Ambasadori Lu takon Kryeprokuroren Marku
Ambasadori amerikan Donald Lu është takuar paraditen e kësaj të enjteje me Prokuroren e Përgjithshme të përkohshme Arta Marku, për t’i dhënë gjithë mbështetjen për hetim të pavarur për dosjet e nxehta të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
E duket se pikërisht hetimet ndaj korrupsionit në politikë dhe krimit të organizuar kane qene ne qendër te takimit. Diplomati amerikan i ka bërë thirrje kryeprokurores Marku hetim pakompromis për politikanët e korruptuar, duke i shkuar çështjeve deri në fund, më qëllim çuarjen para drejtësisë të zyrtarëve të lartë të korruptuar dhe atyre të lidhur me krimin.
Biseda, zhvilluar në zyrën e kryeprokurores ka zgjatur për rreth 30 minuta. Ky është takimi i parë i përfaqësuesit të Uashingtonit në Shqipëri me zonjën Marku, e cila morri detyrën në fillim të javës në një klimë tejet të tensionuar politike.
Menjëherë pas zgjedhjes së Markut në krye të organit të akuzës, Ambasada Amerikane pasi dënoi dhunën në parlament, theksoi se më në fund Shqipëria nuk do të ketë një Prokuror të Përgjithshëm që refuzon te hetoje politikanët.
Arta Marku, kryeprokurorja e Përkohshme u zgjodh vetëm me 69 votat e shumicës socialiste, në një situatë të pazakontë e plot tension në sallën e Kuvendit, ndërkohë që opozita protestonte brenda e jashtë saj kundër zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm. Një ditë më parë Ambasadori Lu u takua me krerët e opozitës Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi qe kundërshtuan ashpër zgjedhjen e prokurores se përkohshme.