Albspirit

Media/News/Publishing

“The New York Times”, nga 1 janari, me botues të ri

Arthur Gregg Sulzberger do të jetë brezi i pestë në familjen e tij që drejton gazetën që nga blerja e saj më shumë se një shekull më parë

 

Arthur Sulzberger Jr. vendosi të enjten që t’ia kalojë Kompaninë e “The New York Times” të birit Arthur Gregg Sulzberger.
Ishte një veprim që pritej sipas traditës së familjes që boton gazetën më të shquar njujurkeze dhe një nga më të mëdhatë në mbarë botën.
37-vjeçari Arthur Gregg, që merr frenat në duar në 1 janar 2018,njihet nga miqtë dhe kolegët thjesht si “A.G.” dhe pritet që të simbolizojë ardhjen e një brezi të ri gazetarësh e drejtuesish për gazetën tradicionale liberale.
Babai i tij, Sulzberger Jr, ka vepruar si botues që prej 1992 dhe do të dalë në pension në fund të vitit, ndonëse do të vazhdojë të qendrojë si kryetar i bordit të drejtorëve të Kompanisë së “The New York Times”.
A.G. ishte në konkurrencë me dy kushërinj, Sam Dolnick dhe David Perpich, për kreun e gazetës, e cila mbetet një biznes familjeje, një lloj relike e të kaluarës, ndryshe nga shumica e gazetavëe të kohës sonë.
Edhe kjo gazetë tani është vendosur në pronësi të kompanisë aksionere me të njëjtin emër, por një kategori e posaçme stoqesh janë në pronë të familjes Sulzberger në mënyrë që të kenë kontrollin mbi çdo votim për drejtimin dhe të ardhmen e gazetës.
A.G. është i pesëti brez nga familja që vendoset në krye të “The New York Timnes”, të cilën e stërgjyshi Adolph Ochs e bleu në 1896.
Ashtu si babai i tij, botuesi i ri ka punuar si gazetar për shumë vite për të mësuar zanatin. Madje ka punuar në dy gazeta të tjera, përpara se të vendosej në redaksinë e qytetit të Nju Jorkut. Ai është angazhuar më pas në dixhitalizimin e gazetës, projekt që shpreson ta mbajë të suksesshme në shekullin e ri, kur media tradicionale është dobësuar dhe shumë tituj të mëdhenj të gazetarisë janë mbyllur ose kanë humbur peshën. (Ruben Avxhiu)

Please follow and like us: