Letra e Kasëm Trebeshinës: Shoku Enver, nuk kam qenë asnjëherë revizionist, Shqipëria po lulëzon. Shënimi i Enverit: Hiq dorë nga marrëzitë…
Së shpejti libri më i ri “Shkrimtarët dhe artistët nën diktatin komunist…” i gazetarit dhe studjuesit të njohur, Dashnor Kaloçi.
Ekskluzive/ Zbulohen letrat e Kasem Trebeshinës të vitit 1965, dërguar Enverit dhe Byrosë Politike, ku u thotë se: “Do vrasë veten nëse nuk më caktoni përkthenjës”
Nga Dashnor Kaloçi, TemA
Shënimi i Enverit: “Duhet bëni përpjekje nga shokët, të afërmit, të heqë dorë nga marrëzitë që thotë. Le të vazhdojnë ta ndihmojnë siç thashë më lart”
Ashtu siç pamë edhe në kapituj të tjerë paraardhës të këtij libri, ku shkrimtari Kasem Trebeshina në vitin 1963 u ka dërguar një sërë letrash, Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike, (letra që tashmë janë të njohura prej vitesh, nga që janë bërë publike prej shkrimtarit dhe studjuesit të njohur, Prof. Dr. Sadik Bejko në librin e tij “Disidentët e rremë”), Trebeshina e përsërit të njëjtën gjë dy vjet më vonë, duke u dërguar përsëri një sërë letrash dhe ankesash në adresë të Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike.
Po ashtu si në letrat e vitit 1963, ku ai u bën me dije udhëheqjes së lartë të PPSH-së, se; nuk ka qenë dhe nuk ka dalë asnjëherë kundra vijës së partisë dhe ligjeve të shtetit, edhe në letrat e vitit 1965, ai përsërit të njejtën gjë. Kështu, në vitin 1963, ai u bënte me dije të dërguarëve të udhëheqjes që shkuan për ta takuar në Gramsh, se: “nuk kam qenë asnjëherë kundra vijës së partisë, përkundrazi, në vitin 1956 kur u zhvillua Konferenca e Tiranës e më vonë kur u bë kundërrevolucioni në Hungari, kam mbajtur një qëndrim të mirë dhe në këtë kohë i kam dërguar një letër shokut Mehmet Shehu, me të cilën si qytetar i Republikës Popullore të Shqipërisë, solidarizohesha me qëndrimin që mbante partia”.
Pak a shumë të njëjtën gjë Trebeshina përsërit edhe në letrat e vitit 1965, ku në mes të tjerash shkruan pasazhe të tilla si: “Nuk kam qenë asnjëherë kundërshtar dhe gjithë pakënaqësija ime do të çdukej me një botim në kohën e duhur”.“Gjithë gabimet e mija janë shkaktuar nga nxitimi dhe në inat e sipër”. “Më mbyllën në Ishullin e Zvërnecit duke më akuzuar si revizionist, pa qenë i tillë”. “Unë jam i kënaqur që e pashë vendin tim të lulëzuar dhe sidomos me një pavarësi të plotë”.
Pra, letrat pothuaj kanë të njëjten përmbajte, por ndryshon vetëm koha kur ato janë shkruar. Kështu p.sh. në vitin 1963, ai bënte kerkesë që të mos qëndronte më në Gramsh si mësues, por ta lejonin të kthehej pranë familjes në Tiranë, apo dhe në Shijak ku kishte dhe shokun e mikun e tij të afërt, Mehmet Myftiu, kërkesë që iu plotësua, nga Shijaku tashmë ai kërkon Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike që të kthehet në Tiranë.
Dhe pas plotësimit të kësaj kërkese, nga Tirana ku banonte, Trebeshina i kërkon përsëri Enverit dhe Byrosë, që nuk është dakort që të punojë si llogaritar ku e kanë caktuar, por iu lutet atyre që të punojë si “përkthenjës”.
Sa më sipër cituam, ndryshe nga letrat e vitit 1963 ku në mosplotësim të kërkesave të tija, Trebeshina kërcënonte me grevë urie, në letrat e vitit 1965, ai “ka avancuar” më tej në “kërcënimet” e tij, duke i bërë me dije Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike, se: “në pamundësi që t’i shtyj më gjatë ditët dhe vuajtjet e mia dhe duke qenë shumë i sëmurë, në pamundësi shërimi, kam vendosur që ta mbyll sa më parë jetën time, duke ngriur vetë dorën kundër saj”. Pra, kësaj rradhe Trebeshina kërcënon me vetëflijim, gjtë të cilën e specifikon se e bën për shkak të një sëmundje të pashërueshme që ka…?!
Nga letrat dhe dokumentet arkivore që disponojmë, si ato të vitit 1963 dhe ato të 1965, edhe përgjigjiet që i kthehen Trebeshinës nga udhëheqja e lartë, si Enver Hoxha, Mehmet Shehu etj, kanë pothuaj të njëjtën frymë në përmbajtjen e tyre. Madje, Enver Hoxha ka shkruar me dorën e tij: “Të bëjmë përpjekje ta ndihmojmë që ai të heqë dorë nga marrëzitë e tij”. Po kështu në një shënim tjetër thuhet se Mehmet Shehu ka urdhëruar që; Kasem Trebeshinën ta sjellin në Tiranë, siç dhe e sollën në të vërtetë pas letrave të shumta që ai niste në adresë të udhëheqjes.
Të gjitha këto ndoshta kanë ardhur nga fakti se Trebeshina kishte lidhje farefisnie e krushqie me disa nga udhëheqja e lartë, si p.sh. Fiqret Shehu, Bilbil Klosi, Ramiz Alia etj, deri tek i vëllai, Myzafer Trebeshina, sekretari i parë në disa rrethe, apo nipi i tij, hetues në Grupin Special që gjykonte Kadri Hazbiun, Feçor Shehun, Llambi Ziçishtin, Llambi Peçinin, etj në vitin 1982. Edhe vetë Kasemi vinte nga lufta, madje me mjaft merita. Por, edhe pse Trebeshina pati një jetë plot vuajtje dhe sakrifica duke kaluar vite të tëra larg familjes, si në Ishullin e Zvërnecit, Spitalin e Burgut në Tiranë (pavioni psiqiatrik), Gramsh e Shijak, duhet thënë se në letrat e tij nuk rezulton aspak ndonjë frymë disidence, sikur është paraqitur pas viteve ’90-të nga disa adhurues të tij?! Përkundrazi, ai shprehet solidar me pushtetin komunist dhe udhëheqjen e lartë, gjë e cila si duket është bërë shkas që gradualisht atij i janë plotësuar pothuaj të gjithë kërkesat, me përjashtim të asaj që kërkonte të punonte si përkthyes. Dhe po ta krahasojmë këtë gjë me shkrimtarë dhe poetë të tjerë, si p.sh. Trifon Xhagjika në apo Hafzi Nela, ajo që ka bërë udhëheqja me Trebeshinën, pa e tepruar aspak mund të quhet një “llastim”. Gjithsesi, duhet pranuar aksioma e vjetër se: “Çdokujt i mjaftojnë vuajtjet e veta”?! Dokumentet në fjalë i publikojmë të plota dhe pa asnjë ndryshim apo shkurtim.
………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………
Letra e Kasem Trebeshinës nga Shijaku për Enver Hoxhën
Sekretarit të parë të K. Qëndror të P.P.Sh.
Shokut Enver Hoxha
Tiranë
Me anë të kësaj letre u vë në dijeni për sa më poshtë.
