Albspirit

Media/News/Publishing

VERA TOTO: JU RRËFEJ DITËN E GJYQIT TË DEPUTETËVE

Kanë kaluar mbi 70 vjet nga ajo kohë kur diktatori Enver Hoxha firmosi vdekjen e deputetëve opozitare. Selaudin Toto ishte një prej tyre. Ishte zgjedhur deputet në zgjedhjet e 12 dhjetor 1945. Më pak se dy vite më vonë, Selaudin Toto do të pushkatohej bashkë me deputetë të tjerë të atij Kuvendi.

Arrestimi

Vendimi i Byrosë Politike i datës 14 maj 1947, i firmosur nga Enver Hoxha, Nako Spiru, Hysni Kapo dhe Shefqet Peçi, urdhëronte arrestimin e 10 deputetëve, ndër të cilët ishte edhe Selaudin Toto. Gjatë arrestimit ata kaluan nëpër tortura çnjerëzore. Ditët e fundit, studiuesi Kastriot Dervishi ka publikuar dokumente zyrtare që dëshmojnë torturat çnjerëzore që u ushtruan mbi deputetët e vitit 1947.

Histori e Selaudin Totos vjen përmes rrëfimit të mbesës së tij tij, Vera Toto (Nika). Ajo ishte 15 vjeç kur u vra xhaxhai i saj, i cili kishte zënë vendin e të atit.

“Gjyqi është kryer tek kinema “7 Nëntori”. Isha jashtë bashkë me motrën. Në oborr të kinemasë ishin grumbulluar shumë njerëz, si atëherë kur bëhej në mënyrë demonstrative. Po e dëgjonim nga jashtë sepse ishte me altoparlant. Kur përfundoi gjyqi, të dënuarit dolën nga dera dhe kaluan para nesh, populli që thërriste ‘të vriten, të vriten’, ndërkohë që për ta ishte marrë vendimi: ata do të pushkatoheshin. Mbaj mend kur doli Seluadini, u kthye e na pa, e ngriti pak dorën, na përshëndeti dhe iku me të të tjerët. Ishte shpërfytyruar. Nuk njihej. E kishin torturuar shumë”.

Pas gjyqit

“Pasi u bë gjyqi, erdhën në shtëpinë tonë ata të Sigurimit dhe hynë tek dhoma e Selaudinit e morën gjërat e tij personale”.

Vera bashkë me motrën, vëllain dhe tre fëmijët e xhaxhait mbetën sërish jetimë. Seluadini ishte deri atëherë babi i tyre sepse dy vëllezërit e tij ishin vrarë në kohën e Ahmet Zogut pasi ishin pjesë e kryengritjes së Delvinës. Është një histori e dhimbshme kjo e familjes Toto sepse në çdo regjim, burrat e kësaj shtëpie janë vrarë. Vetë Selaudini ishte internuar gjatë pushtimit italian. U kthye në në Shqipëri sepse i duhej të kujdesej për gjashtë fëmijët jetimë të vëllezërve të tij.

“Babai dhe dy xhaxhallarët e mi u vranë në kryengritjen e Delvinës. Unë isha 6 vjeç kur u vra babai. Mbetëm gjashtë fëmijë me dy nënat tona dhe i vetmi burrë në derën tonë ishte Selaudin Toto. Në atë kohë ishte në Itali, studionte për fizikë bërthamore. E kishte mundësinë të shkonte në Amerikë sepse ia ofruan këtë shans, por ai u kthye në Shqipëri sepse duhej të kujdesej për ne gjashtë fëmijët jetimë të vëllezërve të tij. Ka pasur një lidhje shumë të veçantë ndërmjet atyre vëllezërve. E ka shprehur në poezi vetë Selaudini. Ja ku e kam, është e shkruar me dorën e tij”.

“Tani nga vendi im, i mërguar

Larg dheut të ftohtë që iu ka mbuluar

O vëllezërit e mi!

Tani në heshtjen e kësaj dhome i vetmuar,

Larg nga dheu i njomë që u ka mbuluar përgjithmonë,

O të tre vëllezërit e mi!

*** 

Në vetminë e kësaj nate të tmerruar,

Si fëmijë i ngashëruar që kërkon nënën e tij

Dua të vajtoj..

O të tre vëllezërit e mi!”

Arrestimi i Selaudinit

Vera e mban mend mirë ditën kur xhaxhai i saj u largua për të mos u kthyer më kurrë në shtëpi.

“Ishte zgjedhur deputet i Frontit në Kuçovë. Nuk ishte anëtar i Partisë Komuniste. Selaudini iku në mëngjes në punë dhe nuk u kthye më. Në atë kohë ishte drejtor i Institutit të Shkencave, ai e krijoi atë institut. Nga dreka na erdhi një i njohur dhe na tha se Selaudinin e kanë arrestuar. Na tha të mos bëjmë asnjë veprim. Ne u shokuam. Për 48 orë nuk kemi dalë nga shtëpia asnjë prej nesh. Ishim gjashtë fëmijë me dy nëna. Sigurisht që hoqën nga puna nënat tona dhe për ne nisi një jetë jo e lehtë. Nuk u shkolluam dot e të tjera privime në jetën tonë. Ajo që mbetet pengu im është heqja e të drejtës së studimit”.

Please follow and like us: