Shqipëri-Maqedoni nesër takimi i dy qeverive, ja çfarë do të bisedohet
Qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe ajo e Republikës së Maqedonisë do të zhvillojnë takimin e parë të përbashkët ndërqeveritar në 15 dhjetor, në Pogradec.
Në fokus të bisedimeve që do të mbahen ntë premten në “Hymeti Palace”, në orën 14.30, do të jetë përmirësimi i marrëdhënieve dypalëshe përmes bashkëpunimit të shtuar në fushën e infrastrukturës, ndërtimi i korridorit 8, intensifikimi i shkëmbimit të mallrave dhe shërbimeve si dhe forcimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë.
Është lajmëruar se në orën 16.30, Kryeministri Rama dhe homologu i tij Zaev do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.
Gjithashtu në këtë takim do të nënshkruhen disa dokumenta të rëndësishëm, përfshi këtu planin e konsultimeve periodike midis ministrive të Jashtëm të të dy vendeve, një memorandum bashkëpunimi midis ministrive të Brendshme, si dhe do të miratohet formimi i një Këshilli Ekonomik Dypalësh.
Në fushën e kulturës dhe shkencës do të nënshkruhet memorandumi për intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh përmes Institutit për Trashëgiminë Kulturore dhe Shpirtërore të shqiptarëve të Maqedonisë. Gjithashtu, do të nënshkruhet një memorandum bashkëpunimi në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, si dhe një marrëveshje për ndihmë reciproke në manaxhimin e emergjencave.