Mogherini: BE e gatshme të hapë negociatat me Shqipërinë
“Viti 2018 përbën një mundësi unike për përparimin e vendeve të Ballkanit në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian” Kjo ka qenë kryefjala e darkës së punës që përfaqësuesja e lartë për punët e jashtme dhe politikës së sigurisë së Bashkimit Europian, Federica Mogherini ka artikuluar me 6 kryeministrat e Ballkanit Perëndimor të ftuar në Bruksel.
Mogherini është përkujdesur t’a kalojë këtë mesazh gjatë bilateraleve të shkurtra që ajo ka zhvilluar me çdo kryeministër të Ballkanit.
Në takimin me kryeministrin shqiptar Edi Rama, Mogherini ka treguar gatishmërinë e Komisionit Europian për një rekomandim për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE në 2018, duke theksuar se nevojiten rezultate të mëtejshme konkrete në reformat kyçe që ky predizpozim të kthehet në realitet.
Viti 2018 është viti i fundit i mandatit të Komisionit Juncker, ndaj ekzekutivi europian synon të bëjë maksimumin për t’i dhënë stimul procesit të integrimit të rajonit. Për Serbinë, një kusht i pandashëm i BE-së mbeten edhe bisedimet Prishtinë-Beograd. Edhe kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj i është përcjellë po ky mesazh për bisedimet me Beogradin me shpresën që qeveria e Kosovës të mund tê ratifikojë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi në fund tê vitit për të bërë realitet liberalizimin e vizave për qytetarët e saj.