Albspirit

Media/News/Publishing

Vrasësit e Valbonës

Dje emisioni investigativ “Fiks Fare” edhe një herë tjetër na tregoi se pas atyre që bëjnë moral, bërtasin dhe protestojnë qëndron shkelja e ligjit dhe abuzimi.

Valbona, një nga perlat e Shqipërisë, prej disa kohësh ka përfshirë në debat një grup aktivistësh dhe disa pseudomoralistë, të cilët në fakt janë biznesmenë që shfrytëzojnë resurset e zonës për të mbushur xhepat e tyre.

“Fiks Fare” dje na tregoi me zë dhe figurë sesi Valbona ishte pushtuar nga disa dhjetëra ndërtime pa leje, megjithëse një zonë e mbrojtur ku ndalohen ndërtimet. Fiks Fare na tregoi sesi disa pseudomoralistë kishin ndërtuar hotele dhe me pesë kate.

Për Valbonën ka një reagim në lidhje me ndërtimin e dy HEC-eve, për të cilat është dhënë leje e rregullt nga ish-qeveria Berisha dhe janë rikonfirmuar nga qeveria Rama.

Pra jemi përballë rastit, kur Valbona ka vënë përballë ata që kanë marrë leje dhe ndërtojnë, me ata që kanë ndërtuar pa leje. Për lejet e para, pra të HEC-eve, gishti drejtohet nga qeveria, për të dytët gishti drejtohet nga abuzuesit, pseudomoralistët dhe ata që sot po e shfrytëzojnë Valbonën duke ngritur objekte shumëkatëshe pa folur më tej për mbetjet dhe ndotjet që i shkaktuan ambientit përreth.

Jemi përballë rastit kur imoraliteti bën moral dhe “Fiks Fare” dje na tregoi anën e errët sesi shtetas që jetojnë në mënyrë të paligjshme në Shqipëri, sesi abuzues dhe shkelës të ligjit që ndërtojnë pa leje,  protestojnë thuaj se u digjet barku për Valbonën, por në fakt ata janë zjarrvënësit dhe shkatërrimtarët e saj.

Që të protestosh dhe të kërkosh të vërtetën apo ruajtjen e mjedisit, minimumi duhet ta kesh mbrojtur dhe respektuar ligjin. Në rastin konkret, shkelësit e ligjit dhe abuzuesit bërtasin duke pretenduar se përfaqësojnë një kauzë të vërtetë, por  a mund të ndërtohet dhe mbështetet një kauzë nga ata që qëllim nuk kanë mbrojtjen e Valbonës, por protestojnë dhe ushtrojnë presion që t’ju legalizohen ndërtimet e tyre pa leje në parkun kombëtar të Valbonës?

E në rast se qeveria është hajduti dhe shkatërrimtari për lejet e HEC-eve që ka dhënë në Valbonë, në rastin e atyre që protestojnë jemi përballë faktit kur hajduti bërtet “kape hajdutin”. Vetëm ka një fakt, qeveria ka dhënë leje, ndërsa ata që protestojnë kanë ndërtuar pa leje.

Please follow and like us: