Trump nuk do të shkarkojë prokurorin e posaçëm Mueller
Presidenti amerikan Donald Trump u tha gazetarëve se nuk po shqyrton mundësinë e shkarkimit të Robert Mueller-it, ndërsa avokatët e tij e kanë akuzuar prokurorin e posaçëm se ka marrë në mënyrë të paligjshme dhjetëra mijëra email-e të ekipit të tranzicionit të presidentit të sapo zgjedhur Trump.
Kur u pyet nëse po shqyrtonte mundësinë e shkarkimit të prokurorit të posaçëm, presidenti u përgjigj shkurt “Jo. Nuk po e mendoj”. Ndërsa për email-et, Presidenti Trump tha se “Nuk mendoj se ka ndonjë gjë aty, sinqerisht. Siç e kam thënë që në fillim, nuk ka patur bashkëpunim (me rusët)”.
Email-et në fjalë u morrën nga kompjuterat e 13 zyrtarëve të lartë të ekipit Trump për tranzicionin, gjatë periudhës që kur ai u zgjodh në nëntor 2016 dhe deri kur mori detyrën më 20 janar 2017. Mes këtyre mesazheve ka diskutime rreth sigurisë kombëtare dhe objektivave fillestare të mundshme të tij në arenën ndërkombëtare, si dhe vlerësime për të emëruarit e ardhshëm të administratës së tij.
Një zëdhënës i prokurorit të posaçëm e mbrojti ligjshmërinë e marrjes së këtyre email-eve.
“Kur i kemi marrë marrë email-et si pjesë e hetimit penal që ende vazhdon, kemi siguruar paraprakisht, ose miratimin e të zotit të llogarisë, ose një proces të përshtatshëm penal”, tha zëdhënësi.
Prokurori special Mueller ia kërkoi email-et Administratës së Shërbimeve të Përgjithshme (GSA), e cila është agjensia qeveritare që menaxhon objektet federale ku punonte ekipi Trump për tranzicionin dhe ku ndodheshin kompjuterat në fjalë. Agjensia i dorëzoi email-et më 1 shtator, pa njoftuar ekipin Trump.
Kory Langhofer, avokati që përfaqëson ekipin e tranzicionit të quajtur “Trump për Amerikën”, u ankua tek komisionet e mbikqyrjes së Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve se zoti Mueller i pati marrë email-et, megjithëse ishte “i vetëdijshëm se ato nuk ishin pronë e agjencisë GSA”.
Avokati i Presidentit Trump tha se prokurorët e ekipit Mueller i “kanë përdorur gjerësisht këto materiale” gjatë hetimit të tyre që ende vazhdon, për të shqyrtuar nëse anëtarë të ekipit Trump bashkëpunuan me Rusinë për të mundur sfidanten demokrate, ish-Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton.
Zoti Langhofer tha se prokurorët kanë qenë të ndërgjegjshëm se disa nga këto materiale nuk mund të publikohen pasi ndër to ka edhe diskutime private ndërmjet avokatëve të ekipit Trump për tranzicionin dhe zyrtarëve të qeverisë që punonin për transferimin e pushtetit.
E pyetur për email-et, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders, tha se “ne vazhdojmë të bashkëpunojmë plotësisht me prokurorin e posaçëm dhe shpresojmë që hetimet të përfundojnë së shpejti”.
Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thanë se nuk është marrë në shqyrtim mundësia e shkarkimit të zotit Mueller. Një ndër ligjvënësit kryesorë republikanë, Senatori i Teksasit John Cornyn, tha se do të ishte “një gabim” nëse Presidenti Trump do ta shkarkonte zotin Mueller, megjithëse disa republikanë të tjerë kanë bërë thirrje për shkarkimin e tij.
Hetimi disa-mujor i zotit Mueller ka siguruar deri më tani pranimin e fajësisë nga dy ish-ndihmësa të zotit Trump, ish-këshilltarin e sigurisë kombëtare Michael Flynn dhe ish-këshilltarin për politikën e jashtme George Papadopoulos, të cilët pranuan se kanë gënjyer hetuesit federalë për kontaktet e tyre me zyrtarët rusë.
Hetimet kanë sjellë edhe ngritjen e akuzave për dy zyrtarë kryesorë të fushatës elektorale – Paul Manafort dhe Rick Gates – rreth përpjekjeve të tyre lobuese për Ukrainën, gjatë periudhës përparazgjedhjes së Presidentit Trump.
Presidenti Trump i ka kritikuar rregullisht hetimet e zotit Mueller dhe të Kongresit për lidhje e anëtarëve të fushatës së tij me Rusinë, ndërsa janë shtuar edhe kritikat e republikanëve duke i konsideruar si të njëanshme hetimet e zotit Mueller. Prokurori Mueller shkarkoi një ndër hetuesit kryesorë të FBI-së, pasi u zbulua se kishte shkëmbyer komente negative ndaj zotit Trump me një tjetër zyrtare të FBI-së të përfshirë në procesin hetimor.
Prokurori i posaçëm Mueller po ashtu po heton rreth mundësisë që presidenti Trump të ketë penguar drejtësinë me vendimin e tij për të shkarkuar drejtorin e FBI-së James Comey në maj. Në atë kohë, Comey ishte në krye të hetimeve mbi Rusinë, përpara se të caktohej prokurori i posaçëm Mueller.
Gjatë dëshmisë së tij në Kongres, ish drejtori Comey pohoi se para se ta shkarkonte, presidenti e kishte nxitur që të ndërpriste hetimet për Michael Flyn-in, ish gjeneralin, që shërbeu për një muaj në Shtëpinë e Bardhë, para se presidenti Trump ta shkarkonte se kishte gënjyer nën-presidentin Mike Pence dhe të tjerë, lidhur me kontaktet që kishte pasur me ambasadorin e Rusisë në Uashington gjatë periudhës së tranzicionit.