Kosovë, lëvizja Vetëvendosje në krizë të brendshme politike
Lëvizja Vetëvendosje shpalli sot zgjedhjet e brendshme për kryetar të ardhshëm të kësaj lëvizjeje. Vendimi u mor në takimin e Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie, që u mblodh pas përplasjeve që shpërthyen brenda kësaj lëvizjeje e cila po përballet me krizën më të rëndë që nga formimi i saj. Përplasjet pasuan publikimin e bisedave private të disa deputetëve të Vetëvendosjes në të të cilat ishte përvijuar edhe një shprehje fyese për themeluesin e lëvizjes, Albin Kurti.
Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, nuk morën pjesë disa nga personalitetet e lëvizjes që janë edhe deputetë të saj, por edhe kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri.
Zoti Ymeri në një letër publike tha të dielën se situata e tendosur e ka shtyrë atë të mos marr pjesë në mbledhje. Në letër thuhet se “ky problem nuk është tash e një javë, por ka filluar më shumë se një vit më parë”.
Ai thekson se “gjatë kësaj kohe ka parë diçka që nuk i pëlqen dhe nuk e mbështetë, një metodë që e dëmton shumë organizatën: atë të eliminimit politik. Kjo metodë është e dëmshme sepse është informale. Është e padrejtë sepse bazohet në shpifje e insinuata”,thuhet në letër në të cilën nënvizohet se përpjekjet për tejkalimin e situatës nuk kanë pasur sukses për shkak të mungesës së vullnetit për zgjidhje.
Në mbledhjen e Këshillit u lexua edhe letra e dërguar nga Albin Kurti, i cili ndodhet në paraburgim për shkak të mos paraqitjes në gjykatë për çështjet e hedhjes së gazit lotësjellës në parlamentin e Kosovës. Ne letër zoti Kurti kritikoi disa nga zyrtarë të lëvizjes Vetëvendosje për siç tha linjën e posaçme të komunikimit prapa shpinës së organeve të Vetëvendosjës dhe ndjenjës armiqësore ndaj tij.
“Lëvizja Vetëvendosje ka nevojë për shumë më tepër transparencë, për shumë më tepër llogaridhënie. Disa njerëz kur i humbin privilegjet mendojnë se kjo është padrejtësi. Ata duhet të fillojnë të mendojnë se ndoshta privilegjet paskan qenë padrejtësi. Secili aktivist i Vetëvendosjes është i nevojshëm por asnjëri s’është i pazëvendësueshëm. Demokraci kudo dhe tërë kohën. Demokraci pa hakmarrje. Kështu mund dhe do të ecim përpara”.
Nënkryetarja e lëvizjes Vetëvendosje Fatmire Kollçaku bëri thirrje ndërkaq për bashkim pas ndarjeve që kanë filluar.
“Bashkim jo rreth një personi por rreth demokracisë dhe vlerave e rregullave për të cilat jemi dakorduar të gjithë bashkë sepse vetëm duke i respektuar ato vlera dhe rregulla garantohet që asnjë personi t’i mos i shkelën të drejtat brenda organizatës”, tha ajo.
Lëvizja Vetëvendosje u themelua në vitin 2004 nga Albin Kurti. Deri në vitin 2010 kur u përfshi për herë të parë në zgjedhje për pushtetin qendror, kjo lëvizje nëpërmjet protestave dhe aksioneve ka kundërshtuar misionet ndërkombëtare në Kosovë dhe qeverinë e vendit.
Në zgjedhjet e përgjithshme të 11 qershorit të këtij viti Vetëvendosje arriti të fitojë 32 vende në paramentin e Kosovës duke u bërë subjekti i parë në Kosovë ndërsa në zgjedhjet për pushtetin komunal fitoi tri komuna përfshirë dy kryesoret Prishtinën dhe Prizrenin. Kjo lëvizje tashmë ndodhet në krizën më të thellë që nga themelimi i saj dhe sipas vëzhguesve një ndarje brenda saj do të zbehte edhe forcën e saj në të ardhmen.