Agron Duka prezanton lëvizjen e re në politikë
-Kreu i PAA: Sot deputetët janë thjesht noterë, Reforma Zgjedhore e vetmja alternativë për qeveri cilësore-
Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka shprehet se shumë shpejt në skenën politike do të ketë një bosh të ri politik me 10 parti. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Duka deklaron se platforma kryesore e këtij boshti do të jetë reforma zgjedhore. Ai thotë se nëse PD dhe Lulzim Basha nuk do të reflektojnë për reformën zgjedhore, PAA dhe grupimi i ri politik do të shqyrtojë pozicionet e tyre. Disa ditë më parë, Duka ishte ideatori i një takimi me pesë kryetarë të partive opozitare, kreun e FRD, Bamir Topi, kreun LIBRA Ben Blushi, kreun e LZHK Dashamir Shehi, kreun e PDK Nard Ndoka dhe kreun e PBDNJ, Vangjel Dule.
Duka këtë javë publikuat disa foto të një takimi që zhvilluat në Durrës me z. Topi, z. Blushi, z. Shehi, z. Ndoka dhe z. Dule. Ato fotografi bën xhiron e mediave online në Shqipëri, të cilat po aludojnë për krijimin e një poli të tretë politik. Mund të na jepni një koment?
Në mbyllje të këtij viti, i cili ka qenë mjaft i ngarkuar për politikën shqiptare; dhe si pasojë e dinamikave që morën ngjarjet, dhe efektet që ato patën mbi partitë alternative, vendosëm të hedhim disa hapa të cilat do të konkretizohen duke nisur nga janari i ardhshëm. Mund të them se rezultati i parë do të jetë krijimi i një boshti prej 10 partish, parlamentare dhe jo, dhe bashkërisht do të prezantojmë një platformë me propozime konkrete; sigurisht, guri i themelit i këtij bashkimi është “Reforma Zgjedhore”. Lançimi i kësaj ideje politike, e kësaj alternative, do t’i bëjë mirë shoqërisë shqiptare dhe vetë jetës politike në vend, pasi kërkon që procesi zgjedhor të lejojë përfaqësimin e sa më shumë shtresave të popullsisë. Ideja e një poli të tretë apo të qendrës, në thelbin e saj ka edhe një efekt tjetër pozitiv, limiton mazhorancat e plota nga një forcë e vetme; eksperiencat kanë treguar që mazhoranca, sidomos aktualja, sillen me arrogancë dhe për të frenuar këtë sjellje është e rëndësishme të ketë një ekuilibër në çdo mazhorancë të ardhshme.
Cilat janë propozimet tuaja për sa i përket Reformës Zgjedhore?
E kam thënë disa herë dhe e përsëris, kemi një sistem zgjedhor jo demokratik; i cili është nën kontrollin e dy partive të mëdha. Beteja jonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk bëhet vetëm kundër vjedhjes, shit-blerjes së votave ose përdorimit të elementve kriminal gjatë zgjedhjeve, por edhe për një sistem zgjedhor më të drejt. Sistemi aktual ka marrë peng zhvillimin demokratik të vendit, dhe cilësia e dobët e qeverisë është shembulli i deformimit që demokracia pëson kur deputetët zgjidhen vetëm nga kryetari i partisë, dhe Parlamenti transformohet në një dhomë noterie të vendimeve të kryetarit. Për këtë arsye duhet një sistem mazhoritar, ndoshta edhe i përzier, ku nuk duhet të mungojë në mënyrë kategorike votim dhe numërim elektronik. Nuk mund të lëmë më zhvillimin e procesit vetëm në duart e dy tre njerëzve, kushdo qofshin ata. Është jetike për të ardhmen e vendit rifitimi i parlamentarizmit, duhet të kemi dialektik cilësore edhe brenda mazhorancave. Duhet t’ju krijojmë mundësinë qytetarëve të përzgjedhin në mënyrë të drejtpërdrejtë përfaqësuesin e zonës, pra duhet promovuar lidhja e të zgjedhurve me zgjedhësit. Gjithë këtë e mundëson vetëm një reformë rrënjësore e kodit zgjedhor, e cila është e vetmja alternativë për një qeveri cilësore.
Duka, ju thatë se në muajin janar do të dilni me një platformë të përbashkët, përtej reformës zgjedhore, do të ketë propozime të tjera? Çfarë qëndrimi ka ky grupim kundrejt mazhorancës dhe opozitës?
Partia Agrare Ambientaliste, por edhe aleatët e tjerë, vazhdon të qëndrojë në opozitë me këtë mazhorancë. Për sa i përketë platformës, duke qenë partizan i një politike pozitive dhe konstruktive, besojë se do të krijohen kushtet për të patur një bashkëpunim më të gjerë, i cili do të pasqyrojë qëndrimet konsekuente që ne kemi kundrejt zgjedhësve tanë. Pra ne do të qëndrojmë fuqimisht të lidhur me çështjet e PAA-së, por gjithashtu do t’i shërbejmë stabilitetit të vendit. Duam të krijojmë një klimë konstruktive dhe pozitive, më bashkëpunuese dhe njëkohësisht t’i shërbejmë përshpejtimit të atyre reformave që ndihmojnë integrimin në BE, por edhe në përmirësimin e situatës ekonomike në vend. Ajo që më bënë shpresëplotë për të ardhmen e kësaj sipërmarrje, është cilësia dhe vlerat e bashkudhëtarëve të mi në këtë rrugëtim. Njerëz me përvojë të gjatë politike, të përgjegjshëm, të besueshëm me një dëshirë të madhe për të dhënë një kontribut që dukshëm mungon në parlamentin e sotëm.
Cilat janë marrëdhëniet aktuale me z. Basha?
Sikurse thashë pak më sipër, mbetemi një parti opozitare. Kemi këtë qëndrim prej katër vitesh tanimë, dhe sigurisht do të jemi konsekuent me qëndrimet tona. Por, ndryshe nga çfarë ndodhi mandatin e shkuar, Partia Agrare Ambientaliste do të kërkoj jo vetëm nga Ndërkombëtarët dhe mazhoranca, por edhe nga z. Basha përpjekje serioze për një Reformë Zgjedhore cilësore dhe demokratike. Nëse kjo nuk do të ndodhë, sigurisht do shqyrtojmë pozicionet tona edhe nëpërmjet grupimit të ri. Nëse do t’i referohesha një sondazhi të kësaj jave, të kryer nga analisti Eduard Zaloshnja, i cili bën një grumbullim mekanik të votave që ne si parti të vogla kemi marrë, ku “Poli i 3-të” i bashkohet koalicionit aktual parlamentar PD, LSI, PR, krijohet një barazi statistikore mes shumicës dhe opozitës. Kurse, një dalje më vetë e partive tona, e ndryshon ndjeshëm këtë balancë, në disfavor të opozitës PD, LSI, PR. Pra, nëse opozita dëshiron të ketë rezultate, duhet të ketë një vullnet konstruktiv për të arritur rezultate e nevojshme, jo vetëm për ne si parti, por për të gjithë ata që janë në kërkim të një alternative ndaj kësaj mazhorance.