Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Nehat Sopaj: Poezia e Bejkos në përmbledhjen poetike “Letër Hamurabit”

Sadik Bejko lindi më 30 mars 1943 në Tepelenë. Shkollimin në vendlindje, të mesmen në Elbasan, gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës. Një kohë ka punuar mësues letërsie, pastaj pedagog në universitet. Ka qenë i ndëshkuar politik me riedukim nëpërmjet punës në minierë qymyrguri (6 vjet në Memaliaj), për çka krijimtaria e tij letrare rreth një dekadë do t’i ndërpritet. Mbas ’90-ës ka qenë dhe deputet në Kuvendin e Shqipërisë.
Vepra letrare: Rrënjët, poezi, (1972), Ku e ka folenë bilbili, poezi, (1981), Si vdes gruri, poezi, (1994), Letër Hamurabit, poezi, (1997) – shpallur libri më i mirë i vitit çmimi Penë e argjendtë – , Somnambul, poezi, (2002), Psalm për atin, poezi, (2003), Fytyrë e panjohur, poezi (2006), Këngë të Solomonit, poezi (2017), Sytë e gështenjave të egra, roman, (2011) etj

KËRPUDHA

Nga ankthi-vrer toka çahet,
vena e zbuluar pikon gjak të zi.
Kërpudhat nga të çarat vërshuan
rrënjët në kalbëzim e shi.

Dhe ndër njerëz kërpudha verbërie
në sy, në ballë… e në zinxhir.
Kërpudhë e egër lulon si sëmundje,
pushton si zgjim.

Damarë të vrertë egër zgjaten,
rrjetë rrugësh nën kupolë,
dhe shtylla dhe trarë:
qendër e botës
një kërpudhë e madhe e bardhë.

Mirëse erdhe në botën e kërpudhës!
Për të jetuar kupolën, a ke gjëmba, iriq?
Këtu shkruhet: në strehën e urrejtjes së ftohtë
ke zemër të hash gjallë armiq?

Si skalpin hiqe fytyrën, vare në gozhdë
që nën hije të bësh udhë.
Pikë-pikë mbi bar helm-vesën
thithe nën kërpudhë.

Në verbëri kapu, në marrëzi të marri-
kërpudhë opake në pllenim.
Nga stuhi verbërie, tërmet tërbimi
ke lindur si kthjellim.

Vëllimi “Letër Hamurabit” i autorit Sadik Bejko është një frymëzim i çiltër dhe i plotë me kulturën e shkrimit që e përllogarit kombëtaaren dhe të sotmen, postmodernen dhe globalizmin. Lexuesi nuk shkoqet nga frymëzimet e prera ashtu si i duken poetit: të zjarrta, të ethëshme, të zymta. Një varg figurash të tejlexueshme për të gjithë, flasin për një shpirt të shqetësuar poetik maksimalisht, për një përvojë të dhembjeve të thella e të mëdha, për një të vërtetë tmerrisht denigruese kombëtare: aty gjejmë: Hamurabër, shpella, libra, blibrabrejtës, eshtra të thara, labirinte tregjesh, hambare terri, hippodrome, bodrume, shkopinj e laqe xhelatësh, ligje e kode, dhëmbë qensh, dele me gjuhën plot zjarr, zogj që çukitin me sqep ajrin blu, pemë që kthehen në kristale, gjethe, ujë, baltë, udhë ajri… të gjitha këto nga një unë, lëmsh me nyje, mish e kocka, driza, klounë e bankete e kufoma, njerëz që kanë ngrënë zjaarr, … aty lexojmë për litarë, helme, xhelatë e burgje, njerëz që pinë zjarr e pinë shi.
Sadik Bejko për shumë arsye mund të merret fotografuesi më i mirë i komunizmit ku njerëzit lexues janë spektatorë të një teatri makabër ku jeta mund të luhet si në një film bardh e zi: e mira, e perënduar, zëvendësohet me të gjitha zezonat e një ferri tokësor. Gjithëçka është e zezë, gjithëçka është e përmbysur, gjithëçka është ironi e së vërtetës; edhe ato pak drita optimiste të cilat kryesisht dalin nga optika e qarkut familjar (p.sh, vjershat ‘Babai në mbrëmje’, ‘Ati, biri dhe buka’, ‘Rend ta kap jetën’, ‘Djegaguri’), poeti është i rrethuar me të djegat e ditës, me rrëmetet e saj, me rrokopujat e një metagjëllimi të cilit s’i dihet kahja dhe fundi me tmerret e saj. Vetë titujt e poezive e përflasin natyrën e një katrahure të nënkuptueshme: Në rrethin e trembëdhjetë, Njerëz të angështuar, Drunjëzimi, Në kaçuben e brengës, Nata e fundit e deles, Ç’mbeti pa thënë për dëshmorët, Edipi dhe zinxhiri i veës, Hija e dhelprës së kuqe, etj. Gjithëçka, gjithëçka e përflet natyrën e frymëzimit të një pshtjellimi, ku hapur dhe me një sarkazëm të theksuar portretohet shpirti në zjarr i njeriut në kohën që e lanë pas pa perspektivë, tmerret e saj dhe dhembjet e njerëzve. Hije, gogolë nate, merimanga, njerëz që presin me çomangë pas dere, dhelpra të kuqe si fantazma (shih poezinë ‘Hija e dhelprës së kuqe’), përbëjnë mozaikun e asaj kohe që në nënvetëdijen e heroit lirik, vegjetojnë me një varg frikërash që është e vështirë të shporren, sepse fantazma të tilla, në nënvetëdijen e poetit kujdestarojnë edhe sot.
Vjersha ‘Kërpudha’ mbase është poezia moto e kësaj katrahure që do ta portretojë edhe këtë gjendje të sotme ku fjalët janë të rrotulluara dhe kuptimet merren sipas një etiologjie të mbrapshtë si hije të një të kaluare. “Vena e zbuluar pikon gjak të zi…te çdo njeri kërpudha e egër lulon si sëmundje… kërpudhë e madhe e bardhë. Mirë se erdhe në botën e kërpudhës… ku shkruhet… ke zemër të hash gjallë armiq”. Gjithëçka vjen e rrotulluar së brendshmi, kurse fjalët “ke zemër të hash armiq”, mbase sikur e shplojnë ironinë e poetit: kush janë këta armiq, kush i ha ata (është i nëkuptueshëm cinizmi dhe ironia e poetit për ideologjinë totalitare komuniste)! Kërpudhë e egër lulon, thotë poeti dhe ti njeri s’ke ç’bën tjetër pos që “fytyrën vare në gozhdë”.
Vjersha ‘Kërpudha’ më vete na kujton bunkerët, strehimoret prej çimentoje dhe prej hekuri që në regjimin komunist shqiptar njiheshin si sistem mbrojtës nga armiku i jashtëm. Në pamje të parë kjo figurë na shtyn të mendojmë kështu. Megjithatë vjersha ka kuptim tjetër, shumë më thelbësor se ky survejim, ka kuptimin e së keqes brenda njeriut, oreksit të tij të pangopshëm të përfitimit material, dëshirën për të sunduar, prandaj dhe për të nështruar të tjerët për përfitime personale të atij soj njeriu. Kërpudha, në fund të fundit, del nga toka, nga të zitë e tokës, nga venat e saj pikon diç si gjak i zi, në mënyrë që pastaj të dalë diç e bardhë, nga rrënjët, nga kalbëzimet nën shi. Kërpudha është sëmurja që në zinxhir shtohet shumëfish, bëhet dëshirë e marrë, qendër për ndryshimin fizik të botës, prandaj nga një ëndërr e pastër shndërrohet në mish të egër. Ironia e kësaj dëshire të së madhes, kur gjithëçka shndërrohet në të kundërtën: ideali në instinkt vetëgllabërues, mbart ligjin që e mira shndërrohet në ligësi: “Për të jetuar kupolën… ke zemër të hash gjallë armiq”! Fjala “armik” në zanafillë ka nus-produktin e bunkerizimit ose surrogatin e mbamendjes të së keqes në kokat e njerëzve si qëllim, si mësymje. Njeriu nga homosapiensi me marrëzi i kthehet shëmtimit: dy strofat e fundit edhe më tepër e sqarojnë këtë të vërtetë: “hiqe fytyrën vare në gozhdë/… helm vesën / thithe nën lëkurë”. Poeti e ndjen se sa mund të degjenerohet soji njerëzor nëse tjetërsohet: verbëria marrëzia lindin tërmete tërbimi mu si kafsha, njeriu humb elementin e tij të vetëdijes, kategorinë e sapiensit, duke u shndërruar në homo animalia.
Tash kur komunizmi është larg, tashmë kur fajet s’dimë kujt t’ia hedhim, ne idealet i kemi kërpudha, kërpudha ose mish të egër që na i shndërrojnë virtytet në të meta. Krejt kështu për shkak të instinktit të pangopshmërisë që gjithëçka ta shndërrojmë për përfitim për veten, në dobiç. Pas gjithë këësaj që u tha, fjala e fundit e kësaj poezie është “kthjellim”, fjalë e cila sikur do të na përmbulojë turpin me një tundje koke. Fjala “kthjellim” s’do kurrëfarë sqarimi sepse lexuesi do të dijë të gjykojë ç’ka pas kësaj. Detyra e poetit s’është të predikojë për të mirën dhe të keqen, detyrë e tij është të fotografojë dhëmbët e mëdhenj që gllabërojnë gjithëçka dhe në fund edhe më të rëndësishmen, homosapiensin.
Poezitë e poetit Sadik Bejko janë talbo kritike për gjendjet dhe gjedhet e njerëzve, veset dhe ëndrrat e tyre të sëmura, dëshirat e pangopshme për sundim mbi tjetrin, pas së cilës edhe fjalët humbin kuptimet. “Kthjellim” është fjala përmbyllëse, lexuesi kupton se gjithëçka tjetër është e tepërt, vetëtorturim.
Letër Hamurabit
nga murgari i shpellës Aram

Imzot Hamurab, mua plakun e përvojtur
pse më nxore nga shpella ime,
nga budallallëku im pse më nxore?!
Nën dritat e shandanëve me arin e gjithë botës
sot po e shkruaj rreshtin e fundit në kode.

Jam shpella ime e përvojtur, imzot…
eshtrore, e gurtë… Më mjafton pak dritë.
Ha tullat e librave, i brej si brejtësit.
Më mjafton pak ujë.
Pak vaj dua për kandilin, pak bukë.
Më mjafton plasa e mekur e diellit në mur.
Thinjat e mia trembin gjeneralët e tu,
këshilltarët e tu të urtë.

Uji, uji është drita e eshtrave të mija të thara.
Ç’më duhen teatrot, hipodromet,
stadiumet e vulgut… lumë, djersë dhe gjak?
Imzot Hamurab, nuk e mbaj dot shpatën.
Lavirhanet e tregut e të valleve
për gjakun tim të mpakur
nuk ngrenë dot rrjeta, as lak.

Pse më torturon, zoti im, me sjellje të këso bote?
Njerëzit këtu janë me nga një bodrum të zi,
me nga një hambar terri mbi shpinë dhe nën tru.
Kur ata bien nga shpellat në bodrumin e vetes,
për ta s’ka më nënë, bir, mik e të dashur,
janë më të ftohtë se një gur,
më të thatë se një dru.

Në atë bodrum ata shqyhen egër mes veti.
Ti më kërkon të vë ligje për ta, të gdhend kode, imzot.
Ata duan dhëmbët e qenit, shkopin e xhelatit,
Imzot Hamurab, ata s’i ndreq që nuk i ndreq dot.
… Ja, t’i hartova ligjet, merri kodet e tua,
për mua zoti, zoti im me ligjin e tij të pamort.

Imzot Hamurab, më i madh se qytete dhe muret,
te shpella ku kthehem, le të mbulohem krejt me pluhur.
Dhe uroj: në hipodromet, stadiumet, lavirhanet e tua
nga bodrumet e zinj të njerëzve,
u derdhtë më pak gjak dhe lot i purpurt.

NË KAÇUBEN E BRENGËS

Bëj udhë pa truall nën këmbë,
udhë ajri me humbime përbrenda.
Një korridor pa mure dhe dyer,
ngjitur këmbët në baltë, ardhur nga hëna.

Thur gjyshen në leckat e mbrëmjes,
në thilenë e mbrëmjes thur brengë.
Me gjak kafshimesh
në degë dimri skuq kokrra të reja në shegë.

Një shelg të butë thinjash moshe
me dorë të fortë
e var mbi natën si hënë.
Nga bregu i korrur me milingona kokrrash
në kaçube brenge ushqej gushkuq dhe mëllënjë.

Në piskamë mëllënje si kokrrëza shege nën shi
ndërtoj një thurimë gjumi.
Me lëkurë të rjepur bari
në thilenë e natës thur hënë
dhe mbi brengë pa brigje lumi.

Bëj udhë pa truall nën këmbë.

HIJA E DHELPRËS SË KUQE

Një frikë përherë përtej dhe pranë nesh,
ngjitur shtëpive te fillon dheu në skaj.
Dredh ajrin, dredhëz në mushkëri e në tru:
Shsht, vjen gogoli në xham,
katallani zemërohet ha njerëz, ha shtëpinë,
e ha me gjithë hekur, mur e dru.

Herët bota m’u popullua me hije:
natën nën shtrat na përgjon një merimangë,
pret pas dere një njeri i zi me çomangë,
një fushë me skelete nga e padukshmja çohet
sapo dëgjojnë një drung e drang.

Tmerri im i hershëm: një dhelpër e kuqe.
Përherë te muri i shtëpisë ngjitur në vreshtë
me gojën, me sytë, me gjarpërimet
mashtruese të bishtit:
është aty, ndaj hesht, hesht.

Një ditë po ta zbonim nga bota dhelprën,
ditën tjetër do ta thërrisnim aty sërish:
me frikën dhelpërojmë vetveten,
dhelpërojmë të tjerët dyfish.

Fantazma e dhelprës së kuqe
endet prapë te kopshti i fëmijërisë,
dhe ende nuk e pashë asnjëherë.
Çarqet e ngritura për të më kapnin vetëm mua,
gjurmët e saj rendnin lart dheut përmbi dy gisht erë.

Shkrimi është marrë nga libri “Poezia dhe poeti”, Kumanovë, 2010

Please follow and like us: