Mustafa Nano: Takimi im me Kadarenë…
Për herë të parë, Ismail Kadarenë “e kam takuar” diku nga fillimi i viteve ‘80. Siç mund të merret me mend, nuk ka qenë një takim tête-à-tête (kjo ka qenë e pamundur dhe e pamendueshme, sidomos për sërën time; atëmot më dukej se më lehtë mund të takoja ndonjë Zombie, sesa Kadarenë). Isha në një sallë, tok me të tjerë, dhe Kadareja kish ardhur për një takim me lexuesit. Unë isha student në fakultetin e inxhinierisë, dega elektronikë, dhe ai erdhi në ndërtesën e Korpusit Qendror për të zhvilluar një bisedë me studentët e me pedagogët. Ne e kishim marrë vesh që do të vinte. Nuk e di se si. Ndoshta fjala qarkulloi vesh më vesh, ndoshta ishte vënë ndonjë njoftim në hyrjen e ndërtesës së madhe, ndoshta na e kish thënë ndonjë pedagog në orën e mësimit. Por kjo nuk ka rëndësi. Rëndësi ka që të gjithë e dinin. Nuk kish se si të ndodhte ndryshe. Bisedat publike të intelektualëve të kohës, përfshirë këtu edhe bisedat e shkrimtarëve me lexuesit, ishin një gjë e rrallë. Dukej sikur dikush i shihte me mosbesim. Dikush u trembej. Kushedi pse. Ndoshta prej shqetësimit se protagonizmi publik i njerëzve “jo normalë” të artit e të kulturës, si pa dashje apo vetvetiu, mund të rivalizonte e eklipsonte protagonizmin e udhëheqësve të trashë politikë, ose ndoshta prej shqetësimit se në një moment a në një tjetër diskutime të tilla publike, nga natyra më të hapura e më të shkriftuara se takimet e udhëheqësve me popullin, mund të dilnin jashtë kornizave. Sikur të mos ishte mjaft kjo, takimet që Kadare bënte me lexuesit kanë qenë edhe më të rralla. Me siguri ka qenë një zgjedhje e shkrimtarit që në vitet ‘80 ishte bërë i njohur në gjysmën e Europës, e për këtë arsye takimet shterpë me lexuesit shqiptarë duhet t’i ketë parë si kohë e humbur.
Nuk jam shumë i sigurt mbi datën. Madje, as vitin e saktë nuk e mbaj mend. Një zë që më del prej rrënojave të kujtimeve të mija më thotë se duhet të ketë ndodhur pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, por kjo bie ndesh me ca vlerësime që unë i bëj aposteriori. Ajo kohë (pas vdekjes së Shehut) asociohet vetvetiu me një sjellje të ndrojtur të Kadaresë në publik (shkrimtari ishte i lidhur me familjen Shehu; më saktë, me Bashkim Shehun), mirëpo mua më ka mbetur në mendje që ai veç i ndrojtur nuk ishte në atë takim. Përkundrazi, ishte i sigurt në gjithçka bënte. Madje, ishte condescending. Mua më dukej se e demonstronte hapur vetëdijen se ishte ndryshe në atë vend, se ishte ndryshe nga ata që po e dëgjonin, e se ishte kështu për të mirën e kënaqësinë e të tjerëve, jo të tijën. Megjithëse, e vlerësuar në retrospektivë, nuk duhet përjashtuar që të kem qenë unë që merrja për arrogancë të Kadaresë magjepsjen e shastisjen e pedagogëve dhe të studentëve të shtypur prej autoritetit të shkrimtarit. Është një detaj që e ilustron këtë. Para se të ulej, Kadareja zuri të hiqte pallton, dhe personi i vetëm që ishte në tribunë me të, në të majtë të tij (nuk di të them se cili ishte; por duhet të ketë qenë një nga drejtuesit e universitetit), në mënyrë instiktive bëri një gjest prej maxhordomi: vuri duart për t’i mbajtur pallton. Por aty për aty u kap prej skrupujve të një dinjitari të lartë, i tërhoqi sakaq duart, dhe la Kadarenë t’i shërbente vetes.
Ishte takimi i vetëm publik që mua më është dukur interesant gjatë viteve të komunizmit. Ishte një takim që nuk ngjante me asgjë tjetër të ngjashme ato kohë. Në ndryshim nga takime të tjera, që nuk ndryshonin nga njëri-tjetri e që, shí për këtë arsye, ishin shumë të mërzitshëm, ky i Kadaresë bartte apriori interesin, kureshtjen, radhën e gjatë të njerëzve, sallën e mbushur citazi me spektatorë, pritjen se mund të thuheshin gjëra të ndryshme, le të themi sugjestive (sepse ishte koha kur nuk thuheshin gjëra sugjestive), frikën se mos çdo gjë, apo ndonjë gjë, dilte nga kontrolli, se mos prodhohej ndonjë lajm sensacional, dhe kjo do ishte gjëja më e tmerrshme në atë kohë pa lajme të tilla. Sepse Kadareja, edhe nëse nuk thoshte asgjë që mund të merrej me dy, apo me nën, kuptime, edhe nëse, në ato që thoshte, nuk i kapej asnjë insinuatë politike, edhe kur me regjimin bëhej njësh (dhe kjo gjë, afërmendsh, ndodhte të shumtën e kohës), ai dinte të ishte ndryshe. Dhe mua kjo gjë nuk më dukej e lehtë. As një gjë e paktë. Sidomos në rrethanat kur edhe antikomunistët se ç’kishin diçka që i bënte njësh me peizazhin komunist, të paktën në stilin e komunikimit. Ismail Kadare ishte e vetmja gjë e regjimit që nuk puthitej e nuk lidhej tamam me regjimin. Ligjërimin publik ai e kishte si të një kohe tjetër, të një vendi tjetër, të një ngjyre tjetër. Mënyrën e të shkruarit, po se po.
I gjithë ai takim, për të cilin po flas, ishte një ilustrim i kësaj që sapo thashë. Fjala vjen, në atë takim, në përgjigje të pyetjes se “përse nuk shkruan më poezi?”, Ismail Kadare dha një përgjigje “tronditëse” (kjo më kujtohet me saktësi, ngaqë ishte koha kur rrekesha të shkruaja edhe vetë poezi; që i lexoja po vetë). Në thelb ai tha se “nuk do të shkruante më poezi; poezia është një fushë krijimi, në të cilën shkrimtari shteron, është një fushë krijimi që i vë limite shkrimtarit, është një fushë krijimi, në të cilën shkrimtari rrezikon të përsërisë vetveten; shkrimtari bën poezi sa është i ri; me t’u rritur, si njeri e si shkrimtar, ai zbulon se është proza mjeti më i mirë për t’u shprehur”. Thonjëzat zakonisht përdoren kur tjetri citohet fjalë për fjalë, por në këtë rast në thonjëza kam futur mendimin e tij të perifrazuar.
Ky ka qenë “takimi” i parë me Kadarenë. Ndërsa takimin e parë real me të e kam pasur andej nga viti 1999. Duhet të ketë qenë pas Luftës në Kosovë. Tok me Andrea Stefanin e Fatos Baxhakun i kemi marrë një intervistë për llogari të RTSH-së. “Jam i hapur për të gjitha pyetjet, vetëm se kam një kërkesë”, na tha. “Dua që t’i drejtohemi njëri-tjetrit me ‘ju’”. Ishte, në fakt, një shprehje bezdie ndaj etikës së shkujdesur në studiot e televizioneve të reja që kishin lindur. Përndryshe, kjo kërkesë do të ishte e tepërt. Asnjërit prej nesh nuk i shkonte mendja t’i drejtohej Ismail Kadaresë me “ti”.
P.S.: Ky takim është organizuar prej meje si edhe mjaft takime të tjera të kryera në kryeqytet.