Albspirit

Media/News/Publishing

Ndikimi i zgjedhjeve të Alabamës në betejat politike amerikane

Në Shtetet e Bashkuara, peizazhi politik duket se ka pësuar një ndryshim me rëndësi pas fitores së demokratit Doug Jones në zgjedhjet speciale të Alabamës, që njihet si shtet republikan. Jones mundi kandidatin republikan Roy Moore, një figurë problematike që kishte mbështetjen e Presidentit Donald Trump. Pas kësaj fitoreje, demokratëve u është shtuar besimi për sukses në zgjedhjet afatmesme për Kongresin vitin e ardhshëm, ndërsa republikanët po përpiqen të rimarrin veten. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Jim Malone ka përgatitur këtë material:

Në Alabama, mbështetësit e demokratit Doug Jones festuan fitoren e tij ndaj republikanit Roy Moore.

“Kjo fushatë kishte në thelb të saj respektin e përbashkët, në mënyrë që të gjithë njerëzit e këtij shteti, pavarësisht se në cilën zonë jetojnë, të ketë një shans të barabartë në jetë,” tha zoti Jones.

Zoti Moore nuk arriti të kapërcente akuzat për sjellje të pahijshme seksuale dekada më parë, që përfshinin disa gra të cilat ishin adoleshente në atë kohë, ndërsa ai ishte në të 30-at.

Kandidati republikan nuk e pranoi humbjen:

“Ne na paraqitën në një dritë të pafavorshme dhe të pabesë. Ne u vumë me shpatulla pas muri dhe kjo më kujton një pasazh të Biblës në Psalmin 40 që thotë: “Kam pritur me durim Zotin”. Kjo është pikërisht ajo që duhet të bëjmë”.

Presidenti Trump tha të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë se kishte shpresuar një rezultat tjetër:

“Do të doja të kishim fituar. Shumë republikanë ndihen ndryshe. Ata janë shumë të kënaqur me mënyrën se si përfundoi gara. Por, si udhëheqës i partisë, do të doja ta kishim këtë vend në senat. Unë nuk mund të mos mbështes ata që kandidojnë.”

Zoti Jones fitoi pjesërisht për shkak të një pjesëmarrjeje të fortë të demokratëve, veçanërisht të afrikano-amerikanëve. Moore u dëmtua sidomos nga pjesëmarrja e vakët e republikanëve.

Demokratët u gëzuan veçanërisht për faktin që arritën fitore në një shtet thellësisht republikan si Alabama. Ja si u shpreh udhëheqësi demokrat i senatit, Chuck Schumer:

“Ju i arritët të gjitha këto: i dhatë energji bazës, të rinjtë votuan kryesisht për demokratët, periferitë u kthyen përsëri në drejtim të demokratëve dhe kjo do të thotë se punët po na shkojnë mirë.”

Fitorja e zotit Jones me siguri do të shkaktojë tronditje politike, pasi të dyja palët po mendojnë tani për zgjedhjet e kongresit vitin e ardhshëm, thotë analisti Larry Sabato:

“Nëse do të merresha me fushatën republikane për Senatin, për Dhomën, për guvernatorin, do të isha vërtet i shqetësuar, sepse duket se po vjen një valë gjigante, një valë demokrate.”

Ndërkohë, Presidenti Trump vazhdon të përballet me një shkallë të ulët të miratimit nga publiku.

Humbja e një vendi në Senat mund t’ua bëjë më të vështirë republikanëve për të qeverisur, thotë ekspertja Molly Reynolds:

“Republikanët tani do të kenë 51 vende në senat dhe jo 52 si më parë. Ne kemi parë herë pas here gjatë vitit se edhe me 52 vende ata kanë patur probleme për të miratuar ligje.”

Udhëheqësit republikanë të Kongresit thanë të mërkurën se kanë rënë dakord për një version përfundimtar të projektligjit mbi reformën e taksave, një premtim kryesor i fushatës së zotit Trump.

Republikanët shpresojnë ta përfundojnë punën me planin e shkurtimit të taksave para se zoti Jones të bëjë betimin si senator muajin e ardhshëm.

Please follow and like us: