Zgjedhjet në Histori-Filologjisë, Aljula Jubani sqaron shkeljet
Zgjedhjet e parakohshme për dekan në Fakultetin e Histori-Filologjisë, të zhvilluara më 7 dhjetor, janë shoqëruar me debate, tensione dhe ankimime të shumta.
Të dy kandidatët, pedagogu Sabri Laçi, aktualisht dekan i komanduar, dhe pedagogia Aljula Jubani, e kanë ankimuar procesin e votimit dhe të numërimit të votave.
Pas 36 orësh që zgjati procesi i numërimit, Komisioni i Zgjedhjeve ka dalë me përfundimin se pedagogu Laçi është fitues i zgjedhjeve, me rreth 50,139 për qind të votave. Më saktësisht, Sabri Laçi mori 750 vota nga 1200 studentë dhe 41 vota nga 80 pedagogë. Ndërsa kandidatja tjetët Aljula Jubani mori 450 vota nga studentët dhe 39 vota nga stafi pedagogjik. (Në zgjedhjet për dekan, votat e studentëve dhe pedagogëve nuk kanë peshë të njëjtë në rezultatin përfundimtar, çfarë ka sjellë dhe diferencën shumë të ngushtë në rezultat.)
Kur tashmë pavarësisht ankesave të kandidatëve, Komisioni i Zgjedhjeve ka miratuar rezultatin që nxjerr fitues Zotin Sabri Laçi, pedagogia Aljula Jubani, me anë të një letre sqaron të gjithë shkeljet në procesin e votimit dhe numërimit të votave:
“Gjithë çka ndodhi nuk ishte rastësi, por vijim i një stategjie të nisur qysh gjatë muajit të fushatës zgjedhore. Dekani i komanduar dhe kandidat në zgjedhje nuk hezitoi të përdorte pozicionit e tij, duke zhvilluar punësime pas shpalljes së procesit zgjedhor. Nuk u ndal të përdorte administratën për të ndikuar votën e lirë. Nuk u përmbajt të pengonte abuzimin me detyrën duke detyruar dhe kontrolluar votimin e studenteve me shpërblim me nota.
Si mund të bësh zgjedhje universitare dhe të gjendesh përballë dhunës së kolegëve pedagogë, që dëshmojnë forcën e tyre burracake, pa menduar se para tyre kanë kolege, gra, nëna fëmijësh.
Çfarë mund të bësh kur sheh studentët e tu vëzhgues të mos tërhiqen edhe kur në emër të dekanit të komanduar dhe kandidat për dekan, u vijnë mesazhe kërcënuese?!
Si duhet të veprosh kur pas gjithë presioneve të të gjitha formave e sheh se rezultati përfundimtar nuk nxjerr fitues, sepse edhe dekani i komanduar e njëkohësisht kandidati për dekan, ka arritur të marrë vetëm një çerek vote më shumë.
Sipas cilës së drejte ligjore dhe cilit moral akademik do të shpalleshin fitues në këtë garë? A do të mundeshin institucionet zgjedhore të shpallnin fitues me shumicë votash kandidatin që ka vetëm 1/4 e votës më shumë, pra në një konceptim vizual, një fletë votimi të ndarë në 4 copë, ku vetëm njëra prej copëzave është më tepër, apo duke iu referuar Fjalorit të gjuhës shqipe mbi kuptimin e votës, do të thotë se kemi vetëm 1/4 e një mendimi apo vetëm 1/4 pjesë të një vullneti të shprehur, pra nese fituesi mund të shpallet me cerek mendimi, thënë ndryshe me çerek vote, le të bëhet.”