Deputeti i PD: Nuk e llogaris Vlahutin, ajo është ushtare e Ramës
Deputeti i Partisë Demokratike Flamur Noka ka hedhur akuza të drejtpërdrejta në lidhje me ambasadoren e BE-së Romana Vlahutin, duke e cilësuar si një ushtare besnike të Kryeministrit Edi Rama.
I ftuar në studion e FaxNews deputeti i PD-së shprehet se ambasadorja e BE-së nuk ka asnjë peshë. Noka ka vënë në dukje se kur Rama sulmohet nga opozita ambasadori i SHBA-ve Donald Lu “hidhet në zjarr”, por kur njerëz nga maxhoranca kanë komentuar negativisht Presidentin e SHBA-ve, sipas Nokës nuk ka ardhur asnjë lloj reagimi nga përfaqësuesi i Amerikës në Shqipëri.
Noka ka shtuar gjithashtu se vendi është nën kërcënim serioz nga kryeministri Rama, pasi të gjitha pushtetet po përqëndrohen në dorën e tij, ashtu siç ndodhi dhe të hënën që lamë pas me kryeprokuroren e përkohshme.
“Është kërcënimi dhe rreziku kryesorë në këtë vend që quhet Shqipëri. Kjo është arsyeja që jemi në buzë të destabilizimit. Marrëdhënie normale më këtë Parlamet banditësh dhe trafikantësh nuk mund të ketë. Një parlament që ka shkelur kushtetutësn është i mbaruar” tha deputeti i PD-së.
“Opozita ka bërë thirrje prej kohësh që të gjithë këtë prosese të futen në binarë kushtetues dhe pastaj të gjejmë zgjidhjen, por këto janë zgjidhje antikushtetuese. Zonjën nuk kemi arsye ta gjykojmë edhe pse ka qenë shoqe zyre me Ulsiun dhe shoqe me Ermonelën, por është investim i Edi Ramës, Investimi është i Edi ramës”, shtoi Noka.
Gazetari: Po për reagimet e amabasadorëve?
“Sigurisht që nuk llogaris shumë deklaratën e BE-së se Vlahutin është ushtare e Ramës, nuk llogaris atë dhe as peshën e saj, por ambasadori amerikan ka një peshë, se ne jemi filoamerikanë, ky vend ekziston dhe shqiptarët janë të lirë në Kosovë se ishte vullneti i SHBA-së. Por unë nuk kuptoj një gjë, sot ka media dhe politikanë që presidentit të SHBA-së nuk i përmendin as emrin, dhe njerëz nga maxhoranca nuk kanë lënë gjë pa thënë dhe ambasdori nuk ka reagur, ndërsa ne kur themi që Rama po shkel kushtetutën. Ambasadori amerikan hidhet në zjarr”, u shpreh Flamur Noka.