Forca e vargut në vëllimin poetik “Qetësojmë shpirtin e trazuar”
Bukuria, hijeshia dhe forca e vargut në vëllimin poetik “Qetësojmë shpirtin e trazuar”.
Ilir Cenollari
Poezia e Kujtim Matelit është poezi epike dhe lirike, dy motive madhore që shkrihen me njëri-tjetrin dhe krijojnë harmoninë. Ajo ushqehet nga dashuria e pakufishme për atdheun, për popullin, për natyrën dhe historinë shqiptare. Poeti ndodhet si i zënë në kurth, si i burgosur midis dy maleve të lartë, mes Tomorit hyjnor dhe Trebeshinës së perëndishme, jo thjesht si dy lartësi, si dy simbole, por dhe si dy pika orientuese në hapësirë dhe në kohë, si synim, si gjallim, si ekzistencë!
Rrjedha shekullore e Vjosës së kaltër nuk e shuan dot etjen e poetit, ajo e ndez më tepër shpirtin dhe frymëzimin e tij, i jep krahë, shkëlqim, forcë, bukuri, hijeshi… Brenda këtij qerthulli natyror, hapësinor, shpirtëror, brenda kësaj vatre të shenjtë që e pushton me valë dashurie dhe malli, ndjeshmërie dhe lumturie, poeti vështron me shqetësim trojet e rudhura të atdheut të vet dhe u drejtohet shqiptarëve kudo që ndodhen që ta duan më shumë atë, të mendojnë për të, të lindin dhe të vdesin për të! Nga ky qerthull natyror që krijohet midis dy maleve të shenjtë, poeti i drejtohet çdo qytetari të botës që ta dojë më shumë planetin Tokë dhe të mendojë për të çdo ditë e çdo orë, sepse e ardhmja e pasardhësve tanë është e lidhur pazgjidhshmërisht me Tokën-Mëmë.