Albspirit

Media/News/Publishing

Historia e fotografisë shqiptare, leksion i hapur i studiuesit Qerim Vrioni në UET

Klotilda Saracini

TIRANË, 16 Dhjetor/ATSH/.- Studiuesi i fotografisë Qerim Vrioni zhvilloi një leksion të hapur mbi historinë e fotografisë shqiptare në sallën e Laboratorit të Grafikës Artistike dhe Multimedias së Universitetit Evropian të Tiranës.

Në këtë leksion të organizuar me nismën e Dr.Shpend Bengu, që drejton këtë laborator në UET, studiuesi QerimVrioni, paraqiti për të pranishmit në një ekran të madh, foto nga krijimtaria e 20 fotografëve të parë shqiptarë, ata të periudhës 1858-1945, të cilat u shoqëruan dhe me të dhëna të shkurtra historike për secilën.

Leksioni fillonte me disa foto të hershme të Pionerit të FotografisëShqiptare, Pjetër Marubi dhe mbyllej me shkrepjet me tema shqiptare të fillim shekulit XX, të vëllezërve Manaqi (Milto dhe Janaq), me origjinë shqiptare, por që nuk kanë jetuar për një kohë të gjatë në Shqipëri.

Të pranishmëve u bënë përshtypje shpjegime për foto të tilla si “Skamnori plak”, “Vlorë, 28 Nëntor 1913”, “Kapiteni Mark Raka dhe bajraktari i Shalës”“Ura e Goricës”, “Ismail Qemali”, “Portret vajze”, “Katër princa të letrave shqipe”, “10 çifte dardharësh”, “Beratasi me cigare”, “Gruaja nga Këlcyra me foshnjën”.

Leksioni u ndoq me interes të madh nga pjesëmarrësit, sidomos nga fotografët dhe studentët e multimedias, të cilët në këtë rast shtuan ndjeshëm njohuritë e tyre mbi 100-vjeçarin e parë të Fotografisë Shqiptare.

Please follow and like us: