Albspirit

Media/News/Publishing

Tillerson, qëndrim më i ashpër ndaj Koresë së Veriut

Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson u tërhoq sot nga oferta që kishte bërë pak ditë më parë për zhvillimin e bisedimeve pa kushte paraprake me Korenë e Veriut. Ai u tha fuqive botërore të mbledhura të premten në Nju Jork, se Pheniani, që zotëron armë bërthamore, duhet ta meritojë të drejtën për të negociuar me Shtetet e Bashkuara.

Deklarata e Sekretarit të Shtetit para Këshillit të Sigurimit të OKB-së shënoi një ndryshim të habitshëm, pasi ai kishte propozuar në fillim të javës, që diskutimet me Phenianin të zhvilloheshin pa vendosur kushte paraprake. Këto komente të tij u kundërshtuan menjëherë nga zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë.

Megjithatë, zoti Tillerson kishte planifikuar ta përsëriste të premten thirrjen e tij në takimin minisrave të jashtëm të Kombeve të Bashkuara, për çështjen e Koresë së Veriut, duke theksuar që Pheniani duhej t’i jepte fund sjelljes me kërcënime, para fillimit të bisedimeve. Por Sekretari Tillerson e ndryshoi fjalimin e tij.

“Koreja e Veriut duhet ta meritojë pjesëmarrjen në bisedime”, – i tha zoti Tillerson ministrave të jashtëm. “Fushata e presioneve duhet dhe do të vazhdojë derisa të arrihet çmilitarizimi. Ndërkohë, ne do t’i mbajmë të hapura kanalet e komunikimit”.

Debati lidhur me ofrimin e bisedimeve pa kushte tregon për mendimet e ndryshme brenda administartës Trump, ndërsa skadon afati për ta ndaluar Korenë e Veriut të perfeksionojë raketat bërthamore, të afta për të arritur deri brenda territorit të Shteteve të Bashkuara. Presidenti Donald Trump është zotuar të mos e lejojë Phenianin të ketë këtë aftësi bërthamore, qoftë edhe përmes ndërhyrjes ushtarake.

Deri tani, sanksionet e miratuara nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara ndaj Koresë së Veriut dhe izolimi diplomatik, nuk e kanë detyruar qeverinë e Kim Jong Un-it, që t’i ndalë provat me raketa, në shkëmbim të negociatave të drejtpërdrejta.

I pyetur në se ai mbështet bisedime pa kushte me Korenë e Veriut, Presidenti Trump të premten nuk ju përgjigj pyetjes në mënyrë të drejtpërdrejtë. “Të shohim se çdo të ndodhë me Korenë e Veriut. Ne kemi mbështetje të madhe. Një numër i madh vendesh janë dakord me ne, thuajse të gjithë”- u tha Presidenti Trump gazetarëve. Ai tha se Kina, që e zhvillon 90 për qind të tregtisë së jashtme me Korenë e Veriut, ka ndihmuar, duke ushtruar presion ndaj Koresë së Veriut, ndërsa Rusia tha ai, nuk ka ndihmuar sa duhet.

Në fjalimin e tij në Kombet e Bashkuara, zoti Tillerson i bëri thirrje Kinës dhe Rusisë, që t’i tejkalojnë sansionet ekonomike të miratuara në OKB.

Ai tha se punonjësit koreano-veriorë punojnë si skllevër, në kushte tepër të vështira në Rusi, për paga që përdoren për financimin e armëve bërthamore, ndërsa Kina tha ai, vazhdon të lejojë kalimin e naftës bruto në rafineritë e Koresë së Veriut.

Koreja e Veriut ka kryer më tepër se 20 prova me raketa balistike gjatë vitit 2017 dhe shpërthimin më të fuqishëm bërthamor deri më sot.

Tillerson tha se fuqizimi në rritje i kapacitetit bërthamor të Koresë së Veriut përbën “një kërcënim të drejtpëdrejtë ndaj sigurisë sonë dhe asaj të mbarë botës”. Ai tha se Shtetet e Bashkuara nuk kërkojnë luftë, por se “do të përdorin të gjitha masat e nevojshme për t’u vetëmbrojtur nga një agresion i Koresë së Veriut”. Ai tha “Shpresa jonë mbetet që kjo çështje do të zgjidhet përmes diplomacisë”.

Toni i Sekretarit të Shtetit ishte shumë i ndryshëm nga ai i tre ditëve më parë.

Tillerson dhe Trump kanë shfaqur përplasje edhe më parë për çështjen e Koresë së Veriut, duke ngritur pikëpyetje lidhur me të ardhmen e kryediplomatit amerikan, dikur ekzekutiv i kompanisë ExxonMobil.

Në tetor, presidenti Trump tha se zoti Tillerson “po humbte kohën e tij”, duke u përpjekur të negocionte me Korenë e Veriut.

Please follow and like us: