Liria e medias, deputetja Vokshi propozon ligj për mbrojtjen e gazetarëve
Deputetja demokrate Albana Vokshi propozoi sot hartimin e një pakete ligjore për të mbrojtur statusin e gazetarit.
Gjatë forumit për Zhvillimin e Lirisë së Medias , deputetja Vokshi, njëkohësisht dhe Kryetarja e Komisionit Parlamentar të Medias, tha se askush nuk duhet të heshtë përpara gjuhës dhe dhunës që përdor kryeministri Rama ndaj gazetarëve:
“Liria e shtypit nëse ka ndonjë kuptim, nënkupton lirinë për të kritikuar dhe kundërshtuar. Ndaj dua të shpreh me shqetësim të madh agresionin e paprecedentë të kreut të qeverisë ndaj mediave, të cilat ai i quan media “kazani” dhe sidomos ndaj gazetarëve për të cilët nuk kursen një lumë sharjes apo fyerjesh.”
Duke e krahasuar presionin që i bëhet medias shqiptare me atë të regjimeve më të ashpra diktatoriale, Zonja Vokshi ftoi shoqatat e gazetarëve dhe përfaqësuesit ndërkombëtar të mos heshtin për këtë fenomen të shëmtuar.