Albspirit

Media/News/Publishing

Shoqëria e varfër, pjesë nga buxheti i shtetit të përdoret për parandalimin e dhunës

Izmira Ulqinaku*

Të flasësh për dhunën në familje në Shqipëri, të duket sikur jep një statistikë lufte. Sipas burimeve të Policisë së Shtetit, nëntë gra kanë humbur jetën në periudhën janar-shtator të këtij viti, ndërsa ҫdo ditë arrestohen dy meshkuj për dhunën e ushtruar në familje. Vetëm në periudhën janar-gusht 2017, janë denoncuar rreth 3.000 raste dhune dhe janë arrestuar 478 meshkuj. Po gjatë kësaj periudhe, sipas të dhënave zyrtare, në shkallë vendi nga 2100 çështje që janë shqyrtuar nga gjykatat një e treta e tyre janë mbi dhunën në familje, ndërkohë që përllogariten që të jenë lëshuar rreth 800 kërkesa të grave për urdhëra mbrojtjeje nga bashkëshortët apo ish-bashkëshortët dhunues. Po kështu, në raportin për vitin e kaluar të Policisë së Shtetit theksohet që 38 përqind e gjithë vrasjeve u shkaktuan nga krimi në familje.

Pas këtyre shifrave, mbetesh pafjalë. Aq më tepër kur duke e njohur realitetin e shoqërisë tonë, e dimë mirë se është edhe më keq nga sa flasin këto shifra. Një pjesë e mirë e rasteve të dhunës nuk denoncohen kurrë. Nuk mund t’i matësh. Ashtu siç sqaron edhe INSTAT-i, se në Shqipëri është e vështirë të matet niveli për përhapjen e dhunës në familje, pasi ky fenomen konsiderohet si çështje familjare, se si rrjedhojë, ndër faktorët që mund të ndikojnë në raportimin e ulët të dhunës në familje, mund të përmenden turpi, frika nga ndëshkimi dhe normat kulturore.

Padyshim që dhuna në familje nuk është një problem periferik, por një prej plagëve më të mëdha që rëndojnë në shoqërinë tonë. Sipas sondazheve të publikuara rezulton që 53 përqind e grave të pyetura kanë qenë të dhunuara në më shumë se një herë nga bashkëshortët, apo fëmijët e tyre.

Është një prej tragjedive që po pëson shoqëria shqiptare, sepse edhe gratë që arrijnë t’i mbijetojnë dhunës së ushtruar nga bashkëshortët, në pjesën më të madhe të rasteve vuajnë nga probleme shëndetësore, psikologjike dhe fizike më pas. Në këto kushte dhuna në familje nuk mund të injorohet aspak, as si problem social, por edhe as si problem shëndetësor.

Po pse kemi mbërritur në një pikë të tillë?

Patjetër që kjo situatë e rëndë është e lidhur edhe me faktorë kulturorë, që kanë të bëjnë me natyrën patriarkale të shoqërisë sonë, me natyrën e shumë burrave shqiptarë që kanë konceptin se gruaja është prona private. Nuk mund ta pranojë se gruaja ka dinjitetin, integritetin dhe jetën e vet, ku në thelb burri e sheh gruan e tij si pronën e vet, si qenie pa dinjitet, pavarësi, ëndrra dhe dëshira, mendësi kjo që i bën marrëdhëniet bashkëshortore të dhunshme. Pavarësia dhe mundësitë për një jetë më dinjitoze që i ka krijuar vajzave dhe grave shqiptare periudha e pluralizmit, vazhdon të bjerë ndesh me këtë mentalitet patriarkal që nuk i  përballon dot këto ndryshime.

Por a është vetëm ky mentalitet faktori kryesor, shkaku i përhapjes së këtij fenomeni të mbrapshtë në shoqërinë shqiptare?

Jo! Ai ka ardhur duke u shtuar gjatë këtyre viteve të fundit, duke mbërritur pikun e tij më 2017. Një prej arsyeve kryesore, për të mos thënë dominantja, është varfëria.

