Albspirit

Media/News/Publishing

Vasili: Administrata e Kuvendit i shërben vetëm deputetëve të PS

Kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili ka denoncuar veprimet e administratës së Kuvendit. Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, Vasili thotë se administrata e Kuvendit të Shqipërisë i shërben vetëm deputetëve socialistë.

“Për administratën e z. Gramoz Ruçi dhe për ministren Manastirliu ka vetëm deputetë socialistë. Parlamenti për këta ka vetëm 74 deputetë. Skandal i padëgjuar, administrata e Kuvendit të Shqipërisë, tanimë e revolucionarizuar, është në shërbim të plotë vetëm të grupit të deputetëve socialistë dhe është thjeshtë një zgjatim i tij, shkruan Vasili.

Sakaq deputeti i LSI thotë se ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu nga ana tjetër për të vizituar jetimoret apo azilet, njofton vetëm deputetët socialsitë dhe jo ata të forcave të tjera politike.

“Ndërsa ministrja Manastirliu nuk e di që Parlamenti ka 140 deputetë dhe institucionet nuk janë pronë e Kryeministrit dhe e socialistëve, por e popullitshqiptar.

Në mënyrë të turpshme Manastirliu njofton për të vizituar së bashku me të jetimoret, azilet etj. vetëm deputetët socialistë, Gramoz Ruçin dhe Vasilika Hysin, por nuk njofton dot as nënkryetarin tjetër të Kuvendit, z. Edi Paloka dhe as deputetët e tjerë të Kuvendit, sepse ata janë armiq”, shton Vasili.

Më tej deputeti Vasili thekson se “Dashurinë e pakufijshme për kryeministrin dhe partinë ka plot forma për ta treguar, kjo që bëjnë është vetem shëmti politike dhe morale. Ky është drejtimi i ri i Kuvendit të Shqipërisë, pra thjesht një zgjatim, rudiment i kryeministrisë. Sa turp për shkollëpakun, që i uli deri në këtë nivel dhe që gjoja kërkon dialog me opozitën”.

Please follow and like us: