Albspirit

Media/News/Publishing

Meta dekoron Visho Ajazin

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi ish-Drejtorin e Shërbimit Informativ Shtetëror, zotin Visho Ajazi Lika me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” për kontributin e tij të veçantë në fushën e sigurisë kombëtare, luftës kundër terrorizmit dhe, në veçanti, në luftën kundër krimit të organizuar e trafikut të drogës.

Presidenti Meta vuri në dukje rolin e zotit Visho Ajazi Lika, në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, krimit të organizuar dhe në veçanti, në luftën pa kompromis kundër trafikut të drogës, fenomene e sfida jetike që lidhen ngushtë me sigurinë kombëtare.

Gjatë ceremonisë Presidenti Meta theksoi se Shërbimi Informativ ka bërë detyrën e tij me përgjegjshmëri dhe patriotizëm dhe në kushte mjaft të vështira, shpesh edhe nën presionin e politikës.

Forcimi i pavarësisë, integritetit dhe profesionalizimit të Shërbimit Informativ Shtetëror është domosdoshmëri për të forcuar jo vetëm stabilitetin e sigurisë kombëtare të vendit, por edhe për të forcuar aftësitë e Shqipërisë për të eksportuar në vendet fqinje dhe partnere më shumë siguri e sa më pak probleme.

Please follow and like us: