Albspirit

Media/News/Publishing

Kasem Trebeshina: Nuk kërkoj falje për përfshirjen time në Luftën Civile

 

 

 

Për herë të parë shkrimtari Kasem Trebeshina në një libër me kujtime dhe reflektime, si histori e gjithë jetës së tij, që e mbyll në vitin 1988. “Dafinat e thara” është publikuar nga shtëpia botuese e Kosovës, “Buzuku” dhe mban dhe shënimet e pas ’90-ës ku dalin ngjarje, histori, e personazhe që lidhen drejtpërdrejt me jetën e tij. Më poshtë botojmë një nga momentet kur shkrimtari sapo qe përfshirë në lëvizjen komuniste; ndonëse nxënës shkolle ai arrestohet nga qeveria fashiste dhe lirohet shumë shpejt…duke e parë këtë si histori të luftës civile, ndaj së cilës nuk qëndroi indiferent.

 

Unë marr kontakt me armikun

Nuk kam ndërmend t’ju kërkoj të falur për pjesëmarrjen time në atë luftë të ndyrë civile dhe të gjithë ju duhet të kini parasysh se nuk jam duke shkruar as “historinë e Luftës Civile në Shqipëri” dhe as “Historinë e lëvizjeve komuniste në Shqipëri”. Jam vetëm duke dhënë një përshkrim të shkurtër të jetës sime, të eksperiencës sime në një nga periudhat më të turbullta të Historisë së Shqipërisë. E di, unë kam përgjegjësitë e mia për ato që kanë ndodhur, por këto përgjegjësi lidhen drejtpërdrejt me moshën që kisha në atë kohë. Politika është një gjë shumë e vështirë dhe rinia nuk është e aftë që të angazhohet në të. Për ata që janë me të vërtetë të etur për të pasur një përshkrim të hollësishëm për ato që ndodhën në të vërtetë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, unë rekomandoj të lexojnë vetëm librat zyrtarë komunistë, që nga koha në kohë, ndryshojnë. Aty ata do të zbulojnë gënjeshtrat dhe kontradiktat e një klouni të çmendur, e një djalli që ka vuajtur tërë jetën nga paranoja me psikopati.

Mirë!…Pasi Miladin Popovic e krijoi partinë e tij komuniste shqiptare unë mbeta një i ri komunist, gjë që nuk më bëri kurrfarë përshtypje, se nuk kisha humbur ndonjë gjë nga ai ndryshim. Në të vërtetë unë nuk i njihja udhëheqësit komunistë shqiptarë, as Miladinin dhe as Titon. Unë njihja vetëm Stalinin si udhëheqësin tonë dhe dëshira ime e zjarrtë ishte të merrja armët kundër armiqve fashistë. Doja vetëm të luftoja.

Gjatë gjithë rezistencës asnjëherë nuk kam ëndërruar të bëhem oficer, por vetëm të isha një ushtar i thjeshtë i vendit tim dhe, kur të mbaronte lufta, të plotësoja arsimin tim dhe të vazhdoja punën time letrare. Isha i sigurt që komunizmi ishte demokracia më e përsosur në një sistem të shkëlqyer pluralist, ku edhe bujqit e mi do të ishin të lirë sa unë dhe të tjerët. Nuk kisha asnjë ide për diktaturën e proletariatit dhe në imagjinatën time bota e re do të ishte si shoqëritë e vendeve perëndimore.

Pavarësisht nga kjo, gjatë luftës kam qenë një komunist i mirë dhe ne të gjithë, armiq dhe miq, u gabuam nga kjo koincidencë e çuditshme. Natyra ime turke e tregoi veten në qetësinë time, në disiplinën time ushtarake dhe në ashpërsinë time në luftë. Kështu, udhëheqësit komunistë më morën për atë lloj njeriu që unë nuk isha. Por e gjithë kjo tashti është e varrosur dhe përgjithmonë dhe ndofta në varrin e vëllait tim!…Dhe unë nuk kam më rast të zihem me të!…

O vëllai im, vëllai im!…Kthehu edhe një herë që të grindemi bashkë, qoftë edhe për hiçgjë! Nuk ishte e drejtë që ti ta bëjë kështu!…Të rrije tërë jetën i heshtur dhe, më në fund, përsëri në heshtje, të largoheshe pa u përshëndetur!…

Po, e di!…Kurrë nuk do të takohemi dhe mes nesh është humnera e varrit dhe e dëshpërimit tim!…Por në atë kohë atje…

Siç u tregova më lart, në partinë e Miladinit unë mbeta i ri komunist, një gjë që nuk më prishte punë, se isha i interesuar vetëm për të përdorur gjithë forcën time fizike dhe shpirtërore kundër armiqve të njerëzimit dhe as që e çaja kokën për partitë!

Në atë kohë përgjegjës i celulës sonë ishte Dashnor Mamaqi dhe ai na tha se prej asaj kohe organizatat e rinisë do të quheshin bërthama dhe që duhej të zgjeroheshin në numër me djem dhe vajza të reja. Kështu ne rekrutuam edhe pesë nxënës të tjerë dhe bërthama jonë tashti kishte tetë djem.

Në vjeshtën e vitit të ri shkollor 1941-1942 ne patëm ndryshime të mëdha dhe të rëndësishme në shkollë: Drejtor i Shkollës Normale të Elbasanit ishte tashti një italian, ndofta një ish –kolonel i milicisë fashiste, që i ngjiti vetes titullin “rektor”, kurse përgjegjës i konviktit u vu një tjetër italian, një toger i milicisë fashiste, që e titulloi veten “prorektor” dhe që mbante akoma uniformën e asaj milicie me thikën karakteristike në brez. Çdo ditë, këta njerëz të kazermës, na i bënë jetën e shkollës dhe veçanërisht të konviktit, të padurueshme. Veprimet pa kuptim të italianëve arritën pikën më të lartë kur në dhjetor urdhëruan që nxënësve t’u ndalohej të loznin ose të shëtisnin në oborrin e konviktit dhe, për më tepër, edhe në nevojtore duhej të shkonim me biletë. Nxënësit u mërzitën shumë dhe ishin gati të shpërthenin në revoltë.

Në datën 5 janar 1942 u takova me Dashnor Mamaqin dhe i raportova rreth gjendjes së krijuar në konviktin e vogël. Ditën tjetër ai më udhëzoi që të kalonim hapur në revolt. Po atë mbrëmje ne i deklaruam “të rrëzuara” urdhrat absurd. Togeri i milicisë u tërbua dhe filloi të bërtiste, por ne i thamë të shkonte dhe të bërtiste në kazermë. Më 7 janar 1942 erdhi në konvikt ministri i Arsimit, Xhevat Korça.

Mbledhja me ministrin fashist u bë në sallën e konviktit të vogël. Ministri e filloi fjalën e tij duke derdhur me mburrje parulla mobilizuese dhe kërcënime…

Unë u ngrita dhe thashë: -Ti je një dordolec i ndyrë!…

Autoritetet sikur i goditi rrufeja nga ajo që thashë unë. Togeri thirri:

-Kush foli?!…

Por pikërisht në atë moment të gjithë nxënësit u ngritën në këmbë me mua. Ministri shkoi në drejtime të ndryshme dhe tha i dëshpëruar:

-Refuzoj të flas me ju!…

Dhe e la sallën menjëherë. Shokët e mi të shkollës, që simpatizonin nacionalistët, na ngarkuan neve komunistëve dështimin e mbledhjes. Unë thashë:

-Ministri nuk ishte i predispozuar të zgjidhte problemin. Po qe se ju jeni të një mendimi me mua, shkoni dhe bisedoni me të. Ne po u presim këtu…Por mos kini shumë besim te një ministër shërbëtor e servil!

Delegacioni nacionalist u takua me ministrin dhe u kthye përsëri aty me refuzimin e tij të prerë për propozimet e tyre. Një moment e vendosa dhe me lejen tonë u larguam nga konvikti për të shëtitur lirisht nëpër qytet.

U kthyem kur ra nata, por i gjetëm të mbyllura portat dhe dyert e konviktit të vogël dhe nuk kishte asnjë mundësi që t’i hapnim. Këshilli i katër klasave të ulëta mori vendim dhe, siç ishin, në rregull të plotë shkuam në Konviktin e madh. Atje na dhanë për darkë bukë e djathtë dhe shkuam të flemë nga dy djem në një shtrat. Ndofta më kishte zënë një gjumë i shëndoshë, se u çudita shumë kur në mesnatë karabinierët shqyen dyert, hynë në konvikt dhe na treguan hekurat. Ishte  qartë për mua se na kishin arrestuar, prandaj për t’u treguar armiqve indiferencën dhe përbuzjen tonë, i thashë shokut tim të klasës, Zaim Myftarit, me të qeshur:

-Hajde jevg, të lidhesh me mua!

Dhe ne të dy u lidhëm të parët dhe shkuam në krye të kolonës atë mesnatë të ftohtë në Elbasan. Karabinierët na shpunë në burg dhe aty na mbyllën në një dhomë të madhe shumë të ndyrë. Aty e kaluam natën gjer në mëngjes kur, me këngë patriotike, erdhën në burg djemtë e konviktit të madh. Të dyja grupet u bashkuan në oborrin e burgut, pastaj fashistët na mbyllën në katin e parë, në një dhomë të vogël, të njëqind e tridhjetë vetë bashkë. Kaluan orët dhe situata aty po bëhej e tmerrshme. Më të mëdhenjtë qëndruan nga fundi duke na i lënë vendin afër derës dhe dritares neve që ishim më të vegjël. Në mesditë, kur ne ishim duke kënduar, dikush tha se fashistët kishin marrë një nga ne dhe e kishim nxjerrë jashtë. Dhe në atë çast u hap dera, fashistët hynë brenda dhe tentuan që të merrnin jashtë me forcë Besim Imamin, një shokun tim të klasës. Unë e mbajtja Besimin me krahun tim të majtë, ndërsa me të djathtën kapa një dërrasë të vjetër nga korniza e prishur e dritares. Maliq Gashi po u qëndronte fashistëve ashtu si mundej, kur një nga ata sulmoi me bajonetë dhe plagosi Maliqin dhe Besimin. E lëshova Besimin dhe i dhashë një goditje të fortë ushtarit që qëllonte me bajonetë. I ra pushka nga duart dhe unë bëra përpara që ta merrja….Dikush nga tanët thirri:

-Mos e merr pushkën!

Unë qëndrova në vend dhe fashisti e mori pushkën…Fashistët dolën jashtë dhe mbyllën derën e hekurt.

Kaluan orë të tjera në atë skëterrë pa asnjë ndryshim…

Ndofta ishte ora katër pasdreke dhe ne pamë që dikush i ndjekur nga shumë njerëz hyri në oborrin e burgut.

-Mustafa Kruja!- u dëgjua një zë aty pranë.

Po! Ishte kryeministri vetë!…Dhe ai filloi:

-Djemtë e mi!…familjet ju kanë dërguar në shkollë që të bëheni njerëz të ditur dhe kombi…

Në çast aty shpërtheu një zhurmë e tmerrshme. Djemtë e shanin kryeministrin aq ndyraz, sa Mustafa Kruja e ndërpreu fjalimin e tij dhe u largua. Ne dëgjuam zhurmën e motorit të automobilit të tij dhe po në atë moment dyert u hapën në kanatë dhe ne ishim të lirë.

 

Prapa hekurave të burgut

Aventura jonë, ose Aventura e rebelimit, dukej sikur mbaroi pa ndonjë përfundim. Dhjetë nxënës të zgjedhur kuturu u përjashtuan në mënyrë të bujshme nga shkolla…Por, në të njëjtën kohë, autoritetet fashiste, nga e keqja dhe në heshtje, i plotësuan kërkesat tona dhe jeta në konviktin e vogël u kthye në gjendjen e mëparshme. Kështu gjer më 6 prill 1942, kur ne dolëm jashtë konviktit për një shëtitje.

Ne shkuam gjer te Rruga e Korçës, por kur u kthyem për në konvikt filluam të këndonim këngë patriotike. Për një moment, kur entuziazmi arriti kulmin, unë propozova:

  • Le të kalojmë nga kuestura!

Ne kthyem nga e majta , kaluam Grand Hotelin, u kthyem në të djathtë dhe para kuesturës unë thirra:

-Poshtë fashizmi!…

Dhe të tjerët:

-Poshtë okupatorët!…

-Poshtë Duçja!…

Dhe “poshtët” ndoqën njëra-tjetrën. Për sërish këngë patriotike.

Kujdestarët tanë thërrisnin:

-Pushoni!…

-Mos bërtisni!…

-mos këndoni!…

Por ne vazhduam demonstratën, kaluam duke thirrur dhe duke kënduar edhe përpara Prefekturës dhe, më në fund, me këngë dhe parulla politike, arritëm në Konviktin e vogël. Të ishim të kënaqur me atë që kishim organizuar në mënyrë spontane. Gjatë gjithë mbrëmjes ne flisnim vetëm për demonstratën. Ne ua kishim paguar Kryeministrit dhe Ministrit të tij borxhin që u kishim mbetur pa ua paguar.

Dhe historia u përsërit: në mesnatë, kur ne ishim duke fjetur, forcat e bashkuara të Karabinierëve të Elbasanit, Gramshit, Librazhdit dhe Peqinit kombinuan një inkursion kundër konvikteve të shkollës Normale të qytetit ku ne mësonim. Në fillim në dhomën tonë arrestuan Zylfi Salihun. Në atë moment Begator Kozeli foli pranë meje:

-Unë kam një komunikatë!…

-Ma jep mua! -I thashë dhe e mora komunikatën nga duart e tij. Por ishte shumë vonë për ta fshehur: dy karabinierë më kapën nga krahët.

Begatori u zverdh. Unë e ngushëllova:

-Mos u mërzit! Ti do të vazhdosh punën tonë për vete dhe për mua gjithashtu!…Jam i sigurt!

Më hodhën hekurat në duar, përshëndeta shokët me një buzëqeshje dhe me një “natën e mirë” dhe armiqtë na morën mua dhe Zylfiun dhe na nxorën në oborr…

 

http://revista.mapo.al/kasem-trebeshina-nuk-kam-ndermend-te-kerkoj-falje-per-perfshirjen-time-ne-luften-civile/

Please follow and like us: