Albspirit

Media/News/Publishing

Vrau dhe groposi biznesmenin në Dajt, 25 vite burg për Mnerin

Gjykata e Tiranës ka dënuar në mungesë, me 25 vite burg Bledar Mnerin. 32-vjeçari Mneri është shpallur fajtor nga kjo gjykatë për vrasjen e biznesmenit të ndërtimeve Vasil Biba. Procesi gjyqësor për gjykimin e kësaj çështje penale, u zhvillua me procedurën e gjykimit të zakonshëm dhe në mungesën e të pandehurit, që me vullnetin e tij i është shmangur drejtësisë. Ai nuk ishte i pranishëm, duke u përfaqësuar në këtë gjykim. Në mungesë të tij ai u përfaqësua në këtë proces nga avokati i caktuar nga familjarët e tij. Mbrojtësi i të pandehurit në konkluzionet e fundit kërkoi në baze te nenit 388/d te K.Pr.Penale, deklarimin e pafajsisë të të pandehurit Bledar Mneri për akuzat që rëndojnë mbi të. Avokati i të pandehurit u shpreh përpara trupit gjykues se dënimi i klientit të tij nuk bazohet në asnjë provë shkencore apo dëshmitar okular dhe të besueshëm. Ne përfundim, Gjykata ka arritur ne përfundimin se Bledar Mane është fajtor dhe u dënua me 25 vite burg në mungesë. Ndërkohë që Bledar Mane është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare, pasi në maj të 2014 ai ka dalë nga burgu, pasi përfitoi nga amnistia. Bledar Mneri ishte dënuar me 25 vite burgim për vrasje. Mneri vrau në 1997 një efektiv policie në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë. Ai u arrestua dhe vuajti pjesën më të madhe të dënimit. Ndërkohë që vrasja e Bibës është bërë për shkak të borxheve, pasi viktima i ka marrë autorit një shumë prej 36 mijë eurosh për blerjen e një dyqani më zonën e Unazës së Re. Vasil Biba dyshohet se u rrëmbye në afërsi të rrugës “5 Maji” në Tiranë nga të paktën 3 persona, në fund të dhjetorit 2015. Ai u dërgua me një makinë tip Range Rover në drejtim të Priskës, në Dajt, ku edhe është vrarë dhe më pas është groposur në zonën e Zabelit. 36-vjeçari u qëllua me dy plumba pistolete 9 milimetër në kokë. Viktima rezulton një person me precedent penalë, i dënuar dy herë nga Gjykata gjatë vitit 2015, për fshehje të të ardhurave si administrator i një kompanie private dhe për drejtim të mjetit pa patentë. Për të dy veprat, ai ishte dënuar me dy vjet burg, por për shkak të gjykimit në gjendje të lirë ishte fshehur dhe rezultonte i shpallur në kërkim. Ai po hetohej edhe për disa kontrata fiktive në shitjen e disa apartamenteve në Tiranë.

Please follow and like us: