Albspirit

Media/News/Publishing

Katjusha Pogaçi rishkruan kohën në vargje poetike

 

Çerçiz Loloçi

Katjusha Pogaçi rivjen sërish para lexuesve me përmbledhjen poetike “Shkruaj kohën”, në të cilën janë përfshirë gjashtë cikle dhe rreth 98 poezi. Përvoja e gjatë në organet letrare të kohës që lamë pas apo puna si gazetare në Radio Tirana e kanë shtyrë atë që me çdo poezi të kumtojë diç tjetër nga krijuesit e tjerë, madje të bëjë art edhe atje ku nuk shkon një sy i zakonshëm. Larmi motivesh nga ato më të thjeshtat, më të parëndësishmet e deri te ato me spektër kombëtar rimerren nga poetja për të dhënë një mesazh apo për të shprehur një kumt të pangjashëm.

Nga vëllimi i parë “Fjala jonë”, nga koha e botimit të herëpashershme në organet letrare e deri te ky vëllim vërehet lehtë se autoja është më e lirë dhe më pa censurë duke përsorur mjetet e shprehjes dhe me një shqetësim të vazhdueshëm për të qenë vetvetja.

Katjusha Pogaçi preferon rimën në vargjet e saj, çka e bën edhe më komunikuese me lexuesit e gjerë. Filozofia e jetës njerëzore nga lindja e deri në etapat më të mbrame të saj përthyhen në një varg poezish, të cilat lëmë gjithsesi një porosi, një amanet apo një sentencë.

Në ciklin e parë poetik “Kur bota më e mirë të jetë” autorja ka përfshirë vjershën përfaqësuese si dhe krijimet: “Globale”, “Kjo botë që këlthet”, “Botë e vështirë”, “Tokë e shkelur”, “Ngjarjet e Kosovës”, “Shtatzani e dhunshme”, “Ballkan”, “Kjo tokë e bukur” dhe “Një qiell paqeje”.

Cikli i dytë “Gurë kilometrikë” përmbledh vjershën përfaqësues, por edhe poezi që përjetësojnë kakakollin që bën rojë, dëshirën për ta thirrur në emër, paktin me vdekjen, hapat njerëzorë, mëdyshje për vrasjen e ëndrrave, keqkuptimet, babai i ndjerë mbi zajet bardha në kodër të Picarit, etj.

“Gjeografia e zemrës” është cikli i tretë i përmbledhjes poetike, ku autorja kalon nga një gjendje në tjetër duke u endur hapësirave të tejskajshme, kushtimit për nipin Eduart, ndjenjës së mëmësisë dhe të gjyshërimit, letrat për vajzat dhe të tjerë të njohur që kanë lënë mbresë në shpirtin e saj, gurra e Picarit, etj.

Poezi të tjera të mrekullueshme gjen edhe në tri ciklet e tjera: “Kohë në filtër”, “Peisazhe” dhe “Në udhëtim” ku fare thjesht nga emërtimi i poezisë kupton se Katjusha Pogaçi ka lëvizur në disa vende europiane dhe ka gjetur atje muzën e krijimit.

Ku ke përfundur krejt përmbledhjen poetike të Katjusha Pogaçi duket sikur gjendesh përpara një proces katarsisi, ku shumë ndodhi të saj, raportet me nënën, babain, bashkëshortin, fëmijët, nipërit duket se të kanë ngjarë edhe ty, çka tregon se tema thjesht njerëzore marrin një karakter universal që vetëm poezië e bën në mënyrën e vet. Ndryshe nga proza ku një krijim i jashtëzakonshëm përjetohet në vetmi, poezia ka edhe një anë tjetër, atë të deklamimit nëpërmjet interpretimit dhe pikërisht këtë veçori e ka shumica e krijimeve poetike të autores që shpërndajnë të tjera emocione nga mjeshtëria aktoreske.

 

Cikël poetik nga libri “Shkruaj kohën” të Katjusha Pogaçit

BALLKAN

Ballkani ku ne jemi,
Jam unë, je dhe ti
Një emër dhe një folje 
Në rrënjë, në histori,
Bashkë me baladat
Luftë edhe mjegull,
Ball – kanë këta popuj
Të rëndë në shekujt.

Ball – kanë
E, në ball
Mendimin stuhi,
Shpresën nëpër erë
Shkëndijat në sy,
Pasion dhe legjenda
Portretin e bukur,
Por shpesh rri mëria
Thellë bishë e strukur.

Veç lumenjtë ecin,
Vrapojnë veri
Vijnë tek unë,
Vijnë dhe te ti,
Si krushq të rrëmbyer
Vrapin n’arrati,
Nuse Drini i Bardhë,
Kalë Drini i Zi.

Ballkan me kaq male, ¬
Ballkan me kaq halle,
Pyje e lumenj,
Popuj e kufij,
Gjuhë e liqenj
Zjarr edhe shkëndi…
Nëntoka flet,
Mbitoka gjëmon
Njëra rizgjohet
E tjetra përgjon…

S’je veç gjeografi,
Je dhe ti një botë,
Ku bien lahuta
E përplasen dallgë,
Brigjeve tragjikë
Maleve tragjikë…
Retë kreshpërohen
Erërat ngatërrohen
E gjuhët këlthasin.

Kurse thellë në shpirt
Ti me shpresën luan.
Shpresa jote e madhe
Bukuri e hajthme,
Në pasqyrë kohësh
Reflekton thesare…
Shikoi, kuptoi
Dhe s’ke për t’i humbur.
Bashkoi gjerdan
Do t’i kesh përfare…

E martë, 23 janar 2001.

 

KUR BIE SHI

Kur bie shi më vjen të qaj
Krejt ndihem si fëmijë,
Jo se dikush më zë në faj
Thjesht ujë e bokërimë.

Atëherë në vjeshtë, në tetor
Kur qielli zë e mbyllet,
E murrët dita tej për tej
Qepur me fill kujtimesh.

Po bie shi, po bie shi
S’është gjë e re, është krejt e vjetër,
Mjegulla ulet mbi çati
S’duket më tej çatia tjetër.

Ashtu si reja përmbi majë
Plot gjëra merr e mbledh në prehër,
Se ç’më ngjason se bukuritë
Nuk janë zhdukur, thjesht janë fshehur.

E marr përdore veten time
Dhe ecim si dy vetë mërguar…
Mos gjejmë lodrat e fëmijëve
A bojë mellani diku shkruar.

Mos gjejmë këngë e nina-nana
Nga kohë që thellë tani kanë ikur,
Trima të mbetur nga përrallat
Ndonjë kandil ende pa fikur.

Por mjegulla shtrihet lëndinë
Pas reve prapë përtej ka re,
Njerëzit e shtrenjtë edhe të mirë
Me xhelozi shumë larg m’i fsheh.

Dhe eci pa fjalë e pa mend
Me flokët erës shpupurisur,
Në ngjyrë të reve flokët bërë
Me ëndrrën hapur e gremisur.

Gjirokastër, E mërkurë, 13 tetor 2010.

 

Ishin ca kohe te arta

Ishin ca kohe te arta
kur endrra merrte flatra
nen emrin femijeri.

Kenaqej me nje liber per dore
ca vizatime ne nje fletore
leviznin si me magji.

Dhe rruget kalldrem hidhnin valle
e Mali i Gjere ne dritare
sa drite sillte aty.

Bota me ngjante e madhe
e madhe, ne krahe me mbante,
gjer gjumi me vinte ne sy.

6 dhjetor 2010.

DRITARJA VJESHTORE

Erdhi vjeshta,
shkroi ca fjalë,
Te gjethja lyer në të verdhë,
I gdhendi në shpirt, në ecje, në ballë
Në fletën që kërcellin përkthen.

Ke filluar të rrish më shumë në dritare
Sikur flet me gjuhën e zogjve,
I vesh fytyrës një dhimbje të madhe
A thua fundi i vjen kësaj bote.

E di,
afron dimri, do të kemi ftohtë.
Ndoshta për drurët në mal mendohesh,
Ndoshta të vjen keq që koha shkon
Dhe stinët varg ndërrohen.

Je bërë më i heshtur, sa çudi
Ç’të mban
e s’të lë të flasësh?!
Më ngjan se stina bisedon me ty
Dhe zogjtë që në xham trokasin.

Unë hesht,
heshtja flet me shpirtin,
Ndaj mbetet shpesh e bekuar…
Ti mendon për vende të largëta
Që bora tashmë ka mbuluar?!

Ndoshta kjo reale nuk është
Por, thjesht, fantazia ime,
Çarten në erë figura të përmallshme
Mendimi, kjo pronë divine.

Për një çast t’i kam veshur ty kujtimet
E kohëve të largëta,
që ikën, më s’vijnë,
Dimrin, një sobë, në një fshat të vogël
Nënën në dritare…të priste t’i vije.

Nëna s’është më, më dhimbset si iku,
Ndoshta në heshtje shohim të njëjtën gjë,
Të përqafoj me mendje, në dritaren vjeshtore
Vjen koha të hyjmë në dimër,
përgjithnjë.

E diel, 17 prill 2005.

Please follow and like us: