Margarita Xhepa: Albert Zholi, shkrimtari dhe gazetari korrekt dhe vizionar
Nga Shoqata Labëria “Nderi i Kombit”, shkrimtari Albert Zholi merr titullin e lartë “Personalitet i Shquar i Labërisë”
Prof. Sulejman Muça
Ditën e shtunë, datë 16 dhjetor 2017, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar u zhvillua festimi i 26-vjetori të Shoqatës Labëria “Nderi i Kombit”. Në këtë festë merrnin pjesë drejtues, anëtarë dhe simpatizantë të Shoqatës Labëria, deputetë, politikanë, shkrimtarë, artistë, poetë, gazetarë, inxhinierë, ushtarakë, miq të kësaj Shoqate. Ajo që ra në sy në këtë festë ishte pjesëmarrja e jashtëzakonshme ku salla ishte e tejmbushur, madje sa në sallë kishte njerëz në këmbë dhe në hollin e Muzeut. Kënga labe përhapej deri në qendër të Sheshit Skënderbe, se aq të shumtë ishin grupet labe pjesëmarrëse në këtë event të bukur. Festë e vërtetë, që në këtë mënyrë di vetëm ta festojë Shoqata “Labëria”. Në fjalën e tij, Kryetari i Shoqatës Prof. Ago Nezha, theksoi: Tashmë Labërinë, ky Jubile e gjen ndryshe nga përvjetorët e tjerë, se qysh nga Dhjetori i vitit 2015, ajo mban mbi krye kurorën e shndritshme “Nderi i Kombit” të kurorëzuar nga Presidenti i Republikës.
Po të bëjmë një retrospektivë të jetës së saj, Shoqata Labëria, u krijua në dimrin e demokracisë, më 12 Dhjetor, të vitit 1991, nga një grup intelektualësh nga trevat e Labërisë. Ajo, lindi në një klimë të acaruar, kur partitë ngjanin me një fole grenzash që shponin dhe helmonin njëra tjetrën me vrerin e kohës, ndërsa shoqatat amortizonin dhe i bashkonin njerëzit pa dallime partiake. Shoqata Labëria, ka pasur një fëmijëri të vështirë, një adoleshencë të shëndetshme dhe një maturi të parakohshme. kuvendi i Parë themelues i shoqatës u mbajt në Tiranë, ku kryetar u zgjodh poeti i njohur Halil Qëndro. Nisur nga misioni i shoqatës dhe traditat patriotike të trevës së Labërisë, për bashkimin e trojeve shqiptare, Kosovë e Çamëri, në këtë Kuvend u zgjodh Kryetar Nderi Akademiku Kosovar, Prof. Dr. Rexhep Qosja, një personalitet i shquar i çështjes shqiptare, Rilindës i kohës tonë. Kuvendet e tjera u mbajtën respektivisht, i Dyti në Vlorën e flamurit, i Treti në Himarë, jo rastësisht por për tu thënë himarjotëve se Himara në lashtësi, ka qenë kryeqendra e Labërisë me 52 fshatra. Kuvendi i Katërt u mbajt në Kuç të Vlorës, për të evokuar një ngjarje madhore atë të Kongresit të Labërisë për çështjet zakonore që u zhvillua më 28 Nëntor-4Dhjetor 1924, me pjesëmarrjen e 300 delegatëve nga të gjitha trevat shqiptare, nga Kosova e Çamëria. Po të heqësh një paralele midis dy kohëve, problematikat e trajtuara 92 vjet më parë, janë të ngjashme me ato të sotmet, si gjakmarrja, që për fatkeqësinë e pushtetit demokratike kemi shumë të ngujuar, problemet e gruas, të arsimit, etj. Kuvendi i Pestë, u mbajt në kryeqendrën e kulturës labe, në Gjirokastër, që shënoi disa arritje kulmore, veçanërisht prurje të mëdha intelektuale dhe biznesmenë të rinj, që e fuqizuan veprimtarinë e saj. E gjithë kjo arritje sendërtohet në fjalën përshëndetëse të Profesor Rexhep Qoses, që tha se: “Këtë shoqatë të mirorganizuar, do ta kishte zili çdo parti dhe çdo qeveri”. Në këtë festë u theksua se në strukturën e Këshillit Drejtues të kësaj Shoqate me emër ka personalitete me grada e tituj shkencor Profesor e Doktor plot 30 anëtar, si Pëllumb Xhufi, Moikom Zeqo, Bardhosh Gaçe, Rami Memushi, Kristaq Kume, Bilal Shkurti, Natasha Hodo, Diana Shehu etj, si dhe ”Skulptorin e Popullit” Muntaz Dhrami, “Piktorin e popullit” Skënder Kamberi dhe “Mjeshtrin e Sportit” Bejkush Birçe. Ka disa personalitete të nderuar nga Presidenti i Republikës me titujt “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, “Mjeshtra të Mëdhenj gjashtë dhe me gradën Gjeneral në ushtri një person. Nga lartësia e 25 viteve unë dua të falënderoj kontribuesit e pa kursyer për realizimin e veprimtarive si nën/kryetarët e shoqatës të ndierin Enver Guga, legjendarin e deri sotëm Gafur Dudaj, Kastriot Zoto, Fatmir Toçi, e duke ardhur te më të rinjtë që ju afruan pas Kuvendt të 5-të të Gjirokastrës si Dr. Bujar Leskaj, Agim Çiraku, Agim Rrapi dhe prurjet e fundit të admirueshme si Ardian Resuli e Vullnet Sina. Të dy krahët e shoqatës, kanë funksionuar si një orkestër për ta çuar shoqatën në lartësitë që ndodhet sot.
E gjithë puna dhe veprimtaria e suksesshme e shoqatës do të ishte e mangët në rast se nuk do kishte zëdhënësen e saj Gazetën “Labëria”. Qysh nga lindja e saj e deri më sot ajo ka pasqyruar jetën social-ekonomike të trevës së Labërisë. Një punë të lavdërueshme kanë bërë kryeredaktorët e saj qysh nga krijimi me kryeredaktor Pëllumb Tare, për shumë vjet Lirim Dede, e tashmë Albert Zholi plot 10 vjet kryeredaktor, si dhe botuesit Fatmir Toçi e Gafur Dudaj. Gazeta “Labëria”, pas Kuvendit të 5-të të shoqatës, me botues Agim Çirakun e Gafur Dudën dhe me përkujdesjen e drejtorit të Gazetës Telegraf, Engjëll Musai, ka pësuar një ndryshim cilësor si në formë, që botohet me ngjyra ashtu dhe në përmbajtje, theksoi Nezha. Në këtë veprimtari Shoqata nderoi 4 personalitete, Prof. Arben Malaj, Kryetarin e Bshkisë Vlorë, Dritan Leli dhe shkrimtarin e talentuar Albert Zholi, me titullin më të lartë “Personalitet i Shquar i Labërisë” ndërsa vajzën kosovare Labëri Luzha me titullin “Mirënjohje e Labërisë”. Titullin e lartë shkrimtarit Albert Zholi. Në këtë festim shkrimtari dhe gazetari Zholi u vlerësua për punën e tij këmbëngulëse, për impenjimin e madh në Shoqatë por dhe për nxjerrjen me cilësi, në kohë dhe me nivel profesional, të gazetës “Labëria” e cila është bërë zëdhënësja kryesore e Shoqatës. Prof. Nezha theksoi se Albert Zholi gjithmonë është treguar i papërtuar për të bërë çdo punë që i ngarkohet në interes të Shoqatës. Autori i 21 librave, 120 librave të redaktuar dhe i afërisht 3000 intervistave, Albert Zholi mbetet një vlerë në këtë Shoqatë. Dekorimi i tij u prit me duartrokitje të vazhdueshme. Këtë dekoratë shkrimtarit Albert Zholi ja dorëzoi “Nderi Kombit”, “Artistja e Popullit” znj. Margarita Xhepa.
Margarita Xhepa: Albert Zholi, shkrimtari dhe gazetari korrekt dhe vizionar
E kam njohur nga afër Albert Zholin ku kam luajtur një film në Greqi. Që pas asaj njohjeje me të jam takuat shpeshherë dhe kam bërë disa intervista. Ajo që kam vënë re në punën, sjelljen dhe aktivitetin e tij është se Alberti është i thjeshtë, korrekt, punëtor, i palodhur dhe i kudo ndodhur. Në shkrimet dhe intervistat e tij, Alberti është shumë korrekt dhe shumë i saktë. Ai nuk mundohet të bëjë zhurmë me lajmin as të transformojë intervistën, përkundrazi do të përcjellë tek lexuesi, vërtetësinë e figurës së personazhit. Ai ndodhet gjithmonë mes artistëve me çantë në krah dhe çdo aktivitet e sjell në gazetë me një frymë realiste dhe të besueshme. Ka marrëdhënie të shkëlqyera me të gjithë komunitetin e artistëve dhe asnjëherë nuk ka deformuar bisedën apo lajmin. Merr pjesë aktive edhe në aktivitetet e shoqatave simotra dhe nuk bën kurrë zhurmë në punën e tij. Librat e Alberti i lexon me endje pasi ai ka vizion për letërsinë dhe zhvillimet në vend he në botë. Shkruan me sinqeritet shpirtëror dhe nga duart nxjerr gjithmonë vepra me vlera artistike dhe estetike. Komunikimi është cilësia kryesore në jetën e tij si gazetar ku nuk tenton të evidentohet por të punojë në heshtje dhe ndershmëri. Ndihem mirë që gjeta rastin që dhe unë të shpreh dy fjalë për të dhe për meritat e tij, pasi ai është modest dhe pse punon shumë. Ta gëzosh medaljen miky ynë Albert Zholi. Suksese kudo në jetë!
Veprimtaria publicistiko-letrare e Albert Zholit:
-1990-Bashkpuntor i revistës “Hosteni” , “Saranda”.”Joni”
-1993-2007 bashkpuntor i gazetës “Drita”
-1993-2007 bashkpuntor i gazetës “Intervista” (2002 dhe “Intervista e Emigrantit)
-1994- bashkpuntor i gazetës “Java”, “Labëria” , “Pasqyra”, “Egnatia” (Greqi)
-1997- Editor në stafin e gazetës “Vllazërimi” (Greqi)
-1999-2001 bashkpuntor i gazetës “Shekulli”
-2001-2002; Kryeredaktor i gazetës “Emigranti shqiptar” , “Mërgimtari” (mujore e pavarur)
-2002-Drejtor i Institutit Kerkimor Shqiptar për Emigracionin (OJF)
-2002 – vazhdim opinionist për problemet e emigracionit në gazetat “Pasqyra”, “Ballkan”, “Dita”, “Ekonomia”, “Sot”, “Koha Jonë”, “Shekulli”, “Tirana Observër”, “Ndryshe”, “Republika”, “Telegraf”, .
-2001 –vazhdim, bashkpuntor i Radio Tirana në kanalin e parë dhe të tretë për problemet e emigracionit . Rubrika “Emigracioni shqiptar”.
-2004 -Drejtor i menaxhimit i spektaklit “Yjet në Folkunivers” TVSH
-2005- 08 dhe në vazhdim anëtar i kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve.
-2006-2007 ideues dhe bashkdrejtues në TVSH në emisionin “Emigracioni dhe Koha”
– 2006-07 Drejtor-Kryeredaktor i gazetës së përditshme të pavarur “Ndryshe”
– 2007-2016… Redaktor kulture, gazeta “Telegraf”
-2008-Kryeredaktor i revistës “Intergrim” (6 mujore)
-2008-Kryeredaktor i gazetës Iliria Neës –Greqi (javore)
-2008-Kryeredaktor i gazetës “Labëria”
-2012-Kryeredaktor i revistës mujore “Bota Femërore”
-2014- vazhdim. Gazetar Revista “Mbrojtja” dhe gazeta “Ushtria”
Botime:
-Ikja e madhe –publicistikë
-Vite emigracioni-tregime
-Endrrat e mërgimit-publicistikë
-Kush e “vrau” Amerikën-publicistikë
-Vajza misterioze-tregime
-Yjet në Folk Univers-publicistiko letrar
-Iraku midis Babilonisë dhe qytetërimit – (publicistikë)
-Hiret e një bjondine-tregime
-I fundit i komunizmit utopik-publicistikë
-Me zemër pranë Shqipërisë- publicistikë
-Luftar Paja, aktor i madh komik (Monografi)
-Sekretet e ish gazetarëve të RTSH
-Kush e vrau dashurinë-roman
-Sekretet e ish gazetarëve të RTSH-vëll II
-Kiço Mustaqi Ministri i Mbrojtjes midis dy sistemeve-monografi
-Mesazhe dashurie (publicitiko-letrar)
-Një ditë për dashurinë (publicistiko-letrar)
-Puthje dashurie (publicistiko-letrar)
-Hase Manaj, në udhët e jetës (Monografi-bashkëautor)
-Kujtim Gjonaj dhe magjia e filmit (Monografi)
-Reshat Arbana “Artist i Popullit”-Monogarfi
Kanë thënë për Albert Zholin
Albert Zholi edhe kur bën analiza edhe kur zhvillon intervista, i bën në mënyrë poetike.
Xhevahir Spahiu
Albert Zholi shkruan me një penë të ëmbël dhe të qetë, sikur valëzon. Ai hyn në shpirtin e personazhit dhe e zbërthen atë duke na e prurë pranë të gjallë dhe të freskët.
Dritëro Agolli
Alberti shkruan me kulturë, me mjeshtëri artistike, me stil të gjallë, me gjuhë të rrjedhëshme dhe mbi të gjitha, me një ndjeshmëri të rrallë.
Helena Kadare
Krijimtaria juaj të ngërthen. Lexova një ngjarje prekëse nga jeta e emigrantëve shqiptarë në Greqi i cili shquhet si për realizëm, si për humanizëm të ndërsjelltë. Të tilla tregime rrëfejnë cilësitë e larta morale të njerëzve të thjeshtë.
Suksese në rrugën e bukur e të vështirë të tregimit të shkurtër.
Naum Prifti
Përshëndetje të veçanta, i dashur Berti!
I lexova menjëherë me kureshtje kolegu skicat dhe tregimet e tua, dhe përjetova kënaqësi të papritur. Nuk e teproj se s’më shkon në këtë moshë -duhet të jesh krenar për prozën tënde! Njëherësh më kujtuan skicat e Migjenit – parahyrje për tregimet e fuqishme dhe aq të hijshme të tij. Nëpër prozën tënde lëvizin dramat njerëzore të ditës, një pikëllim tragjik që është edhe më tronditës kur njerëzit e shprehin me sy pa e thënë plotësisht me gojë! Portretet njerëzore, kryesisht në mërgimin e arratisur janë ulërima njeriu në hall, të ngjashme me ujëvarat që rrjedhin në fund humnere pa u dukur! Bota njerëzore e rënë përmbys që pena e hollë e ngre më këmbë për ta shikuar të gjithë!…Megjithatë nuk mungon lirizmi që përballë mjerimit bën kontrastet e pikturave dritë-hije të Rembryndit!. Meriton fjalë të mira po ashtu për gjuhën e kursyer, disi fisnike në zgjedhjen e. Mbi të gjitha, tregimet-skica kanë në shumë prej tyre një frymë fisnike Shqipërie, shqetësim fisnik të një biri të saj me penë të hollë në dorë…
Përgëzimet më të mira! -Agim Shehu-