Hristian Mickovski, kryetar i ri i VMRO–DPMNE
Hristian Mickovski është kryetar i i ri i partisë VMRO-DPMNE në Maqedoni. Ai u zgjodh me 376 vota të delegatëve në kongresin e jashtëzakonshëm, nga 438 delegatë që ishin të pranishëm.
Zoti Mickovski është kryetari i tretë i VMRO-DPMNE-së, të formuar në vitin 1990.
Partia VMRO-DPMNE zgjodhi kryetarin e ri pas më shumë se 14 vjetësh nën drejtimin e Nikolla Gruevskit, i cili për 11 vjet ishte kryeministër i qeverisë së Maqedonisë.
Kongresit të gjashtëmbëdhjetë të mbajtur të shtunën në qytetin e Vallandovës në jug të vendit i kanë paraprirë luhatje të brendshme pas dorëheqjes së parevokueshme të Nikolla Gruevskit dhe favorizimit të dukshëm të njërit prej pasardhësve të tij, z. Hristian Mickovski, i cili së fundmi ishte sekretar i përgjithshëm i partisë.
Emrat e tjerë të përfolur si Nikolla Popovski, Ilija Dimovski dhe Antonio Milloshoski nuk kandiduan fare për kreun e partisë dhe bojkotuan kongresin. Ata kërkuan që kongresi të mbahej në muajin shkurt të vitit të ardhshëm dhe kandidatëve t’u mundësohej qasje e njëjtë tek delegatët dhe strukturat tjera partiake.
Po ashtu, rreth 130 delegatë të tjerë bojkotuan kongresin.
Hristian Mickovski, mbeti kandidat i vetëm për postin e kryetarit të patisë më të madhe opozitare maqedonase. Ai është 40 vjeç. Ka qenë rreth një vit drejtor i kompanisë elektro-energjetike ELEM dhe për pak muaj këshilltar i ish-kryeministrit Gruevski. Ai është profesor në Fakultetin e Makinerisë në Shkup.
Atij i duhej një votë më shumë se gjysma e numrit të delegatëve në kongres për t’u bërë kryetar i VMRO-së dhe atmosfera që mbizotëroi kongresin bëri të qartë se ai do të jetë drejtues i ri kësaj partie.
Mickovski, në fjaimin e tij para delegatëve në kongres tha se “tash është koha për t’u bërë bashkë, se këtë gjë e pret VMRO-ja dhe shteti”. Ai tha se vizioni i tij për Maqedoninë është një shtet i qytetarëve të lumtur me ekonomi të zhvilluar dhe investime të mëdha. “Shëndetësi më të mirë, ndërsa korrupsioni dhe hakmarrjet politike duhet t’i mbeten së kaluarës”, tha kreu i ri i VMRO-së duke shtuar se vendi është shumë larg BE-së, se të rinjtë po largohen dhe po humbasin perspektivën.
Nikolla Gruevski, i cili mbetet kryetar nderi i VMRO-DPMNE-së në një fjalim të gjatë para delegatëve tha se kishte dhënë gjithçka për partinë, se kishte lënë mënjanë familjen dhe fëmijët duke iu nënshtruar streseve, fyerjeve e nënçmimeve, ndërsa i vinte shumë rëndë tash që brenda natës, siç u shpreh, shikon sjelljen e papritur të disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë.
Gruevski dhe Mickovski kanë vërejtur gabimet e partisë kundrejt shqiptarëve të Maqedonisë dhe komunitetit ndërkombëtar, siç kanë pranuar vetë dhe tash VMRO-së i duhet një strategji e re për të përmirësuar raportet në këtë aspekt.
Nga ana tjetër, emrat e njohur të VMRO-së që hoqën dorë nga gara dhe kongresi janë deputetë në parlament dhe nuk dihet prej tash se çfarë ndikimesh mund të ketë, nëse do të rezultojnë në ndarje ose jo brenda partisë.