Në pamundësi që t’i shtyj më gjatë ditët dhe vuajtjet të mija dhe duke qenë shumë i sëmurë, në pamundësi shërimi e kam vendosur që t’a mbyll sa më parë jetën time duke ngritur vetë dorën kundër saj. Por përpara se të mbyll sytë dua të provoj për herë të fundit në kam mbetur me të vërtetë i tepërt në Shqipërinë tonë dhe si tillë të ç’dukem. Përveç kësaj, përpara se të mbyll sytë përgjithmonë dua të them dhe këtë: Nuk kam qenë asnjëherë kundërshtar dhe gjithë pakënaqësija ime do të çdukej në një botim në kohën e duhur. Nuk kam pasur asnjë përgatitje ideollogjike dhe gjithë gabimet e mija janë shkaktuar nga nxitimi dhe në inat e sipër. Unë jam i kënaqur që e pashë vëndin tim të lulëzuar dhe sidomos me një pamvarësi të plotë dhe të sigurtuar mirë. Nuk kam çfarë të them më tepër dhe në gjëndjen time nuk mund të thuhet më tepër. Duke e mbyllur dua t’u kujtoj edhe njëherë kërkesat e mija të vazhdueshme për lirim, kërkesa që gjermë tashti kanë mbetur pa përgjigjie. Në mes të tjerave dua t’iu kujtoj edhe faktin se tashti mbushen tre vjet dhe kjo kohë përbën dënimin që më është dhënë në fillim kur u mbylla në Ishullin e Zvërnecit si revizionist, pa qenë i tillë. Po qe akoma ndonjë derë për lirimin tim, i lutem të mos ngurroni të m’a hapni për të kthyer edhe njëherë në gjirin e familjes sime, në gjirin e shoqërisë, që me një punë të vogël të ndihmoj vehten time, familjen time dhe shoqërinë. Duke u kapur pas kësaj shprese të fundit dhe duke pritur vdekjen nga çasti në çast.
Mbetem me respekt,
(Kasem Trebeshina)
Shijak, 20/ Mars/ 1965
……………………………………………………………………………………………………………………………………………………
KOMITETI QENDROR I P.P.SH Alf. K
Dega e Përgjithshmë Nr. 158
Seksjoni i pritjeve dhe letrave e ankesave Dt.25.3.’65
KARTELE E REGJISTRIMIT DHE EVIDENCES SE LETRAVE
Emri; Kasem Trebeshina
Adresa: Hotel Shijak Rrethi Durrës
Kujt i drejtohet letra….Shokut Enver dhe Byrosë Politike
U lexua nga Vaske Çifliku
Çështja që parashtron: Thotë se para se t’i jap fund jetës, po bën këtë letër për të parë se mos ka mbetur ndonjë fije shprese për ta liruar pranë familjes së tij. Para se t’i mbyllë sytë është i gëzuar se pa Shqipërinë të Lirë dhe të Lulëzuar. Asnjë shenjë pakënaqësie nuk do të ishte krijuar tek ai në qoftë se do t’i botoheshin veprat në kohën e duhur. Pret nga çasti në çast që t’i jap fund jetës.
Kërkon që të bashkohet me familjen.
Të njëjtën letër i bën dhe Byrosë Politike
Porosia e dhënë nga sekretari i K.Q ose drejtori:
Shënimi i Enver Hoxhës me shkrimin e tij:
Ne nuk jemi shtypshkronjë të cilat kanë rregullat e tyre. Duhet të bëni përpjekje nga shokët nga të afërmit që të heqë dorë nga marrëzitë që thotë (Me kurajo thonë se ……..dhe të tjera është dhe mendon)
Është mistik, ky është ndihmuar. Le të vazhdojnë ta ndihmojnë si e thashë më lart.
Enver
……………………………………………………………………………………………………………………………………………………
Shokut Hysni
KOMITETI QENDROR I P.P.SH Alf. K
Dega e Përgjithshmë Nr. 158
Seksjoni i pritjeve dhe letrave e ankesave Dt.27.7.’65
KARTELE E REGJISTRIMIT DHE EVIDENCES SE LETRAVE
Emri; Kasem Trebeshina
Adresa: Rr. N. Tupe, Pall. Nr. 6. Shk. 2 Ap. 9 Rrethi Tiranë
Kujt i drejtohet letra….Shokut Enver U lexua nga J.K.
Çështja që parashtron: I është dhënë punë si llogaritar. Nuk është dakord dhe kërkon që të punojë si përkthenjës: ndryshe, shkruan ai, të lihet në heshtje dhe të mos i bëhet presion.
Mendojmë të mos bëjmë ndërhyrje.
Porosia e dhënë nga sekretari i K.Q ose drejtori. Shënim:
Pse e mbani këtë në Tiranë?
Firma (Hysni Kapo)
Iu dha për zbatim
Shoku Kadri thotë se e ka porositur shoku kryeministër që ta sjellin këtu.
16.8.965
……………………………………………………………………………………………………………………………………………………
Shoku Rita porosit që të mblidhet tërë praktika e Kasem Trebeshinës, mbasi do të bisedojë me shokun Enver kur të kthehet nga pushimi. Porosit gjithashtu t’i komunikohet nga organet e pushtetit, jo të partisë, që të vejë në punë atje ku e caktojnë dhe të mos vijë rrotull. Njoftoni shokun Jovan ose i thoni shokut Sabri ose shokut Sevo Tarifa të ngarkojë njeri të thërrasin e ta njoftojnën për kërkesën që bën.
Shënim: Vura në dijeni shokun Enver (firma)
U njoftua Sh. Sabri, pastaj sipas porosive, pasi sh. Sevo Tarifa është me leje. Ai do ta thërrasë dhe do ta sqaroj.
23.8.
……………………………………………………………………………………………………………………………………………………
Shokut Enver Hoxha
Sekretar i Parë i K.Q. të P.P.SH.
Tiranë
Marr leje t’u drejtohem për sa më poshtë:
Duke qenë se pasi kërkova punë dhe më caktuan si llogaritar, për mua do të ishte mirë që të dija në se mund të kërkojë një punë si përkthenjës. Po qe se nuk e kam këtë të drejtë dhe po qe se më takon vetëm llogarija si një vendim i prerë, u lutem të më lejoni që të tërhiqem në heshtje dhe të mos më bëhet asnjë presion për t’u bërë llogaritar.
Në pritje të përgjigjies suaj,
Mbetem me respekt, (Kasem Trebeshina), Tiranë, 26/7/’65
……………………………………………………………………………………………………………………………………………………
Byrosë Politike të K.Q. të P.P. SH.
T i r a n ë
Kam 8 muaj që jam liruar nga internimi dhe në mbarim të të 1965 jam akoma pa punë dhe në gjëndje izolimi. Që të të mos formohet një mëndim jo i drejtë i gjëndjes sime, e quaj të nevojshme që të sqaroj sa më poshtë: Si të gjithë qytetarët e Republikës edhe unë kam nevojë (si familjar) për punë, gjë të cilën e kam edhe detyrë. Këtë gjë e kam kërkuar disa herë, por meqënse e vetmja punë që më është dhënë (si llogaritar) ka pasur karakterine një ndëshkimi, parimisht nuk mund të bëj një punë ndëshkimore në një vënd të lirë dhe, rrjedhimisht, detyrohem që të hiqem mënjanë duke vënë në dijeni atë Byro Politike se ky veprim i imi nuk është një qëndrim opozitar dhe pasiv siç mund të interpretohet, po një qëndrim i imponuar nga rrethanat e krijuara, në kushte izolimi. Duke shpresuar s eky qëndrim jo dashamirës karshi meje nuk do të vazhdojë.
Mbetem me respekt, (Kasem Trebeshina), Tiranë, I/XII/ 1965
……………………………………………………………………………………………………………………………………………………
KOMITETI QENDROR I P.P.SH Alf. K
Dega e Përgjithshmë Nr. 158
Seksjoni i pritjeve dhe letrave e ankesave Dt.27.7.’65
KARTELE E REGJISTRIMIT DHE EVIDENCES SE LETRAVE
Emri; Kasem Trebeshina
Adresa: Rr. N. Tupe, Pall. Nr. 6. Shk. 2 Ap. 9 Qyteti Tiranë
Kujt i drejtohet letra…Byrosë Politike. U lexua nga Th. Ç.
Çështja që parashtron: Shkruan se ka 8 muaj që është liruar nga internimi dhe akoma s’po e vendosin në punë të përshtatëshme.
E vetmja punë që i është ofruar ka qenë ajo e llogaritarit, por duke qenë se caktimi në një punë të tillë ka karakterin e një ndëshkimi, nuk e ka pranuar.
Shënim: Mendoj që letra të arshivohet pa përgjigjie.
Sadik Myftiu, 16.XII.