Siç përllogarit edhe Banka Botërore është rreth 32.8% e popullsisë ose rreth 1 milion persona që financojnë nevojat e tyre të jetesës me më pak 5 dollarë në ditë. Edhe në krahasim me rajonin, Shqipëria vijon të pozicionohet mjaft dobët në treguesit e varfërisë. Përqindja e popullsisë që jeton me rreth 5 USD në ditë është shumë më e ulët sesa në Serbi, Maqedoni, Bosnjë, dhe Kosovë.

Studimet e fundit të sociologëve dhe psikologëve, vendas dhe të huaj mbi shoqërinë shqiptare, bashkohen në një pikë: agresiviteti i dukshëm në shoqërinë shqiptare është rezultat i humbjes së shpresës se në këtë vend mund të bëhet një jetë normale, sepse njerëzit e thjeshtë po vuajnë pasojat e mjerimit të ekonomisë së familjes, po vuajnë pasojat e papunësisë e të pamundësisë për të ndërtuar një jetë më të mirë për veten apo fëmijët.

Ndërkohë që nuk duhet lënë pa përmendur edhe një faktor i tretë që dita-ditës po bëhet më evident, përdorimi i drogës. Instituti i statistikave, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ka pasqyruar të dhënat mbi normën e ndryshimit në numrin e raportimeve të dhunës në familje si dhe të dhënat mbi të miturit dhe femrat të prekur nga ky fenomen, dhe sipas statistikave të këtij institucioni, rezulton se sidomos dy vitet e fundit rritja e rasteve të dhunës në familje është rritur ndjeshëm. Pse kjo rritje e tillë gjatë këtyre dy viteve të fundit?

Përgjigjen e gjejmë tek Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin e cila publikon çdo vit raportin mbi kultivimin dhe trafiqet e drogës, dhe shohim se raporti i 2017-s, qartësisht e përmend Shqipërinë si vend me rritje të numrit të përdoruesve të lëndëve narkotike. Sipas publikimit, Shqipëria, si asnjëherë tjetër më parë, përmendet jo vetëm si një nga vendet kyçe në trafikimin dhe prodhimin e kanabisit, por e veçanta është se raportet japin gjithnjë e më shumë alarmin se substancat narkotike psikoaktive po përdoren gjerësisht nga të rinjtë shqiptarë. Mjafton të verejme raportimet mbi rastet e dhunës në familje, ku rezulton se në mjaft raste dhunuesit kanë qenë nën efektin e lëndëve narkotike, ose kanë arritur deri në krim për t’i marrë familjarit apo të afërmit para për të blerë drogë.

Në Shqipëri ligjeve të mira që janë realizuar në këtë drejtim, që mund të quhen të nivelit europian, duhet t’u përgjigjet infrastruktura e duhur që kur ato zbatohen të kenë efektin e duhur. Nuk janë të pakta rastet kur gruaja me urdhër mbrojtjeje nga gjykata, lihet të jetojë në një apartament me ish-bashkëshortin dhunues! Duhet të forcohen institucionet publike që kanë detyrë dhe përgjegjësi të parandalojnë dhunën, institucionet që mbështesin viktimat e saj, kapacitetet financiare dhe burimet njerëzore që t’u mundësojnë të mbijetuarave nga dhuna riintegrimin në shoqëri.

Por mbi të gjitha, mendoj se sado strategji dhe ligje të bëjmë, çelësi qëndron edhe tek përcaktimi i minimumit jetik dhe sigurimi i tij për popullatën. Një shoqëri e varfër gjithnjë do të ketë dhunën shfaqje të saj, e shfaqja e agresivitetit ndodh dhe bën viktimë të saj gjithmonë më të dobëtit dhe më të pambrojturit, gratë dhe fëmjët. Duhet patjetër të implementohet një përqasje më e qëndrueshme dhe koherente për të parandaluar dhunën në familje. Pse jo, një pjesë e buxhetit të shtetit të përdoret për të parandaluar dhunën në familje.

Është një detyrë e gjithë shoqërisë shqiptare, por sidomos e qeverisë. Dhuna në familje duhet të parandalohet, sepse çfarëdo që të bëhet më pas, e dimë mirë se asgjë s’mund t’i kompensojë viktimave të saj dhimbjen e viteve të pajetuara, dhimbjen e rinisë së humbur, apo të dinjitetit të nëpërkëmbur.

*Deputete e PD në Kuvendin e Shqipërisë

Please follow and like us: