“Koha e Pelikulës”, përkujtohet regjisorja e fëmijëve, Xhanfize Keko
Xhanfize Keko ka një dekadë që nuk është më mes nesh. Por Xhanoja, siç e thërrisnin, na ka lënë aq shumë. Jo vetëm me kinematografinë e saj, por me shkollën e madhe me fëmijët, që i formëzoi, duke i shndërruar në aktorë. Filmat e saj, si “Tomka dhe shokët e tij”, “Beni ecën vetë”, “Kur xhirohej një film”, “Mimoza Llastica” etj, janë shembulli më i qartë i një kohe dhe një brezi të vegjlish me ëndrra të lira. Në këtë dhjetëvjetor mungese kineasti Mevlan Shanaj i kushton dokumentarin “Koha e Pelikulës”.
Janë 10 kineastë dhe kritikë të huaj që e ndërtojnë këtë dokumentar, por kryesorja është ajo, vetë Xhano. Për të cilën Shanaj ka përzgjedhur mes materialeve të pafundme më domethënëset.
“Ta ndërtosh portretin e Xhanfize Kekos, nëpërmjet Xhanfize Kekos. Ky është suksesi, nuk ka gazetarë, nuk ka komentatorë, por është vetë Xhanua që na tregon mënyrën e saj të perceptimit të regjisores”, thotë Shanaj.
“Na ka lënë një pasuri, një trashëgimi të jashtëzakonshme, që e theksoj akoma , të pazëvendësueshmë, edhe nga breza të tërë kineastësh, që kanë pasuar, shprehet Ilir Butka, drejtor i QKK.
“Ndihem shumë krenare për nëna Xhanon, vepra edhe jeta e saj janë një shembull për mua”, thotë mbesa e tij.
Tre vite kohë për të ndërtuar “Koha e pelikulës”, e një kujtim i veçantë, për Xhanfize Kekon, e cila i dha shpirtin filmave të saj, e që ka lënë një mungesë të madhe pas./TCH/