku kryetar ishte Pierre Yves Duchan ishte sa kënaqësi, aq edhe frikë se si do të pritesha.
Keni një projekt tjetër tani së shpejti që do nxirrni?
Po punoj për një projekt të ri, të cilin pres ta nxjerr nga fillimi i vitit 2018.
Ju kanë propozuar ndonjë bashkëpunim nga ndonjë shtëpi e njohur diskografike?
Më është ofruar të lidh kontratë me një nga shtëpitë diskografike më të mira në Paris, por nuk dua të zbuloj më tepër përsa u përket detajeve.
Cili është këngëtari që do të doje të bëjë një duet?
Këngëtari im i preferuar Kendji Girac.
Jeni prezantuar me këngën “Shi Lodre” në ‘TCH’. Si erdhi ideja e frymëzimi kësaj kënge?
Projekti im i parë ka ardhur si rezultat i dëshirës për të ardhur ndryshe nga herët e tjera, tashmë si një vajzë e rritur me një projekt të mirëmenduar.
Ka pasur ndonjë kompliment apo koment jashtë kamerave, që ju ka mbetur mbresë pasi përfunduat performancën në Francë?
Komplimenti i cili erdhi nga Pierre Yves Duchan, i cili u shpreh se ishte i impresionuar nga zëri im mbetet si komplimenti më i rëndësishëm për mua.
Cili është projekti i radhës ku do të marrë pjesë Klodiana?
Për momentin jam e angazhuar në shumë evente, pasi dihet që fundviti është i ngarkuar për të gjithë këngëtarët. Po punoj për një këngë të re, por siç thashë dhe më përpara, nuk dua të bëj akoma asgjë publike.
Kaq e vogël, me një zë kaq të bukur dhe potent. Si kanë qenë hapat e para tuajat?
Që e vogël kam rrezikuar duke zgjedhur këngë që kishin shtrirje vokale dhe duke bërë këtë zgjedhje kam mësuar që gjithmonë sfidat duhet t’i kem me veten. Unë besoj se ia kam arritur duke punuar shumë në këtë drejtim.
Kush ka qenë frymëzim për Klodianën që të nisë rrugën e muzikës?
Nuk mund të them se kam pasur ndonjë frymëzim, pasi në moshën 6-vjeçare ishte mësuesja e muzikës, e cila zbuloi tek unë zërin dhe insistoi që të vazhdoja në këtë rrugë.
Ku e sheh veten Klodiana pas 10 vitesh?
Ëndrra ime është që pas 10 vitesh të kem realizuar qëllimet e mia dhe në fund të ditës të jem e lumtur për këtë gjë./gsh/