Albspirit

Media/News/Publishing

Oerd Bylykbashi: Ja përse duhet të futet teknologjia në zgjedhje?

Deputeti i PD dhe bashkëkryetari i komisionit të reformës zgjedhore, Oerd Bylykbashi, ka dhënë dje argumentet se përse duhet të futet teknologjia në zgjedhje. Në konferencën e djeshme mbi këtë çështje, ai ka thënë se palët duhet të bisedojnë, pasi është proces që do kohë. “Të gjitha sfidat do trajtohen me prioritet, përfshirë edhe votimin elektronik në zgjedhjet e ardhshme. Përdorimi i teknologjive ose ndryshe votimi elektronik kërkon kohë për tu zbatuar, e kemi provuar edhe më para por ka qenë e pamundur të realizohet për shumë arsye. Për mua duhet të vihet në zbatim për dy arsye, e para ka të bëj me përdorimin e teknologjisë në votim, e dyta, ka të bëj me votimin e emigrantëve. Duhet zhvilluar një studim me seriozitet, duhet të filloj që tani ky proces për ta realizuar brenda afatit kohorë. Shpresoj që tani ky problem të zgjidhet, pavarësisht se ka dështuar në të kaluarën për shkak të mundësive. Kjo nuk do të thotë se nuk ka pasur vullnet politik, e them me siguri se ka pasur konsensus”, tha ai. Bylykbashi deklaroi e arsyeja kryesore e teknologjisë në zgjedhje është të kthehet besimi te qytetarët. Sipas tij, abuzimet nga partitë në pushtet janë të shumta. “Shqipëria herët a vonë duhet ta trajtojë këtë çështje, ndryshe do ngelemi në vend. Në kushtet e Shqipërisë, zgjedhje pas zgjedhje krijojmë mosbesim, i kemi thyer besimin publikut, tashmë duhet të ndryshoj kjo gjendje. Abuzimi me burimet shtetërore nuk është se përdoren vetëm disa makina por abuzimi është më i madh se kaq. Në vitin 2007 vendosëm kartën e identitetit si zgjidhje por tani po përdoret për prenontimin e votës së zgjedhësit me kartën e identitetit së bashku me paratë e blerjes së votës, kjo po ndodh për shkak të përdorimit nga rrjetet kriminale. Ata janë të detyruar sepse të nesërmen shkojnë te dera trokasin dhe i kërkojnë llogari pse nuk votove”, tha ai. Bylykbashi u ndal dhe te vota e emigrantëve. Sipas tij, në zgjedhjet e deritanishme është votuar në emër të tyre. “Emigrantët nuk votojnë, ndërsa persona të caktuar abuzojnë duke votuar në emër të personave të tjerë pa pasur asnjë lidhje, këto personifikime e bëjnë të domosdoshme që të vihen filtra për administrimin e zgjedhjeve. 1500 vota në qarkun e Lezhës u rinumëruan dhe shtuan mandatin për dikë tjetër jo për atë që duhej”, tha ai.

Please follow and like us: