VOTA ANTIAMERIKANE E QEVERISE SHQIPTARE NE OKB, KUNDER INTERESAVE TE KOMBIT SHQIPTAR
DEKLARATE E FEDERATES PANSHQIPTARE TE AMERIKES”VATRA”
Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA ka ndjekur me një interes të lartë cështjen e transferimit të ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Jeruzalem dhe ka mbështetur qëndrimin e Presidentit Trump pa asnjë rezervë.
Federata Vatra, mbështetësit dhe simpatizantët e saj në SHBA dhe mbarë botën janë ndjerë tejet të zhgënjyer nga votimi kundër i Qeverisë së Republikës së Shqipërisë për Rezolutën e paraqitur në OKB.
Kjo votë kundër SHBA e Kryeministrit Edi Rama është jo vetëm mosmirënjohje për gjithë mbështetjen amerikane ndaj Shqipërisë përgjatë shtetformimit, e deri më tash, si edhe për rolin vendimtar në krijimin dhe procesin e njohjes së Republikës së Kosovës, por është edhe një mesazh tejet i rrezikshëm për vazhdimësinë e marrëdhënieve mes SHBA dhe Shqipërisë. Votimi i Qeverisë Shqiptare kundër SHBA është akti i dytë publik i Kryeministrit Edi Rama, pas deklarimit të tij të mëparshëm se zgjedhja e Trumpit President të SHBA “Zoti na ndjeftë, do të dëmtonte botën demokratike”.
Parë në zhvillimet më të fundit të diplomacisë amerikane, sa i përket anëtarësimit të Kosovës në OKB, vota e Qeverisë Shqiptare kundër Shteteve të Bashkuara konsiderohet nga Federata Vatra si një Akt Antikombëtar.
Duke përfituar nga ky moment krycial i diplomacisë botërore, VATRA shpreh publikisht mbështetjen më të thellë për Presidentin Trump dhe përpjekjet e tij për të rritur autoritetin e SHBA në botë. Gjithashtu, Federata Panshqiptare Vatra vlerëson jashtëzakonisht prezantimin tejet professional dhe mbrojtjen dinjitoze të kësaj nisme në OKB nga Ambasadorja Nikki R. Haley.
Së fundi, Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA, si organizatë shekullore dhe më e madhja e diasporës shqiptare rikonfirmon qëndrimin e saj të palëkundur në mbështetje të Presidentit Trump dhe dënon me ashpërsi sjelljen antikombëtare të Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama.
Vatra i bën thirrje ndërgjegjes shqiptare kudo në botë që në këto momente delikate të rrisë dashurinë dhe besimin tek SHBA, si vendi më mik i kombit tonë.
Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra po ndjek me vëmëndje situatën dhe do të paraqesë shqetësimin e saj në instancat më të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.