Reforma në drejtësi, propozimi i ish-kryeministrit Meksi: Gjyqtarët që gabojnë të mos gjykojnë më kurrë
Teksa reforma në drejtësi po merr formë dhe po bëhet gati të japë rezultatet e para, ish-kryeministri Aleksandër Meksi ka bërë një propozim. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meksi parashtroi si ide që në kuadër të reformës në drejtësi të shtohet një nen, i cili i detyron gjyqtarët që gabojnë me një çështje të mos e mbajnë më këtë post dhe të mos japin më kurrë gjykime. “Meqenëse jemi në stinën e reformës në drejtësi, po vendos një nen nga Kodi i Hammurabit-Codex Hammurabi- rreth vitit 1760 para erës sonë: neni 5 “Nëse një gjyqtar që shqyrton një rast, merr një vendim që e paraqet me shkrim, nëse më vonë i rezulton i gabuar, për faj të tij, atëherë ai duhet të paguaj 12-fishin e gjobës që pati vendosur në gjykim, dhe të hiqet publikisht nga posti i gjyqtarit edhe asnjëherë më nuk do të japi gjykime”, shkruan në reagimin e tij ish-kryeministri Aleksandër Meksi.
Mirëpo teksa Meksi bëri këtë propozim, avokatët bënë publike disa të dhëna alarmante, ku thuhet se mbi 50% e vendimeve gjyqësore të dhëna në vite nga institucionet tona të drejtësisë kanë qenë subjekt korrupsioni. I pyetur në lidhje me këtë, eksperti i drejtësisë Jordan Daci shpjegoi se një nivel kaq i lartë korrupsioni ka ardhur për shkak të futjes në sistem të personave të pakualifikuar dhe kapjes së tij nga politika. “Korrupsioni, të jem i sinqertë ka filluar në faza të hershme, por në masa shumë më pak të ndjeshme. Sot tashmë dhe vetë prokurorët dhe gjyqtarët, dhe çdo aktor i këtij sistemi pranon që korrupsioni është kthyer në problemin numër një, mbi një masë mbi 50 për qind”. Në vijim të fjalës së tij, Daci theksoi se një nivel kaq i lartë korrupsioni ka sjellë humbjen e besimit të publikut në sistem, i cili mund të kthehet vetëm në rast se procesi i veting-ut do të zhvillohet me seriozitet maksimal dhe do të bëjë goditjet e duhura.