Albspirit

Media/News/Publishing

Sarajet e Mufid bej Libohovës

Mes shumë fasadave të vjetra e të reja, estetike e të shëmtuara, që gjen në qendër të Libohovës njësoj si në shumë qytete të tjera të vendit, dallojnë për mirë sarajet e Mufid bej Libohovës. Janë të veçanta sa i përket stilit arkitekturor dhe kanë një lloj rregullsie të jashtme që të kuriozon. Ndryshe nga më parë, tanimë te hyrja mungojnë rrepet e moçëm që prej shekujsh i kanë bërë hije këtyre sarajeve. Pas trokitjes në portën e drunjtë e të madhe, shfaqet portreti i një mesogruaje që mes zërit të ulët dhe buzëqeshjes më fton të bujt brenda. Është Havaja, zonja që prej vitesh jeton brenda këtyre sarajeve dhe kujdeset për to.

Pa përtuar aspak nisi të më shoqëronte në të gjitha ambientet e këtij kompleksi muzeal, ndërsa bënte edhe rolin e ciceronit të munguar në këtë monument kulture. Vitet e jetuara brenda këtyre sarajeve dhe ndoshta pasioni i saj për historinë e Mufid bej Libohovës, bënin që ajo të kishte një përgjigje për pothuajse çdo pyetje timen prej kureshtari të pandreqshëm. Kishte aq shumë dhoma, hyrje, dalje e kthina sa po vrisja mendjen të zbërtheja logjikën e projektuesve të këtij kompleksi. Pse ishte zgjedhur pikërisht kjo formë?!

Në një prej odave, pas xhamit të krisur të një kornize pakëz të vjetër që qëndron te oxhaku, shquaj portretin e Mufid bej Libohovës. Përbri tij ishte një orë, tik-taket e së cilës nuk e masnin më kohën. Në bisedë e sipër, Havaja ndan shqetësimin se pas kaq kohësh nga rikonstruksoni i fundit, kompleksi ka nevojë sërish për ndërhyrje në pjesën e çatisë, e cila pikon në jo pak vende. Nga ana tjetër zbulon edhe një projekt që pasardhësit e Mufid bej Libohovës, kanë për ngritjen e një muzeu dhe biblioteke në një prej odave të kompleksit. Ata kanë qëmtuar sende dhe relike të tij, që duan t’i ekspozojnë pikërisht në këto saraje.

Duke ecur nëpër oborr mësoj për një tunel të nëndheshëm brenda territorit ku shtrihet kompleksi. Aty pranë ishte edhe një dafinë, që siç tregon Havaja, është mbjellë prej vetë bashkëshortes së Mufid bej Libohovës, danezes Olga Sçhweitzer. Në rrjedhën e viteve madhësia e pemës ka ndryshuar, por rrënjët e saj janë po aty, thellë mes binave të këtyre sarajeve. Përpara se të largohem, ndalesa e fundit është te ballkoni i ndërtesës kryesore, prej ku e ke si në pëllëmbë të dorës një pjesë të mirë të qendrës së Libohovës. Pas përshëndetjes me Havanë, iki me bindjen se ky kompleks ka nevojë për rijetëzim, jo thjesht dhe vetëm për rikonstruksione periodike.

Libohovaonline.com

10744349_10202560696808930_785262056_o

Please follow and like us: