Albspirit

Media/News/Publishing

Arti i koreografisë mban emrin e Kozeta Bakiut

  

 

Është lindur për të qenë koreografe, dhe jo thjesht një koreografe. Ajo është Kozeta Bakiu, tashmë e njohur nga të gjithë si koreografja e të gjitha kohërave, e brezave, dhe e risive. Nuk mjaftohet vetëm më një sukses të shënuar, por dëshiron gjithmonë të jetë aty ku ka art. E përkushtuar ndaj punës, të gjitha njohuritë e saj, Kozeta nuk kursehet t’ua përçojë studentëve të koreografisë dhe baletit në Universitetin e Arteve, ku ushtron profesionin e pedagoges. Ajo është gjithmonë aty ku ka festë kërcimi, është në evenimentet më të rëndësishme dhe datat kombëtare… Sepse arti  i koreografisë mban emrin e Kozeta Bakiut.

Në gjithë karrierën tuaj koreografike ka ndonjë numër që e veçoni ndaj të tjerëve?

Do veçoja baletin “Ditari” i Ana Frank, një punë kolosale e Silvester Shuta dhe Klejvi Carkanji, 8 personazhe që mbajnë gjallë një orë e gjysmë puklikun dhe skenën e UART.

Ndërsa për sa i përket unës në TV do të veçoja numrin e fundit në festivalin e muzikës së lehtë “Kënga Magjike 2017”, ku morën pjesë në skenë 28 balerinë me një performancë mbreslënëse me kostume të krijuara nga stilisti Joni Peçi. I jam tepër mirënjohëse dhe mikut tim Ardit Gjebrea i cili ka besuar gjithmonë në punët e mia artistike.

Ka patur ndonjë pasion tjetër në jetën tuaj përveç koreografisë ku mund të përkushtoheshit profesionalisht?

Unë e kam filluar që në moshë të vogël kërcimin, këtë zhanër të bukur të artit. Baleti është disiplinë që të formon edhe në karakter. Prindërit kanë dashur të më bëjnë mjeke, mua personalisht më pëlqen psikologjia. Sidoqoftë mendoj që me artin do merresha, por mendoj që pedagogjinë nuk do e ndërroja me një profesion tjetër.

Duke qenë se jeni edhe pedagoge në “Universitetin e Arteve” mund të na thoni sa të përkushtuar dhe pasionantë janë studentët e sotëm?

Brezi i sotëm është brez i vështirë. Por nuk mendoj që nuk kanë pasion; mendoj që duhet t’i gjesh motivin e duhur për ta shtyrë drejt një profesioni kaq të vështirë si koreografia. Pasi edhe frontet e punës janë të pakta në këtë profesion.

Po nëse i krahasoni me ata të 10 viteve më parë?

Është e vështirë të krahasosh brezat pasi edhe interesat e kohës në të cilën jetojnë janë të ndryshme. Para 10 vitesh kishte më shumë pasion, pasi kishte më shumë ëndrra, kishte IDHUJ. Sot pak e vështirë, ëndrrat kanë ndryshuar, komerçi ka bërë punën e tij dhe “idhujt” kanë ndryshuar… Prandaj duhet të ecim me hapin e kohës e mos të bëjmë krahasime. Por do thoja para 10 vitesh, ka qenë një kohë e bukur dhe e jetuar.

Nëse do kishit diçka në dorë për të ndryshuar, çfarë do t’i shtoje artit koreografik dhe çfarë do t’i hiqje?

Unë nuk mendoj që kam forcën të shtoj apo të heq diçka. Kam pasionin për të punuar në formë të drejtë e me përkushtim për të vënë jo një tullë, por një kokrrizë rëre në këtë art të bukur të koreografisë… Të tjerat që do të vijnë më pas do gjykojnë.

Kozeta Bakiu, cila do ishte këshilla juaj për brezat e rinj që duan të ndjekin artin koreografik në Shqipëri?

Talenti është dhunti, është dhuratë e lindur, shkolla të mëson bazat e profesionit, por suksesin dhe duartrokitjet t’i jep vetëm puna, asnjë gjë tjetër.

Kanë prespektivë në Shqipëri koreografët e rinj apo duhet të kalojnë kufirin për t’i premtuar vetes të ardhmen artistike me më shumë përfitime?

Mendoj që çdokush që punon i bën vend vetes si këtu ashtu dhe jashtë Shqipërisë. Vështirësitë janë të njejta, si këtu por dhe jashtë, ka vështirësi të tjera, të ardhurat sigurisht andej janë më të mëdha pasi arti në përgjithësi vlerësohet më shumë se në vendin tonë. Por që ka edhe shumë balerinë shqiptarë që kanë pushtuar skenat botërore nga më të rëndësishmet dhe këtë nuk mund ta mohojë askush dhe janë të shumtë në numër, edhe pse shqiptarët në Shqipëri nuk i njohin, por ka më shumë se artistë të çdo zhanri tjetër arti.

Ju pëlqen kjo periudhë e vitit?

Më shumë më pëlqen pranvera dhe vjeshta, këto dy stine për mua janë shumë të bukura, plot dritë e ngjyra.

Ku do t’i kaloni festat, në Shqipëri apo jashtë?

Festat e fundvitit do t’i kalojmë në televizionin “Klan”, tek “E Diela Shqiptare” me Ardit Gjebrean dhe plot surpriza të rezervuara gjatë asaj nate, pasi jemi në punë dhe më 24 Dhjetor dhe më datë 31 nga ai ekrani i vogël do t’i kalojmë festat me të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen e që do të na ndjekin… Unë i uroj të gjithëve një vit të mbarë plot dritë e jetë./mulliri.al/

Please follow and like us: