Albspirit

Media/News/Publishing

Inva Mula: Kur u bëra nuse e Drenicës

Diva glamuroze, Inva Mula, kur nisi rrugëtimin e saj drejt skenave të Parisit, më se dy dekada më parë, askush nuk e kishte besuar se ajo kishte guximin gjigant dhe vullnetin e zjarrtë për të triumfuar në çdo paraqitje operistike. Ajo këndoi në teatrot më të famshëm të planetit, shkëlqeu me performancën e saj, u duartrokit pafundësisht, dhe u shndërrua në thesar kombëtar, të cilën do ta dëshironte secili shtet për vete. Kudo ku u paraqit, aplikoi tonin e saj të pabesueshëm, ndaj dhe për shkathtësitë e saj artistike, kritika e vlerësoi në superlativ, ndërsa ajo të gjitha majat i arriti falë punës dhe angazhimit të saj personal, një qasje e guximshme për një karrierë moderne operistike. Në intervistën ekskluzive për revistën TEUTA, Inva Mula, veç aktiviteteve profesionale, rrëfen dromca nga jeta e saj private.

 

Intervistoi Blerina Gashi
Fotografitë Fadil Berisha

Zonja Inva, nëse do të bënim një rezyme të ngjarjeve, a mund t’i thoni sukseset më të mëdha të arritura gjatë periudhës së fundit, me të cilat krenoheni pafundësisht?
– Sigurisht që do veçoja këtu aktivitetet e fundit në turin tim në kontinentin amerikan. Koncerti në Town Hall, në një nga teatrot në Brodway të New Yorkut që vërtet nga rëndësia është quajtur historik. Më pas, me koncertin madhështor në Toronto, në sallën Georges Weston Recital Hall, si dhe në mbyllje të turit, koncerti në sallën Margaritte Bougeys në Montreal të Kanadasë.
Si një artiste e skenave botërore, cilat lloje të roleve ju japin më shumë kënaqësi?
– Por, tani nuk janë vetëm rolet që më japin satisfaksion, por ato evente të cilat janë të veçanta dhe të ndryshme nga ato që kam bërë përpara. Kjo vjen dhe nga nevoja për ndryshim dhe për të mos përsëritur vetveten.
Gjatë karrierës suaj keni interpretuar përkrah artistëve më të njohur, siç ishte Domingo, me të cilin kënduat qysh në vitin 1993, në skenat më me renome në botë. Cili nga artistët e famshëm ka pasur ndikim më të madh tek ju?
– Si thatë dhe ju përpara, pikërisht është i madhi Placido Domingo që hapi dhe rrugën time të suksesit dhe mbetet mentori i karrierës sime, shembull për t’u ndjekur jo vetëm si artist i madh, por si njeri shumëdimensional, ku çdo aksion në jetën e tij është shembull për të gjithë brezat e artistëve .
Megjithatë, gjatë karrierës njeriu pëson rënie dhe ngritje. Ju, a përjetuat ndonjë ngjarje e cila gati sa ju detyroi të largoheshit nga muzika, apo përherë keni depërtuar pa asnjë vështirësi dhe suksesi ka qenë përherë i garantuar? 
– Nëse mendoni që suksesi është i garantuar, është vërtet një gënjeshtër e madhe. Çdo ditë dhe çdo hap në skenë është një sfidë e re dhe një punë e madhe për arritjen e suksesit dhe kjo rrugë nuk paska të mbaruar, madje sa më shumë kalon koha, aq më shumë rritet përgjithësia për ta merituar atë.
Cili është roli që e bën shumë të fortë karakterin tuaj? Cili rol ju solli fat në karrierë?
– Roli më i bukur dhe që më ka lënë mbresa për gjithë jetën është Violetta në operën La Traviata, jo vetëm që ka qene roli im i parë në moshën 22-vjeçare, porse në çdo etapë të rëndësishme të karrierës sime me këtë rol kam dalë faqebardhë dhe më ka sjellë shumë fat.
Impenjimet tuaja profesionale nuk ju lejojnë të kaloni shumë kohë në shtëpi. Sa ju mungon jeta familjare pranë fëmijëve dhe bashkëshortit? 
– Kjo është një anë tjetër e medaljes, ajo jetë që do të dëshiroja ta kisha të përditshme, të qenit në dhe me familje. Nuk mund të kesh çdo gjë në jetë, por jam me moton që nuk ka rëndësi sa kohë kalon me familjen, por cilësia e kohës që kalon me të.
Jeni nënë e Antonios, një djali tashmë të rritur dhe Ninës së vogël. Sa është e vështirë që, krahas karrierës së suksesshme, të jeni edhe një nënë e përkushtuar? Për çfarë ju konsulton më së shpeshti djali juaj dhe në cilat momente i mungoni Ninës?
– Jam me fat që jam nënë e një djali të rritur, 21-vjeçar, me të cilin mund të bisedoj gjithçka dhe shumë herë të mësoj nga ai. Të jetosh me një të ri sot është një shkollë e madhe, sidomos me zhvillimin e teknologjisë, brezi im është në vështirësi me të rejat e përditshme në këtë fushë. Djalin e kam në çdo moment googel për të jetuar me kohën, por jo vetëm në këtë drejtim, pasi me Anthony-n mund të rrahim mendime, gustot tona përkojnë dhe ai ka shumë shije në art, në jetë dhe më befason me pjekurinë si të një burri me përvojë. Ndërsa me vajzën i jam kthyer përrallave dhe lojërave me kukulla, kjo më bën të rikthehem në kohë dhe ta jetoj jetën me tërësinë dhe bukurinë e saj.
Përveç se jeni bijë e Dukagjinit, ju jeni edhe nuse e Drenicës? Si është jeta përkrah një biznesmeni për një këngëtare operistike? 
– Në tregimet e mia të fëmijërisë kam dëgjuar nga hallat e mia, nga babai im, për Gjakovën dhe këto kanë lënë gjurmë në jetën time. Kur kam shkuar për herë të parë në Gjakovë, kam ndier që i përkisja dhe unë në njëfarë mënyre këtij qyteti heroik. Kur u bëra nuse e Drenicës, fillova të dëgjoja dhe të interesohesha për historinë dhe heronjtë e Drenicës. Kur kam vizituar për herë të parë shtëpinë dhe varrezat e familjes Jashari, jam emocionuar shumë dhe më ka lënë mbresa të pashlyeshme personifikimi i heroizmit dhe vetëmohimit kolektiv, që populli shqiptar ka lënë në historinë e tij shumëshekullore.
Bashkëshorti juaj, Hetem Ramadani, është një adhurues i muzikës klasike, i cili i ndjek me shumë entuziazëm koncertet tuaja. Cili është komplimenti më i bukur nga ai? Ju pret përherë me lule pas interpretimit?
– Në fakt Hetemi ka qenë gjithnjë adhurues i muzikës klasike edhe përpara njohjes me mua. Në momentin që ishim bashkë, unë gjeta një adhurues të madh të artit tim dhe ky është fat i madh për një artiste të jetë e adhuruar në radhë të parë nga njeriu që ndan jetën me të, pasi kështu jeton me gjithë sukseset, dyshimet, zhgënjimet, satisfaksionet etj., etj. Kjo bën që të ndihesh e mbështetur në familje dhe kjo i jep një hov të mrekullueshëm krijimtarisë artistike. Lulet nuk kanë munguar, por do të ishin të thara nëse mesazhi mbrapa tyre të mos ishte i ndier.
Sot në Kosovë dhe në Shqipëri kemi shumë të rinj të talentuar, të cilët ëndërrojnë që një ditë të interpretojnë në skenat botërore. Cila është rruga e cila duhet ndjekur? Mund të na e thoni mesazhin tuaj?
Artistët shqiptarë e kanë kuptuar tashme çfarë duhen të bëjnë, ballafaqim me botën e madhe konkurruese dhe shembujt e mirë nuk mungojnë me një listë të bukur të artistëve nga të gjitha trevat shqiptare, që sot janë të suksesshëm në botë.
Të mos heqin kurrë dorë nga ëndrra e tyre dhe të mos mendojnë kurrë që i përkasin një kombi të vogël. Fati i gjithsecilit është i ndryshëm, por të besosh te vetja dhe të punosh seriozisht, gjithmonë të nxjerr faqebardhë. Përsëri e them – mos e shpërfillni ëndrrën, por mos flini në dafina./revista Teuta/

Please follow and like us: