Bankers: Nuk njohim dëmshpërblime pa dalë raporti i ekspertit të pavarur
Kompania “Bankers Petroleum” kundërshton të japë dëmshpërblimet për banorët e Patos Marinzës të prekur nga lëkundjet e disa muajve më parë, me arsyetimin se më parë duhet të zbardhet raporti i ekspertit të pavarur.
Në një qëndrim përcjellë për TemaTV kompania e cilëson VKM-në e fundit të qeverisë shqiptare, përmes së cilës ndahet fatura e dëmshpërblimeve për banorët, si të pambështetur. Në muajin shkurt të dyja palët caktuan një ekspert të pavarur që do të përpilonte një raport mbi shkakun e lëkundjeve. Deri më sot ky ekspert nuk ka publikuar gjë dhe vendimi i qeverisë është bazuar mbi një VKM të muajit mars që përcaktonte përgjegjësi të përbashkët mes palëve në përballimin e dëmeve.
Konkretisht, qeveria ka ngaruar Bankers me detyrimin për të paguar rreth 100 milionë lekë përkundrejt 73 milionë që paguan qeveria. Mbetet për t’u parë sesi do të ecet më tej, në një kohë që të dyja palët i referohen Marrëveshjes Hidrokarbure e cila është konfidenciale.