Albspirit

Media/News/Publishing

Mafia e importit të ushqimeve dhe heshtja e prokurorisë

 

Siguria ushqimore është kthyer sërish në një debat të madh kombëtar dhe alarmin këtë herë e jep një shoqatë që drejtohet nga një ishzëvendësministër, i cili reklamonte krejt të kundërtën kur ishte pjesë e maxhorancës qeverisëse.
Pavarësisht në qeveri apo jo, në të vërtetë alarmuesit janë përfaqësues të mafies së importit të ushqimeve dhe armiq të përbetuar të prodhimit vendas.
Nuk mund të thuhet se gjithë produkti vendas është brenda standarteve, por përpjekjet janë bërë që strukturat përgjegjëse shtetërore të kenë sa më shumë kontroll ndaj tij, madje edhe të ndëshkojnë abuzuesit.
Monopolizuesit e importit të ushqimeve, me PD apo PS në pushtet, ia kanë arritur të dominojnë prodhimin vendas, madje edhe ta shkatërrojnë atë plotësisht. Janë këta përfaqësues që kanë lobuar gjatë gjithë tranzicionit që në krye të insitucione të Bujqësisë të mos jenë drejtues të aftë dhe me vizione, por jenicerë partish se vetëm në këtë mënyrë arrijnë të shesin produkte të skaduara, edhe nga vendet më të humbura të botës.
Si edhe herë të tjera, duke pasur monopol importin e ushqimeve dhe me ndikim në politikat qeverisëse arrijnë të godasin prodhuesit e mjerë, të cilët në të gjithë botën mbrohen dhe subvencionohen, ndërsa në vendin tonë ndodh kundërta.
Kulmi arriti me rastin aflatoxina e cila del dhe godet prodhimin vendas, në kundërshtim me cdo rregull ligjor dhe moral.
Shoqata e cila pretendon se paska bërë një studim, sërish nuk bën të ditur se kush janë personat që e kanë kryer, cfarë të dhënash janë shfrytëzuar, cfarë rastesh janë marrë në shqyrtim duke lënë kështu një errësirë të plotë, por që është e kuptueshme qartë se cfarë objektivi ka.

Kjo shoqatë një herë emërtohet si e importit të produkteve të mishit pasi drejtuesi i saj emërohet zëvendësministër i Bujqësisë dhe herë tjetër thirret ndryshe pasi adminsitratori i saj bëhet drejtori aktual i AKU-t.

Aktualisht shoqata ka emërtimin shoqata e eksporteve shqiptare ku lidhjet më të shumta i ka me prodhuesit e huaj dhe as që do t’ia dijë për prodhuesit vendas.
Kuptohet nëse denoncimi i problemeve të sigurisë ushqimore mbështetet mbi fakte reale, do të ishte shumë pozitive, por nëse bëhet për t’i varrosur edhe më shumë prodhuesit vendas dhe për të krijuar alarm të rremë, atëhere është e pakuptueshme heshtja e prokurorisë.

Please follow and like us: