Shkrimtari: T’u kërkojmë falje çamëve, ashtu si Papa Françesku me lot në sy i kërkoi falje popullit Rohingya
Akbar Ahmed
Çamët, Rohingya e Europës?
Tragjedia e çamëve dhe e popullit Rohingya ilustron rreziqet e urrejtjes etnike dhe fetare. Ne lutemi që Rohingya të mos ketë të njëjtin fat si çamët në Greqi.
Ashtu si Rohingya po përballet me zhdukjen apo atë që Kombet e Bashkuara e kanë quajtur “spastrim etnik”, populli çam është përballur me një fat të ngjashëm një shekull më parë në Europë.
Ndryshe nga Rohingya e Myanmar, çamët janë europianë, vijnë nga një kontinent që e cilëson veten përfaqësues të modernizimit, të drejtave të njeriut dhe qytetërimit. Kam studiuar komunitetin për botimin tim të ardhshëm, Udhëtim në Europë: Islami, Imigrimi dhe identiteti dhe gjendja e tyre duhet t’i sillet botës në vëmendje.
Pak prej tyre kanë dëgjuar për myslimanët çamë të cilëve u kanë marrë emrin, identitetin dhe territorin.
Çamët janë shqiptarë që flasin dialektin e tyre të gjuhës shqipe dhe janë indigjene nga zona e njohur si Çamëria, e cila ndodhet në bregun e Adriatikut dhe kryesisht në provincën e Epirit të sotëm verior të Greqisë. Gjatë Luftërave Ballkanike në 1912 dhe 1913, rajoni i tyre u aneksua nga Greqia dhe çamët mbetën jashtë kufirit të Shqipërisë. Menjëherë pas kësaj filluan vrasjet nëpër fshatra.
Mijëra njerëz u arratisën, shumë të tjerë vdiqën nga lodhja, nga uria dhe nga tifoja dhe një grup çamësh emigruan në vende si Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Çamët shiheshin nga grekët si grekë që tradhtonin vendin duke u konvertuar në fenë islame kur osmanët sunduan Greqinë. Arsimi në gjuhën shqipe ishte i ndaluar, gjithashtu dhe të folurit e gjuhës shqipe publikisht dhe privatisht.
Filloi një fushatë për të asimiluar çamët myslimanë, të krishterë dhe ortodoksë me grupe paramilitare që sulmuan fshatrat dhe siç kanë shkruar studiuesit Robert Elsie the Bejtullah Destani: “Terrorizuan popullatën dhe qindra të rinj u deportuan në kampe në ishujt e detit Egje. Sipërfaqjet e mëdha të tokave u shpronësuan nën pretendimin e një reforme agrare.”
Përpjekja përfundimtare e ushtrisë greke ishte në vitet 1944 dhe 1945 ku rreth 25,000 çamë të goditur nga terrorizmi kalonin kufirin në Shqipëri. Grekët vetëm në një fshat të vetëm, në Filat, vranë 1286 njerëz. Një grua çame, 12 vjeç në atë kohë ka treguar tmerret e përjetuara në Filat. “Ata na urdhëruan të gjithë ne, burra, gra, vajza e djem, gjithsej 3500 persona që të mblidheshim në sheshin kryesor. I ndanë burrat nga një anë edhe gratë nga tjetra. Burrat i vranë, disa me thika e të tjerë i copëtuan. Tre djem i kishin lidhur dhe iu prenë veshët, iu hoqën sytë, iu prenë këmbët. I lanë të vuanin për së gjalli duke u dridhar si pula në një thes. Gratë dhe vajzat u zhveshën, u përdhunuan dhe u vranë.”
Fushata e “spastrimit” ishte e suksesshme dhe çamët u zhdukën nga Greqia. Gjatë një periudhe prej më pak se 10-vjeçare, siç thotë dhe studiuesi Lambros Baltsiotis, “pothuajse të gjitha xhamitë dhe sidomos minaret, simbolet e dukshme mylimane u shkatërruan.”
Çamët u pastruan edhe nga dokumentet greke. Tani ka rreth 250,000 çamë në Shqipëri dhe rreth 400,000 në vendet e tjera. Çamët vazhdojnë të kërkojnë të drejtën e kthimit në tokat dhe pronat e tyre në Greqi. Një memorial për çamët u ndërtua në Konispol, në vitin 1994 dhe në përkujtim të vrasjeve dhe dëbimit, me 27 qershor çamët kanë organizuar çdo vit një marshim nga Konispoli deri në kufirin grek. Komplikimi vjen nga fakti se Shqipëria dhe Greqia kanë qëndruar teknikisht në gjendje lufte që nga viti 1940.
Çamët kanë një parti politike në Shqipëri që i përfaqëson, Partinë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, e cila aktualisht ka tre vende në Parlament. Qeveria greke pohon se çamët lanë Greqinë me iniciativën e tyre, ndërsa të moshuarit çam të lindur në Çamëri dëshirojnë të vizitojnë vendin ku kanë lindur, siç na informon Robert Elisie, “kthehen rregullisht në kufirin greko-shqiptar. Nganjëherë pasaportat u janë grisur përpara syve nga ndonjë frikë e paarsyeshme që këta njerëz, gra të vjetra në shumicën e rasteve, mund të destabilizojnë shtetin grek”. Çamët përmenden nga kronikat televizive greke si “pseudo-çamët”ose “të vetëashtuquajturit çamët”. Ministria e Jashtme greke deri në shtator 2016 ka pohuar se “Çështja Çame nuk ekziston”.
Tragjedia e Çamërisë dhe Rohingya ilustron rreziqet e urrejtjes etnike dhe fetare. Ne lutemi që Rohingya të mos ketë të njëjtin fat si çamët në Greqi. Kur Papa Françesku u takua kohët e fundit me disa nga refugjatët e Rohingya, ku janë më shumë se 600,000 të cilët muajt e fundit kanë ikur përtej kufirit në Bangladesh, ai dhe populli Rohingya qanë. Ai u tha atyre: “Në emër të të gjithëve, të atyre që ju përndjekin, të atyre që ju kanë bërë keq, mbi të gjitha në emër të indiferencës së botës, unë ju kërkoj falje. Unë tani i bëj thirrje zemrës suaj të madhe, që ju të jeni në gjendje të na jepni faljen që ne kërkojmë. ”
Ashtu si Papa i kërkoi Rohingyas, ne gjithashtu duhet t’i kërkojmë Çamërisë që të na falë ndërsa qajmë për njerëzimin tonë të përbashkët.
*Autori është shkrimtar, poet, regjisor, dramaturg dhe është Kryetari i Studimeve Islame Ibn Khaldun, Universiteti Amerikan në Uashington, DC. Ai më parë ka shërbyer si Komisioner i Lartë i Pakistanit në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë.