Albspirit

Media/News/Publishing

Restoranti danez i një shqiptari nga Maqedonia

Duke naviguar si rastësisht në internet, në faqen online të njërës prej gazetave më prestigjioze britanike, “The Guardian”, has në një njoftim më tepër të formës këshilluese, i cili është e pamundur të mos ngjallë kureshtjen për të kërkuar edhe më tej. Ai flet për një restorant të vogël, Noma, ku është tmerrësisht e vështirë të bësh rezervim, por që kryeqytetin danez Kopenhagen e ka shndërruar në njërin prej destinacioneve më të rëndësishme të ushqimit në botë.

Kuzhina e tij është e mbushur me shefa të aftësive të jashtëzakonshme, që kanë arritur me shumë mund të fitojnë besimin e pronarit: Rene Rexhepi, me baba një shqiptar të Maqedonisë, e nënë daneze.

Familja e 36-vjeçarit u shpërngul në Danimarkë pas fillimit të luftërave në ish-Jugosllavi. Rexhepi do të punonte në restorante elitare, si “French Laundry”, “elBulli”, “Kong Hans Kaelder” apo “Le Jardin des Sens”, përpara se të merrte iniciativën e daljes më vete.

Ambienti i zgjedhur për restorantin ishte mjaft i veçantë: një magazinë e vjetër buzë ujit, në qendër të Kopenhagenit, shumë pranë sheshit tregtar, prej 200 vjetësh qendër e tregtisë me Ishujt Faroe, Islandën e Groenlandën.

Peshku i tharë, harengat e tymosura, vaji e lëkura e balenës, janë ndër artikujt e ruajtur në këto depo, përpara se të nxirrej në shitje. Për tri vjet rresht, 2010, 2011 dhe 2012, revista “Restaurant” e ka renditur “Nomen” në krye të listës së restoranteve më të mirë të botës.

Kuzhina e tij përshkruhet si nordiko-skandinave, një përpjekje e Rexhepit për të ripërvijuar ushqimin nordik, më shumë si interpretim të atij vet, se sa si pjatë klasike, e shoqëruar kjo me një servirje të jashtëzakonshme për nga fantazia e ngjyrave dhe formave.

Please follow and like us: